Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se Kanali i Ibër-Lepencit është rindërtuar siç është shprehur ajo ‘brenda një muaji’.
Rizvanolli lajmin e ka bërë të ditur nëpërmjet një videoje të publikuar në rrjetin social Facebook.
“Të dashur qytetarë Kanali i Ibër-Lepencit është rehabilituar brenda një muaji. Falenderoj kryeshefin Faruk Mujka së bashku me gjithë ekipin dhe kompaninë që kanë punuar për të na e dhënë këtë lajm të mirë për vitin e ri”, ka thënë Rizvanolli.
Prezent ishin edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla si dhe kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka.
Sveçla e ka cilësuar sukses të jashtëzakonshëm dhe ka deklaruar se e drejta po fiton.
“Edhe një sukses i jashtëzakonshëm. E drejta po fiton. Kushdo që mendon se mund të na dëmtojë gabon rëndë”, është shprehur ai.
Ndryshe, kanali i ujit të Ibër-Lepencit ishte dëmtuar me 29 nëntor pas një shpërthimi. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sulmi është kryer me deri në 20 kilogramë eksploziv.
Kosova fajësoi Serbinë për këtë sulm, por Beogradi zyrtar e hodhi poshtë një gjë të tillë. Sulmi u dënua ashpër nga SHBA-ja dhe shtete të Bashkimit Evropian.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.