Për 365 ditë, kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë nuk u takuan asnjëherë në kuadër të dialogut në mes dy vendeve. Krejt këtë proces e vazhduan kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Bislimi dhe Petkoviqi mirëpo nuk patën rezultat. Për Qeverinë e Kosovës bllokuese është Serbia pasi nuk është e interesuar për normalizim dhe në vazhdimësi shkel marrëveshjet. Njohësit e politikës thonë se në këtë vit dialogu ka dështuar.
Për gjithë vitin 2024-të, asnjëherë nuk u ulën përballë njëri tjetrit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq takimin e fundit sy më sy e patën në shtator të vitit 2023.
Një përpjekje për takim u bë edhe në qershor të këtij viti nga Bashkimi Evropian.
Mirëpo, as shefi i politikës se jashtme të BE-së, Josep Borrell nuk arriti që t’i ulë për një takim trepalësh.
Kjo si shkak që Kurti pati disa kushte për një takim të tillë.
E për 365 ditë, takimet për normalizimin e marrëdhënieve dhe dialogun mes dy vende, u zhvilluan në kuadër të kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviqi.
Ata janë takuar disa herë brenda këtij viti, mirëpo asnjëri nga takimet nuk dha rezultat.
Sipas këshilltarit të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi palë bllokuese në këtë proces ishte Serbia.
“Pamë që çdo takim, nuk kishte qëllim arritjen e një zgjidhjeje, por ishte vetëm mjeti për të zvarritur sa më gjatë takimet, deri para votimit final për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe rrjedhimisht bllokimin e saj. Përgjatë takimeve të vitit 2024, u vu re edhe se Serbia vazhdon të mos e pranojë Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e Ohrit, dhe i shkel në vazhdimësi ato. Pamë se Serbia asnjëherë nuk propozoi hapa konkretë për ecjen tutje, e nuk kishte komente konstruktive në asnjë prej planeve të zbatimit. Palë bllokuese është Serbia, e cila po bëhet gjithnjë e më agresore ndaj Kosovës edhe në terren, shkel marrëveshjet në vazhdimësi, e nuk është e interesuar për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke”, ka deklaruar Klisman Kadiu – këshilltar i Bislimit.
Për profesorin universitar, Arben Fetoshin dialogu në mes dy vendeve është i dështuar.
Analisti politik, Visar Xani thotë se viti 2024 në dialog përkthehet sikur të ishte viti 2022 ose më herët.
Xani thotë se është pa rezultate për shkak që ka pasur pajtueshmëri por jo zbatime të marrëveshjeve.
Të dy, në dhjetor udhëtuan në Bruksel për tu takuat me shefen e re të politikës së jashtme, Kaja Kallas.
Ata, patën një diskutim me pasuesen e Josep Borrell, në takime të ndarë.
Por sërish u kthyen nga kryeqendra evropiane, pa takim të përbashkët.