Veriu i vendit, nuk gjeti qetësi as në vitin 2024. Ndonëse në muajt e parë nuk pati raste, ishte muaji prill kur persona ende të paidentifikuar filluan sulmet ndaj institucioneve të shtetit duke hedhur granata dore në drejtim të stacionit policor në Zveçan e më pas objektin e komunës.
Jo shumë larg Zveçanit, në Varage të Zubin Potokut u sulmua infrastruktura kritike në kanalin Iber-Lepenc u hodhën rreth 20 kg eksploziv për çka reaguan krerët e shtetit e faktori ndërkombëtar. Viti 2024 u përcoll edhe me aksione të tjera të policisë së Kosovës duke nisur nga mbyllja e bankës komerciale të Serbisë, Posta e Serbisë, hapja e bizneseve shqiptare dhe mbyllja e strukturave paralele serbe.
Në prill të vitit 2024 nisi faturimi i rrymës për qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Njësorët u vendosët e energjia elektrike në këtë pjesë do të paguhej njësoj si në gjithë shtetin.
Por, situata e sigurisë atje nuk ishte e qetë si në komunat tjera të republikës.
Më 19 prill, u sulmua me një granatë dorë shtëpia e një zyrtae të Policisë së Kosovës e cila punon në drejtorinë në veri.
Fatmirësisht, nga ky akt pati vetëm dëme materiale.
Pas këtij rasti, persona të maskuar hedhen mjet shpërthyes edhe në një zonë të frekuentuar gjatë zezonës se verës.
Në afërsi të liqenit në Ujman, dy vetura u dëmtuan meqë persona ende ta paidentifikuar për organet e drejtësisë, sulmuan me granata dore ku u dëmtuan dy vetura.
Për këto raste vazhdimisht Policia e Kosovës ka deklaruar se janë duke hetuar rastet por, persona të arrestuar ende nuk ka.
Institucionet e sigurisë vazhduan aksionet në komunat veriore siç thonë ata, për të shtrirë rendin dhe ligjin.
U mbyllën degët e postës së Serbisë, u mbyll banka komerciale e cila vepronte sipas udhëzimeve të Serbisë, duke përdorur dinarin valutë kjo tashmë e ndaluar nga Qeveria e Kosovës.
Në disa lokacione ku vepronte posta e Serbisë, u hap ajo e Kosovës .
Ndonëse aksionet u zhvilluan në katër komunat veriore reagimet nga serbët lokal nuk pati por vëmendje mori në bllokun evropian.
Bashkimi Evropian dhe ShBA-të kërkuan nga Qeveria të ndalë siç i quajtën ata, provokimet në pjesën veriore për te mos ngritur tensionet.
Ndërkohë, një diskutim u hap në Prishtinë për hapjen e Urës së Ibrit.
Kryeministri Kurti paralajmëroi se do e bëj një hap të tillë verës.
Në vazhdën e diskutimit të kësaj çështje, Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, ka qëndruar për një vizitë në Kosovë më 22 gusht.
Askush nga palët nuk është deklaruar rreth këtij takimi deri tani.
Megjithatë, diskursi ndërroi, duke thënë që do dakordohen me ndërkombëtarët për secilin hap rreth hapjes së urës së Ibrit.
Siguria e vendit u cenua përsëri nga grupet kriminale serbe në rajonin e Zveçanit.
Pak javë pas një sërish aksione në Zveçan, u sulmua stacioni i Policisë së Kosovës me dy granata dore, Tëvë1 siguroi pamjet ekskluzive të momentit ku u sulmua institucioni shtetërorë i sigurisë.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se janë intervistuar dy persona ndërkaq po bëhen hetime në ndriçim të rastit.
E një objekt banimi, në ndërtim e sipër, pronë e ish-kryetarit të Komunës së Zubin Potokut, Stevan Vulloviq, është sulmuar pas mesnatës në muajin tetor.
Pak javë pas këtyre sulmeve me shok-bomba ndaj institucioneve shtetërore, siguria e vendit u cenua edhe goxha rëndë, duke u sulmuar infrastruktura kritike e shtetit.
Ishin orët e pasdites të së shtunës së 29 nëntorit kur lajmi doli se nje gyp me ujë ka shpërthyer në fshati Varage të Zubin Potokut.
Por, meqë uji po derdhej pa ndalur, dhe pas shikimit në vendin e ngjarjes nga hetues policor dhe institucionet tjera relevante, doli se shtetit iu cenua infrastruktura kritike.
Sipas hetimeve të para, bëhet fjalë për sulm terrorist në kanalin kryesor të Iber-Lepencit në të cilën sipas Policisë së Kosovës u hodhën rreth 20 kg eksploziv.
Forca të shumta të Njësive Speciale dolën në vendin e ngjarjes, në mesin e tyre edhe ministri i punëve të brendshme Xhelal Sveçla.
Ky sulm bëri që kryeministri i vendit, Albin Kurti të del me konferencë për medie në orët e vona.
Ai tha se bëhet fjalë për sulm terrorist i cili kishte për qëllim shkaktimin e dëmeve në prodhimin e energjisë elektrike dhe furnizimin me ujë të pijshëm për shumë komuna që furnizohen me ujë nga ky kanal.
Kryeministri akuzoi drejtpërdrejtë Serbinë dhe grupin e Millan Radojiçiq për sulmin në kanalin e Iber-Lepencit.
Edhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, tha që sulmi në Varagë u organizua nga terroristi Milan Radojiçiq.
E reagim të ashpër erdhi edhe nga faktori ndërkombëtar.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin të parët që dënuan sulmin në kanalin e Iber-Lepencit.
Në një postim në “X”, Hovenier bëri të ditur se janë duke e përcjellë situatën nga afër dhe do ta mbështetin hetimin gjithëpërfshirës.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin-Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës. Ne jemi duke e monitoruar situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”, u shpreh ambasadori amerikan.
Gjithashtu, Hovenier ka dënuar sulmet me granata në Zveçan.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovës, Aivo Orav, e ka dënuar shpërthimin e sotëm në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok.
Oravi ka shkruar se ngjarja duhet të hetohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë.
“Dënoj incidentin e rëndë që shkaktoi dëme në kanalin ujor në Zubin Potok që po privon pjesë të konsiderueshme të Kosovës nga furnizimi me ujë. Unë u kam ofruar ndihmën e BE-së autoriteteve të Kosovës. Ngjarja duhet të hetohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë”, tha ambasadori i BE-së
Nuk vonoi shumë, pas një sërë aksionesh të Policisë në Zubin Potok e veri të Mitrovicës, u arrestuan tetë persona të nacionalitetit serb.
Gjashtë prej tyre u liruan ndërkaq në paraburgim gjenden dy vëllezërit Jovan Viçentijeviq dhe Dragisha Viçentijeviq të cilët sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me qellim të shqetësimit serioz të banorëve dhe cenim të rendit kushtetues dhe sigurisë publike në Kosovë, qëllimisht kanë dëmtuar pajisjet publike të ujësjellsit dhe kanë kryer veprën penale terroriste.
Edhe pas arrestimi të dy vëllezërve serb, Policia e Kosovës vazhdoi me aksione në veri.
Në një konferencë të jashtezakonshme të Policisë së Kosovës, drejtori Gazmend Hoxha bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla prezantuan armë, uniforma ushtarake serbe, municion e logo të ndryshme perfshire ato të Rusisë të cilat u sekuestruan në aksionin e bërë në 10 lokacione në Veri.
Nga 29-nëntori Policia e Kosovës rriti vigjilencën në katër komunat veriore duke shtuar masat e sigurisë me prezencë më të shtuar të zyrtarëve policor përfshirë njësi të ndryshme speciale të saj.
Aksionet nuk përfunduan, polici kreu aksion në mbylljen e institucioneve paralele serbe në Veri të Mitrovicës, nga ku u lëshuan dokumente fallco e u mashtruan qytetarët duke iu marrë të holla kinse për shfrytëzim të hapësirave publike të cilat ata kanë thënë se janë në pronësi të tyre por, sipas policisë i takojnë komunës së Mitrovicës së Veriut.
Pak ditë para se të përfundonte vitit erdhi një paralajmërim nga kryeministri Kurti se para dhe pas vitit të ri mund të ketë sulme të mundshme në veri.
Mobilizimi i policisë në veri pas këtyre ngjarjeve është i madh.
Por, ashtu siç nisi ashtu edhe u mbyll.
Situata në katër komunat veriore të vendit, vazhdon të jetë e brishtë.