KQZ certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit

Aktuale

KQZ certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit

Më: 31 dhjetor 2024 Në ora: 15:27
Kryetari i KQZ-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur sot ka njoftuar se është certifikuar lista e kandidatëve për deputetë nga Lista Serbe.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se certifikimi bëhet pasi Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e LVV-së.

“Sipas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me mos certifikimin e listës së kandidatëve për deputetë nga Lista Serbe, ka marrë vendim të cilin ka kërkuar të certifikojë listën e Listës Serbe. Ky vendim është apeluar dhe se Gjykata e Apelit ka hedhur ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje,  vendimi i PZAP-it është të certifikojë kandidatët”, tha ai.

Radoniqi shtoi tutje se vendimet e PZAP janë të obligueshme për KQZ-në, dhe se lista e tyre certifikohet.

Kundër këtij vendimi u shpreh përfaqësuesi i LVV-së, Sami Kurteshi.

“Ky subjekt politik ka shpallur ditë zie për tre terroristët e vrarë në Banjskë. Ky subjekt politik në zgjedhjet e vitit 2021 nuk ka lejuar të hapen shkollat për zgjedhje. Ka shumë elemente, që ky subjekt politik nuk e meriton të certifikohet”, u shpreh ai.

Ndryshe, Kolegji i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur më datë 30 dhjetor 2024, e ka hedhur poshtë, si të palejuar ankesën e subjektit politik Vetëvendosje, të paraqitur kundër vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Lajmin e konfirmoi. zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka Lutfiu.

“Kolegji i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur me datë 30 dhjetor 2024, e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e subjektit politik Vetëvendosje, të paraqitur kundër vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP)”, tha ajo.

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 9 shkurt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat