Që nga një janari i vitit të kaluar kur hyri në fuqi heqja e regjimit të vizave të Bashkimit Evropian për Kosovën, raportet zyrtare theksojnë se pati një numër më të madh udhëtarësh drejt vendeve të zonës Shengen. Pati po ashtu një numër të madh të kërkesave për azil dhe vërejte për autoritetet që të punojnë për të frenuar emigrimin ilegal.
Në minutat e parë të 1 janarit 2024, çifti, Zijadin dhe Minavere Ahmeti nga Vitia, ishin kosovarët e parë që hynë pa viza në zonën Shengen, duke i dhënë fund një pritje historike për të udhëtuar pa drejt zonës së bllokut 27 anëtarësh.
Ata ishin në mesin e 50 udhëtarëve të parë, që hynë Vjenë, si pjesë e një programi të Qeverisë së vendit dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.
“Për herë të parë jam duke shkuar në Vjenë, në Austri. Nuk kam qenë asnjëherë, kam parë pak, kam lexua pak, kishte një muze të mirë”, thotë Zijadini për Radio Kosovën.
“Po ndihem shumë mirë, asnjëherë s’kam udhëtuar askund dhe për herë të parë po shkoj në një vend evropian. Është një mundësi shumë e mirë”, tregon Minaverja.
Nga ajo ditë Aeroporti i Prishtinës ka parë fluksin më të madh të udhëtarëve ndonjëherë. Zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara duke folur për Radio Kosovën, ka treguar se gjatë vitit 2024, aeroporti ka regjistruar më shumë se 4 milionë udhëtarë.
Gara thotë se destinacionet më të frekuentuara, janë Zvicra me numrin më të madh të fluturimeve dhe udhëtarëve, më pas Gjermania, Turqia, Austria, aty ku në fakt është më e përqendruar diaspora kosovare.
“Udhëtari i 4 milion-ët me radhë në këto momente (30 dhjetor) shënon një arritje historike për Aeroportin e Prishtinës. Është një shifër rekord”, thotë Gara.
Vetëm në nëntor ka pasur një rritje prej rreth 38 për qind të fluturimeve. “Këto janë shifra që kanë qenë çdoherë në rritje, falë liberalizimit të vizave”, shton Gara.
Megjithatë vitet e izolimit, pengesat në marrje vizash dhe pengesat e gjata, reflektojnë ende zemërimin e shumë qytetarëve kosovarë, si Viloeta nga Prishtina, që tregon për Radio Kosovën, përballjet e mundimshme dhe pritjet për viza.
“Në Evropë kam udhëtuar edhe para liberalizimit të vizave kryesisht për punë, megjithatë ka pasur kosto. Shumë herë me është refuzuar viza pa ndonjë arsye specifike, gjë që ka ndikuar në punën time”, tregon ajo.
“Tani mendojë që fluturimet prej Kosove janë tejet të limituara dhe biletat e shtrenjta, kështu që shpesh zgjedh si alternativë vendet tjera në rajon”, shton Violeta.
Megjithatë derisa zyrtarët flasin për lehtësi, mungesa e anëtarësimit të Kosovës në Kartonin e Gjelbër mbetet një problem i pandryshuar për kosovarët që duan të lëvizin në vendet e BE-së.
E më shumë optimizëm vërehet tek agjencitë turistike. Shkurta Jashanica, menaxhere në një agjenci udhëtimesh në Prishtinë, thotë për Radio Kosovën se liberalizimi i vizave ka ndikuar dukshëm në rritjen e kërkesave për udhëtime drejt vendeve të BE-së.
“Liberalizimi i vizave ka pasur rritje kërkesash të mëdha drejt BE-s,ë dhe kjo rritje padyshim që ka ndikuar edhe në agjenci në aspekte të ndryshme”, tregon ajo.
Lëvizja e lirë pa viza, megjithatë është ndjerë edhe në ekonominë e vendit.
Ndërkohë për njohësin e ekonomisë, Safet Gërxhaliu, procesi i liberalizimit të vizave, është mundësi e mirë në shumë aspekte.
“Në këtë aspekt kemi dështuar nga fakti që nuk kemi arritur t’i bindim qytetarët e Kosovës që ardhmëria duhet të ndërtohet këtu e jo të ikim”, tregon Gërxhaliu për Radio Kosovën.
Ai thotë se duhet që politikat qeverisëse të jenë më produktive në zhvillim ekonomik të vendit. “Duhet të bëhet më shumë sidomos, për përmirësim të imazhit, për stabilitet politik, dhe të motivohen të rinjtë që në Kosovë, mund të ketë ardhmëri”.
Liberalizmi i vizave ka regjistruar gjithashtu një rritje të ndjeshme të kërkesave për azil.
Në raportin vlerësues të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, theksohet se numri i kërkesave për azil nga Kosova në BE, nga janari deri në korrik ishte 3 mijë 905 aplikime, një shifër është dy herë më e lartë se vitin paraprak.
Megjithatë, në raport thuhet se Kosova në përgjithësi vazhdon t'i përmbushë kriteret për liberalizimin e vizave, por që është ende herët të bëhen konstatime të sakta se çfarë ndikimi ka pasur liberalizimi i vizave në kërkesat për azil.