Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore, Forumi Intelektual E-30 dhe Lista Ideal, Ramush Haradinaj, ka thënë se sfida e parë e madhe është se si të dilet nga “izolimi e sanksionet e të rirreshtohemi me partnerët strategjikë, posaçërisht SHBA-në”.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se lista e punëve që “duhet t’i kryejmë për ta rikthyer vendin kah e mbara është e gjatë”.
“Të bashkohemi rreth Kosovës Fituese dhe këtë vend ta bëjmë të jetueshëm, e jo të braktisur nga qindra mijëra njerëz që rrugën e mërgimit e shohin shpëtim”, ka thënë Haradinaj.
Postimi i plotë:
VITI I KOSOVËS FITUESE
Të dashur qytetarë,
Me urimet më të mira për një vit të mbarë për ju, Shtetin e Kombin, dua t’iu kujtoj se viti në të cilin kemi hyrë tashmë, do të jetë një vit sfidues për të gjithë ne.
Është obligim yni që Kosovën ta rikthejmë kah e mbara dhe ta bëjmë fituese.
Që të mos na ndodhë që edhe natën e ndërrimit të motmoteve ta presim në terr. Ose që vëllezërit tanë mërgimtarë të detyrohen të kthehen për shkak të mungesës së rrymës.
Që mos e mashtrojmë popullin se për kolapsin energjetik, fajtor është zhvillimi i hovshëm ekonomik.
Që t’mos na ndodhë që t’i mbrojmë hajnat e ta sulmojmë gjyqësorin.
Ku kryeministri e poshtëron sistemin gjyqësor dhe nuk i përgjigjet ftesës së prokurorisë për intervistim.
Sfida e parë e madhe është se si të dalim nga izolimi e sanksionet e të rirreshtohemi me partnerët strategjikë, posaçërisht SHBA. Kosova e ka jetike anëtarësimin direkt në NATO.
Një tjetër sfidë do të jetë rritja e minimumit jetësor, ku nuk mund të këtë pagë mesatare nën 1 mijë e pension nën 500 euro. Apo mbështetja e ekonomive familjare, bizneseve të vogla e deri tek ato të mëdha.
Është e domosdoshme ta ndalim gjakderdhjen financiare të realizuar përmes sistemit të tenderëve njëburimor.
Lista e punëve që duhet t’i kryejmë për ta rikthyer vendin kah e mbara është e gjatë. Të bashkohemi rreth Kosovës Fituese dhe këtë vend ta bëjmë të jetueshëm, e jo të braktisur nga qindra mijëra njerëz që rrugën e mërgimit e shohin shpëtim.