Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, paralajmëron ndryshimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Sipas tij, me ardhjen e PDK-së në pushtet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, dialogu siç thotë ai do të resetohet me një lobim intensiv me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës. Përkitazi me këtë, ai thekson se draft-statuti i Asociacionit, i hartuar nga Bashkimi Evropian është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe si i tillë nuk do të merret parasysh.
Lideri aktual opozitarë në një intervistë për KosovaPress e konsideron të domosdoshme rikthimin e dialogut në binarë dhe sipas tij një gjë e tillë arrihet vetëm me PDK-në në pushtet.
“Ne duhet të kemi një resetim të dialogut totalisht. Unë këtë qëndrim ia kam bërë të qartë secilit prej partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë ambasadorëve dhe përfaqësueseve të shteteve të tyre. Ne besojmë se duhet të ketë një qasje të re dhe një afatizim të dialogut...Kjo i bie që të fillohet në qasjen që është dashur dialogut të ketë qysh në fillim që nuk jemi marrë vesh për asgjë derisa nuk merremi vesh për gjithçka. Gabimi strategjik i Albin Kurtit ka qenë që ka filluar të merret me copëza të dialogut, herë me diçka, herë me diçka të tjerë pa arritur të realizojë cilëndo po thuajse... Qasja e vetme që mund të krijojë një momentum të angazhimit të ShBA-së dhe BE-së por edhe të palëve është një qasje që nuk jemi marrë vesh për asgjë derisa nuk merremi vesh për gjithçka. Kjo duhet përfshijë njohjen e ndërsjellë dhe ecjen përpara në anëtarësimin në NATO dhe integrimin evropian”, thekson Krasniqi.
Ai vlerëson se dialogu do të ecë përpara vetëm në kuadër të arritjes së marrëveshjes finale dhe jo e ngjashme sikur ajo e Brukselit dhe aneksit i Ohrit.
“E vetmja gjë që mundet me ecë përpara këtë projekt është një marrëveshje finale. Jo si kjo marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit. Unë nuk po them se kjo nuk ka me na mbet si një barrë, pasi barrë do të jetë...Unë jam i bindur se gjithçka mund të ndryshojë dhe të plotësohet. Por duhet të ketë një qasje proaktive dhe një lobim intensiv. Duhet të jemi te kryeqytetet kryesore të Evropës dhe në Uashington”, shton ai.
Në anën tjetër, kryetari i PDK-së thekson se draft-statuti i Asociacionit i hartuar nga BE-ja është totalisht i papranueshëm pasi krijon autonomi për komunitetin serb në Kosovë.
“Ai dokument nuk mundet me shku tutje sepse është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Vet përfshirja e rezolutës 1244 në preambulë dhe po marrë shembullin e arbitrazhit si mjet dhe proces për të bërë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet Asociacionit dhe organeve qendrore është totalisht i papranueshëm dhe del përtej kushtetutës së Kosovës. Për neve si dokument është i papranueshëm dhe duhet të ndryshojë. Ka qenë e rrugës që vet Qeveria e Kosovës të shkruajë statutin e Asociacionit vet qeveria. Ta bënte si e sheh Kosova brenda Kushtetutës së vet pa krijuar etnitetet të ri, autonomi dhe kompetenca shtesë. Me leju vetëm disa kompetenca shtesë në fusha të specifikuara. Shpërfillja, injorimi dhe tendenca me i mashtru të gjithë e ka sjell që krejt QUINT-i me mbështetë këtë draft”, deklaron lideri opozitarë.
Ai kritikon kryeministrin Kurti se përgjatë katër viteve në pushtet ka dëmtuar raportet me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës.
“Raportet janë më të këqija që i kemi pasuar ndonjëherë. Kryeministri jonë aktualisht e ka vetëm një shok ndërkombëtarë. Ai është kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Ky as me kryeministrin e Shqipërisë nuk flet realisht. Të vetmin njeri që e sheh në takime ndërkombëtare që flasin me njëri-tjetrin është Mickoski i cili fatkeqësisht deri sot është dëshmuar që krejt të arriturat e së kaluarës për popullin shqiptar atje është duke u munduar t’i ç’bëjë. Është fatkeqësi që kemi një kryeministër që katër vjet mandat kurrë s’ka qenë në Shtëpinë e Bardhë”, përfundon Krasniqi.