Për efektivitetin e operacioneve në veri gjatë këtij viti, ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, deklaroi se angazhimi ka qenë i nevojshëm. Ai theksoi se disa operacione mund të ishin kryer ndryshe.
“Policia ka qenë shumë e angazhuar në pjesën veriore të vendit dhe ato angazhime kanë qenë të nevojshme për mbulimin e terrenit. Atje ka pasur një vakum institucional dhe Policia ka qenë e detyruar të sjellë policë nga rajonet dhe stacionet tjera, duke e ngarkuar kështu Policinë e Kosovës me shumë punë dhe duke ndikuar në sigurinë e vendit. Pas kësaj, ka pasur më pak policë në stacionet e tjera, ndërsa në veri ka pasur një numër të shtuar të policëve për të mbuluar stacionet, që ka kërkuar operacione të ndryshme. Disa kanë qenë të suksesshme, ndërsa ka pasur edhe operacione që do të ishin realizuar ndryshe. Kjo nuk varet nga policët, por nga hierarkia komanduese dhe menaxhmenti i policisë”, theksoi ish-drejtori i Policisë.
Sipas Qalajt, orari i stërzgjatur në veri ka qenë i rënduar dhe keqmenaxhuar, dhe ka pasur ankesa nga ana e policëve.
“Mendoj që duhet të merret parasysh menaxhimi i orarit të policëve, pasi ka shumë ankesa se ata po punojnë në orar të zgjatur, që ndikon në lodhjen dhe shëndetin e tyre. Duhet të merren masa kreative që policët të jenë në gjendje të kryejnë shërbimet sa më mirë. Menaxhmenti ka përgjegjësinë për të bërë zgjedhjet e duhura dhe për të shmangur oraret e stërzgjatura. Mos të harrojmë se para disa ditëve ndodhi një aksident ku u lënduan gjashtë policë, dhe sipas meje, kjo ka qenë pasojë e orarit të stërzgjatur dhe lodhjes që ndodhi,” theksoi ai.
Sa i përket sigurimit shëndetësor të Policisë, Qalaj tha se në situata të rrezikut të lartë në veri, duhej të merreshin masa të menjëhershme, pavarësisht asaj që thotë Qeveria për proceset ligjore që kërkojnë kohë.
“Mendoj që në situata emergjente, kur policët ballafaqohen me rrezikun e jetës, duhet të shmangen procedurat dhe të rregullohet menjëherë çështja e sigurimit shëndetësor dhe jetësor. Policia e Kosovës ka kërkesa të tjera, përfshirë mirëqenien e tyre dhe plotësimin e nevojave jetike. Po funksionon Policia e Kosovës pa pajisje bazë, pa uniforme dhe këpucë, dhe kjo është turp që të përmendet. Nuk ka reagim nga menaxhmenti, Ministria e Brendshme apo Qeveria. Besoj që kjo çështje do të rregullohet shumë shpejt”, përfundoi Qalaj.