​Akuza, sharje e rrahje: Krejt çka ndodhi në legjislaturën e tetë të Kuvendit

Aktuale

​Akuza, sharje e rrahje: Krejt çka ndodhi në legjislaturën e tetë të Kuvendit

Më: 1 janar 2025 Në ora: 09:25
Kuvendi i Kosovës

Gjuhë polarizuese, akuza, sharje...deri në rrahje. Legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës u karakterizua me gjuhë jo parlamentare, mungesë kuorumi për vendimmarje dhe parregullsi procedurale për miratimin e ligjeve, vlerësojnë monitoruesit.

Mungesa e bashkëpunimit pozitë-opozitë për arritjen e konsensusit për tema nacionale si dhe për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare po konsiderohet se e ka dëmtuar punën e Kuvendit për katër vjet mandat.

Gjuha polarizuese në Kuvend, akuzat dhe sharjet kulmuan në rrahje të paprecedent ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe disa prej ministrave të kabinetit qeveritar, në seancën e korrikut të vitit 2023.

Pozita dhe opozita ia hedhin fajin njëra-tjetrës për gjuhën e ashpër në Kuvend.

Në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, akuzojnë opozitën se gjatë katër viteve mandat kanë përdorur “kauza fiktive për të dëmtuar mazhorancën”. Sipas tyre, kjo legjislaturë është “më e suksesshmja në histori të Kuvendit me mbi 300 ligje të miratuara”.

Por të kundërtën e thonë nga opozita, të cilët vlerësojnë se “Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur vullnet politik” për të bashkëpunuar me opozitën as për çështje të interesit nacional. Opozitarët kritikojnë pushtetin edhe për ligje antikushtetuese, mospërmbushje të agjendës legjislative dhe moslejim të mbikëqyrjes parlamentare.

Në anën tjetër, monitoruesit e punës së Kuvendit thonë se legjislatura e tetë është ndër më të dobëtat në histori të Kosovës.

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, thotë për KosovaPress se Kuvendi ka dështuar sa i përket kushtetutshmërisë, ligjshmërisë, transparencës dhe mbikëqyrjes parlamentare.

Kuvendi, në seancën e fundit të mbajtur me 5 dhjetor 2024, ka miratuar 18 ligje, pjesën dërrmuese të tyre me shmangie të rregullores dhe procedurë të përshpejtuar.

Gjashtëmbëdhjetë ligje të miratuara në këtë seancë janë për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese, pas ankesës së PDK-së.

Jakaj thotë se pavarësisht se kjo legjislaturë, në bazë të numrit, ka miratuar ligje më shumë, një gjë e tillë nuk do të thotë se përmbajtja e tyre ka qenë më e mira.

Ai shton se legjislatura e tetë përmban numrin më të madh të ligjeve që janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në krahasim me legjislaturat e kaluara.

Jakaj: Legjislatura e tetë është ndër më të dobëtat në histori të Kuvendit

Kuvendi ka performuar në mënyrë të dobët gjatë katër viteve. Rrjedhimisht mund të konsiderohet se legjislatura e tetë është ndër më të dobëtat të Kuvendit të Kosovës, për disa arsye. E para sa i përket kushtetutshmërisë, ligjshmërisë, transparencës, mbikëqyrjes parlamentare, injorimit të Kuvendit nga ana e qeverisë dhe funksionit zgjedhor. Në anën tjetër, ajo çka e ka karakterizuar punën gjatë këtij sesioni është gjuha joparlamentare, përleshjet fizike që kanë ndodhur në vitin 2023, ndërkohë edhe mosefikasiteti në miratimin e agjendës legjislative. Në momentin kur ka pasur efikasitet, ka pasur edhe parregullsi siç është seanca e fundit kur në procedurë të super shpejtuar janë miratuar ligje...Sasia nuk do të thotë gjithmonë edhe cilësi. Kjo është vërtetuar edhe prej opinioneve të Komisionit të Venecais për reformën në drejtësi, opinionet e IKD-së për reformën në drejtësi dhe disa ligje për administratën publike. Për këto edhe Gjykata Kushtetuese i ka konfirmuar duke i rrëzuar disa ligje tërësisht dhe disa pjesërisht”, thekson ai.

Kritika ndaj pushtetit në Kuvend adreson edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj. Ai thotë për KosovaPress se Kuvendi ka pësuar regres për katër vjet të qeverisë Kurti.

Sipas tij, në ligjbërje ka rënë niveli i shkrimit të ligjeve, s’ka pasur dëgjime publike dhe kontrolli parlamentar ka qenë më i dobët.

Selmanaj: Kuvendi gjatë udhëheqjes së LVV-së ka pësuar regres

“Nëse marrim një analizë të përgjithshme të katër vjet parlamentarizmit në Kosovë, unë mendoj se kemi pësuar një regres. Këtë e them në aspektin e të gjithë funksioneve të Kuvendit. Në ligjbërje ka rënë niveli i shkrimit të ligjeve, pasi na kanë ardhur projektligjet e dobëta. Kjo është konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese ku më shumë se dhjetë ligje i ka rrëzuar. S’janë konsultuar sa duhet edhe akterët e tjerë përmes dëgjimeve publike, të cilat në të kaluarën kanë ndodhur. Po ashtu, nuk janë përfshirë mjaftueshëm grupet e interesit, shoqëria civile, gjatë amendamentimit të ligjeve. Konteksti tjetër, ai i kontrollit parlamentar, për herë të parë gjatë historisë së parlamentarizmit qeveria merr vendim që mos t’i përgjigjet pyetjeve të deputetëve të opozitës. Ky ishte një atak kushtetues dhe kundër mandatit të deputetit...Qasja e kësaj mazhorance ka qenë e dëmshme dhe ka dëmtuar parlamentarizmin”, thekon Selmanaj.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri thotë se mazhoranca e legjislaturës së tetë të Kuvendit ka funksionuar me arrogancë të numrave dhe arbitraritet.

Sipas tij, shumica parlamentare e udhëhequr nga LVV-ja e ka “dështimin më të madh në histori të Kuvendit”.

Tahiri: Pushteti i LVV-së ka funsksionuar me arrogancë të numrave dhe arbitraritet

Legjislatura e tetë me një shumicë parlamentare më të madhe në histori të jetës parlamentare, po ashtu e ka dështimin më të madh në histori të jetës parlamentare. Është një shumicë parlamentare që e ka nisur punën në Kuvend me arrogancë dhe arbitraritet dhe e përfundojë me arrogancë dhe arbitraritet duke thirrur seanca në pikë të natës. Po ashtu, miratoi 18 ligje pa asnjë procedurë parlamentare...Kur bëhet rikapitullim, nota për këtë legjislaturë nuk është notë e cila kalon notën tre”, deklaron Tahiri.

Mirëpo, ndryshe flet deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, sipas së cilit legjislatura e tetë ka qenë më efektive sesa të gjitha legjislaturat e mëparshme.

Ai thotë se mazhoranca ka miratuar mbi 300 ligje, megjithatë shton se Kuvendi ka mundur të jetë “edhe më shumë produktiv”.

Rrustemi thotë se shkak për gjuhën polarizuese në Kuvend janë bërë kauzat të cilat ai i quan fiktive të opozitës.

Duke folur për numrin e madh të rrëzimit të ligjeve nga Gjykata Kushtetuese, Rrustemi i cili është edhe kryetar i Komisionit për legjislacion, deklaron se për disa prej ligjeve s’ka pasur bazë të mjaftueshme të rrëzoheshin.

Përkundër kësaj, ai kritikon edhe Gjykatën Kushtetuese që sipas tij, me vonesat e saj për shqyrtim të ligjeve, i ka humbur shumë kohë partisë në pushtet për realizimin e reformave.

Rrustemi: Legjislatura e tetë e Kuvendit është më efektive se të gjitha legjislaturat e kaluara

Kjo legjislaturë ka mundur të jetë më produktive. Megjithatë pakrahasimisht është më efektive sesa të gjitha legjislaturat e mëparshme. Ne kemi miratuar mbi 300 ligje gjatë këtyre 3 vite e gjysmë e afër katër vite. Kemi thyer rekorde të të gjitha legjislaturave të Kuvendit të Kosovës, madje kjo legjislaturë ka miratuar ligje sa tre legjislaturat bashkë të legjislaturave paraprake. Por jam i bindur se ka mundur të jetë më produktive por shpeshherë debatet parlamentare politike e kanë karakterizuar Kuvendin e Kosovës, në kuptimin e temave ditore...Jam i kënaqur me performancën dhe produktivitetin e ligjeve të miratuara, janë ligje në masë të madhe të reja, që rregullojnë sfera të ndryshme...Opozita e ka përdorur të drejtën procedurale për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese në funksion të vonesave të reformave. Për shembull, Ligji për fondin sovran, një politikë e rëndësishme që do të nxiste zhvillimin ekonomik, e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese që një vit. Kjo është kohë e humbur. Ndërkohë edhe Gjykata Kushtetuese nuk po e ka efikasitetin që pritet nga ajo”, thekson Rrustemi.

Konstituimi i legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës është bërë më 22 mars të vitit 2021.

Sipas Rregullores së Kuvendit, ky institucion pushon punimet një muaj para datës së zgjedhjeve parlamentare.

Kosova mban zgjedhjet e përgjithshme më 9 shkurt - të parat të rregullta që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat