Pas kësaj ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje.
Ata kanë bërë ankesë në PZAP, kundër vendimit për certifikimin e Listës Serbe në emër të KQZ-së, me kërkesën për anulimin e këtij vendimi.
Reagimi i plotë në Facebook:
Ditë më parë KQZ në mënyrë të paprecedent dhe në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, e lejoi Listën Serbe që të marrë pjesë në zgjedhje
Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka dorëzuar përmes postës ankesë në PZAP kundër vendimit për certifikimin e Listës Serbe në emër të KQZ-së, me kërkesën për anulimin e këtij vendimi.
Nxjerrja e vendimit në emër të KQZ-së, por pa miratim të KQZ-së është sulmi i radhës ndaj rendit tonë ligjor për shkak të Listës Serbe. Secili vendim i KQZ-së duhet t'i nënshtrohet votimit nga anëtarët e KQZ-së. Ky vendim nuk është i KQZ-së, sepse nuk është votuar. Është i paligjshëm, sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërsa Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm.
Lista Serbe ka qenë dhe mbetet partia e kryeterroristit Radojçiq. Ajo dikur përdorej nga Radojçiqi kundër shtetit të Kosovës, kurse tani po shërben si struktura që mbron dhe amniston terrorizmin.
Institucionet e pavaruara të Republikës, siç është KQZ jo vetëm që duhet të mbrojnë vlerat si rendi ligjor e kushtetues, por së paku duhet të ruajnë integritetin e tyre institucional. Nuk mund të lejohet që për t'i bërë vend në fletëvotim një strukture që e lufton shtetin e Kosovës dhe merr në mbrojtje terroristët, të shkelet kaq brutalisht Ligji për Zgjedhje dhe çdo praktikë e rregullt.
Andaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes kësaj ankese synon ta prapësojë këtë vendim të paligjshëm, të mbrojë rendin ligjor dhe të pamundësojë certifikimin e Listës Serbe.