Në një linjë të drejtpërdrejtë ka folur analisti Shqiprim Pula për politikën e jashtme të Kosovës për gjatë vitit 2024.
Ai ka thënë se viti kishte filluar me një ’’dhuratë’’ për kosovarët.
’’Viti kalendarik 2024 filloi me një dhuratë nëse mund ta quaj për qytetarët e republikës e që ishte heqja e regjimit të vizave për qytetarët e vendit për një pritje rreth katërvjeçare që nga 2018-ta që formalisht ishin dhënë rekomandimet zyrtare…kjo ishte pikënisja e mbarësisë e këtij viti që qytetarët përfundimisht të dalin nga një lloj getoizimi dhe të lëvizin brenda Zonës Shëngen të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian’’, ka thënë Pula.
Ai ka thënë se në kontekstin ndërkombëtarë Kosova nuk ka qenë në situatën më të mirë të mundshme duke përmendur që dialogu me Serbinë ka qenë pa epilog përmbajtjesor.
Pula ka thënë se kryenegociatorët më shumë kanë prodhuar takime sa për fotografi.
’’Takimet e kryenegociatorëve më tepër kanë qenë takime kurtoazie dhe për fotografi, por jo se kanë prodhuar rezultate konkrete’’.
Sa i përket anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, Pula ka thënë se nuk jemi në ’’stadin’’ e pritshmërive.
’’Në kuptimin e njohjeve le të themi që kemi pas një gjendje stand by duke qenë në pritje të prurjeve të reja, me përjashtim të njohjes së pasaportës së Kosovës nga shtetet kryesisht mosnjohëse të Republikës’’, ka thënë ai.
Pula ka thënë se rezultatet në politikën e jashtme janë minore krahasim me pritjet.