Kosovë, pritshmëritë e qytetarëve për vitin 2025

Aktuale

Kosovë, pritshmëritë e qytetarëve për vitin 2025

Më: 31 dhjetor 2024 Në ora: 16:56
Kosovë

Zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe thellimi i varfërisë në vend, janë ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës në prag të vitit të ri.

“Incidentet që kanë ndodhur në pjesën veriore, në pjesën tjetër të Kosovës. Ndërkaq e dyta do të thoja gjendja ekonomike, meqenëse ka nevojë Kosova të ketë një qëndrueshmëri më të mirë ekonomike si çdo vend tjetër. Mendoj që vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë një problematikë në aspektin e zhvillimit ekonomik, këto dy elemente kanë qenë më shqetësuese”, thotë Kadri Gashi.

“Siguria jo e mirë, çmimet e larta, pensionet e ulta, për shembull ne jemi kontributdhënës dhe kemi mbetur me 120 euro, nuk i intereson askujt për pensionistë”, thotë Melire Morina.

“Shqetësimet kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha, pasiguria, dhuna në familje, shëndetësia, arsimi, pagat shumë të ulta, kurrfarë sigurie nuk ka si pikë e parë po flas për shëndetësinë që jemi shumë keq. Deri tani nuk kam parë kurrfarë perspektive, nuk vlerësohet asgjë as ai që është i shkolluar”, thotë Fetije Morina.

“Edhe shqetësimet politike po na brengosin, çfarë po bëhet e si po bëhet, siguria dhe të tjera. Edhe ekonomike nuk mund t’i lëmë anash se si çdokund u rritën çmimet, jeta po vështirësohet për qytetarët, brenga sa të duash”, thotë Nezir Çollaku.

Ata thonë se vitin e ri po e presin me shpresë se gjërat do të marrin për mbarë.

“Ajo që më intereson mua më së shumti është një edukim më i mirëfilltë sidomos në aspektin kualitativ pastaj aspekti i të rinjëve e të rejave që vazhdimisht kanë ambicie të dalin jashtë Kosovës. Mendoj që të rinjtë duhet të motivohen dhe të stimulohen me inovacion në aspektin e biznesit, pastaj ndihma financiare për të rinjtë sidomos në vendet rurale. Pritshmëritë e mia janë për një përqendrim më të madh te aspekti ekonomik, por pa e harruar këtë pjesën sociale sepse kemi nevojë shumë për reforma sociale sidomos te grupet e marxhinalizuara”, thotë Kadri Gashi.

“Do të doja ta shoh një herë më mirë këtë popull, të ecë një herë mbarë dhe mirë, të na hiqen shqetësimet, të ndahemi prej Serbisë dhe t’i përfundojmë bisedimet”, thotë Melire Morina.

“Do të më bënte përshtypje fillimisht të ndahemi me Serbinë nga A deri në Zh dhe mos të mbetet kjo gjithmonë duke u zvarritur. Pastaj rinia të punësohen, pra shkollimi, punësimi dhe të jenë shumë të ngritur”, thotë Fetije Morina.

Do të doja të bëhet sa më mirë por kushtet pak duhet të ndryshojnë, investime të ketë pak më shumë që të rritet standardi pak e të rritet mirëqenia e popullit e të tjera. Presim më mirë si gjithmonë”, thotë Nezir Çollaku.

Udhëheqës të institucioneve vendëse e ndërkombëtare përgëzuan qytetarët për vitin e ri.

Në prag të ndërrimit të viteve, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veriore, për tu shprehur mirënjohjen pjesëtarëve të policisë që siç tha ajo “gjatë këtij viti sfidues ishin shtylla e sigurisë dhe mbrojtësit e palëkundur të vendit”.

“Le të jetë 2025 një vit i paqes dhe i mbarësisë për të gjithë”, thuhet në urimin e presidentes Osmani.

Vitit 2024 filloi dhe u mbyll me tensione në veri dhe rrjedhimisht me tensione ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të dyja vendet janë pajtuar në Bruksel dhe Ohër mbi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, por tensionet mbeten të larta duke shtuar shqetësimin e diplomacisë perëndimore për mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në rajon./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat