Mbi 20 raste janë trajtuar në Klinikën Emergjente si shkak i lëndimeve të shkaktuara nga mjetet piroteknike.
Shefi i Emergjencës, Agron Çitaku bën të ditur se këto raste janë të moshës mesatare, ndërkaq dy prej tyre janë të moshës së shtyrë.
Çitaku: 25 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore
"Për momentin deri më tani kemi 24 të lajmëruar, si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga mjetet piroteknike. Prej tyre një ka qenë në gjendje më të rëndë që ka ardhur nga Prizreni, është duke u punuar në sallë ende, tre i kemi me lëndime në regjionin e syrit, ndërsa të tjerët janë kryesisht janë në ekstremitete", deklaroi ai.
Para gazetarëve, ai foli edhe për gjendjen e një të lënduari nga shpërthimi i mjeteve piroteknike në Prizren. Sipas tij, gjendja e tij është e rëndë.
Çitaku: Gjendja e pacientit nga Prizreni, shumë e rëndë
"Gjendje shumë, shumë e rëndë. Është pikëpyetje, por megjithatë po mundohemi të bëjmë diçka... ai fatkeqësisht gjeneratë e re e vitit 1999. Si duket ka qenë një eksplodim shumë i madh, megjithatë sipas informatave që kemi janë ndalur shtatë-tetë raste qe janë ndalur në Prizren.... lëndimet e tij janë praktikisht të krejt trupit, shumë të rënda, sidomos të ekstremiteteve, te kokës dhe fytyrës", shtoi ai.