Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është i bindur se partia që udhëheqë do të dalë fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit. Ai thotë se PDK-ja është kategorike kundër një bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje. Krahas kësaj, Krasniqi i quan jorealiste dhe populiste pretendimet e partisë aktuale në pushtet se në zgjedhje do t’i sigurojnë mbi 500 mijë vota.
Krasniqi në një intervistë për KosovaPress thotë se qeveria Kurti ka dështuar në të gjitha aspektet përgjatë katër viteve në pushtet.
“Partia Demokratike e Kosovës e ka kandidatin më të mirë për kryeministër në garë, po ashtu e ka edhe listën zgjedhore më të mirë që përfaqëson secilin qytetarë të Kosovës. Ne kemi edhe organizimin strukturor më të mirë. Ne kemi qenë të gatshëm për zgjedhje edhe në pranverë, por që nuk u mbajtën. Të gjitha elementet për të qenë fitues të kësaj gare ne i kemi dhe kjo është inkurajuese se po punojmë çdo ditë që të jemi pranë qytetarëve... Dallimi ynë është që ne ju ofrojmë qytetarëve, ndërsa kryeministri ju kërkon. Ju ka kërkuar 500 mijë vota, ndërsa ne besim. S’munden me qenë realiste por megjithatë kjo është garë elektorale dhe deri me datën 9 shkurt kemi me dëgju gjithçka, por jo nga PDK-ja”, thekson Krasniqi.
Ai është i sigurt se PDK-ja do të fitojë edhe më së shumti vota nga diaspora, derisa ironizon me entuziazmin e madh të LVV-së dhe LDK-së për regjistrimin e mërgatës për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Mbi 108 mijë mërgimtarë janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
“Të shohim a na kanë lënë edhe neve ndonjë votë. Ta shohim a do t’i dalin matematikat këtyre dyve. Nëse i ka njëra palë 70 mijë, tjetra 40 mijë ne tjerët nuk po e dina ku jemi. Ju do të befasoheni në momentin kur KQZ-ja t’i numërojë votat. Ne nuk punojmë me mërgatën që një javë, por kemi qenë gjatë gjithë kohës”, shton Krasniqi.
Në anën tjetër, ai paraqet edhe disa prej premtimeve elektorale të PDK-së, derisa thotë se të gjitha janë të realizueshme.
“Është koha që të flet qytetari. Qytetarët do të vendosin kush do të udhëheq bashkë me ne qeverinë në të ardhmen. Unë besoj se është shumë me rëndësi që gara të jetë ferë dhe që të ketë pjesëmarrje të votuesve sa më shumë. Ata me votën e tyre të tregojnë se cili është drejtimi që dëshirojnë t’ia japin Kosovës...Nëse qytetarët janë të vendosur që Kosova mundet me mirë besoj se do të na japin mundësinë që të udhëheqim qeverinë si parti fituese. Nëse qytetarët sot jetojnë më mirë se para katër vjetëve dhe janë të kënaqur me këtë ku është Kosova sot ndoshta e votojnë partinë që e kanë sot. E kanë provuar kryeministrin Kurti dhe shpresoj që si ka mbetur merak askujt më...Ne do të udhëheqim me ata që janë më të përafërt me programin tonë ideologjik, ndërsa me partinë në pushtet kemi dallim të madh dhe nuk e di si do të kishim mundur ndonjëherë me dakordu programin qeveritar”, thotë ai.
Krahas këtyre, ai thotë se Kosova ka stagnuar të gjitha aspektet përgjatë katër viteve të qeverisë Kurti.
“Për këto katër vite kur e shohim në çdo aspekt Kosova është ose më keq, përmirësime minimale ose stagnim, sidomos te fusha e ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve...Ka qenë veprim i mirë shtesat e fëmijëve. Ka qenë veprim i mirë, por edhe këtë nuk e lajnë pa e prish, pasi është një ministër qaraman dhe i vogël në karakter qohet dhe thotë nëse s’doni me i marrë shtesat ju që po na kritikoni. Qeveria është e të gjithëve dhe buxheti është i qytetarëve. Nuk mundesh me u sjell si me pare të babës me ato që je vetëm administrator i tyre”, deklaron ai.
Duke folur për ndërprerjet e shumta të energjisë elektrike ditëve të fundit, Krasniqi e ndërlidh siç thotë me “mafinë energjetike” dhe blerjen e energjisë me kompani të ndërlidhura me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
“Kjo është fatkeqësi sepse vetëm gjatë qeverisjes së Albin Kurtit na janë kthyer reduktimet, vetëm gjatë qeverisjes së tij janë kthyer mungesat e energjisë elektrike dhe janë rritur çmimet në nivele enorme. Më shumë se tri vite kanë kaluar në dimrin e 2021-2022 kur i kam thënë në seancë plenare që këto janë hapur që do të duhej me i ndërmarrë sepse kemi ardhur në këtë situatë që do të na sjell këtu ku jemi sot. Dhe se kam thënë për 2024-2025, por e kam thënë për atë dimër që kaluar të 2021-2022, por edhe unë nuk e kam imagjinuar që Albin Kurti do të shkoj aq larg sa ta rris çmimin e tarifës të energjisë për 100% njëherë e 15% herën e dytë...Unë për vete kam dyshimet e mijë sepse nëse secili njeri tashmë e dinë që personi më i afërt i Kurtit, Martin Berisha që vazhdon të jetë ambasador i Kosovës, përkundër faktit që është kryeprotagonisti i skandalit më të madh financiar dhe korruptim në fushën e energjisë që ka ndodhur në Ballkan ka qenë tashmë e deklaruar dhe e faktuar disa herë se ka marr miliona euro kesh si ndërmjetës në shit-blerjen e rrymës mes Kosovës dhe GEN-it të Serbisë”, përfundon Krasniqi.