Ish-zëvendësministri i brendshëm, Valdet Hoxha, e ka parë si të duhur dhe të nevojshme vizitën e së martës të presidentes Vjosa Osmani në veri të Kosovës.
Hoxha në emisionin “Ditari”, në Tëvë1 ka thënë se kjo vizitë e Osmanit kishte mesazh të qartë unifikues gjithpërfshirës për dallim prej vizitave të zyrtarëve të tjerë të shtetit në javët e fundit.
“Ishte e duhur e nevojshme, me mesazh të qartë unifikues gjithpërfshirës, një vizitë normale me një mesazh të qartë kryesisht te forcat e rendit të cilët janë më meritorët për atë që është rikthyer një pjesë e sigurisë sepse nuk mund të idealizojmë që vërtetë nuk ka problem në atë pjesë të vendit por ai rikthim i një pjesë të sigurisë të një faze të re të rindërtimit të institucioneve pra një simbolikë e të parës së shtetit që po e konfirmon që po e validon këtë gjendje të sigurisë, prandaj gjithcka ishte ne frymën e duhur të paktën në këto javët e fundit për dallim prej vizitave tjera të zyrtarëve tjerë të shtetit të cilët përvec se të nevojshme ndonjëherë kishin edhe disa doza paraelektorale dhe politike”, ka thënë ai.
Ai tutje është shprehur optimist që kjo vizitë e presidentes ka qenë në koordinim me ndërkombëtarët , pasi sipas tij ata gjithmonë brengosen se vizita të tilla mund të keqpërdoren.
“Unë po besoj shumë që kjo vizitë e zonjës Osmani në veriun e vendit sot është e koordinuar me partnerët ndërkombëtar dhe nuk ka asnjë problem sikurse në të kaluarën që është pretenduar të keqpërdoren, sepse ndërkombëtarët gjithmonë kanë brengën se këto vizita mund të keqpërdoren nga akter të ndryshëm apo shtete të ndryshme fqinj”, është shprehur Hoxha.
Ndryshe, të martën presidentja Vjosa Osmani ka vizituar Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veriore. Osmani ka thënë se gjatë këtij viti sfidues policët në veri ishin shtylla e sigurisë dhe mbrojtësit e palëkundur të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës