Aktgjykime dënuese e liruese në rastet e krimeve të luftës më 2024, aktakuza në mungesë, fillim i gjykimeve të reja e vazhdim i tjerave

Aktuale

Aktgjykime dënuese e liruese në rastet e krimeve të luftës më 2024, aktakuza në mungesë, fillim i gjykimeve të reja e vazhdim i tjerave

Më: 2 janar 2025 Në ora: 16:32
Foto ilustrim

Vitin 2024 sa i përket krimeve të luftës në Kosovë e kanë karakterizuar ngritja e aktakuzave, fillimi i gjykimeve të reja e vazhdimi i shqyrtimeve tjera, aktgjykime dënuese dhe liruese, si dhe gjykime në mungesë.

Kompetencat për të hetuar krimet e luftës në Kosovë i ka Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimet dënuese që u shpallën për krime lufte gjatë 2024-ës

Gjatë vitit 2024 janë shqiptuar pesë dënime me burgim nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Sepcial, lidhur me gjykimet për krime lufte.

Çedomir Aksiq është dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte në Komunën e Shtimes, konkretisht në fshatrat Reçak, Mulapolc dhe Petrovë. Aktgjykimi ndaj tij u shpall më 26 dhjetor 2024 në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe ishte njëherësh gjykimi i parë i zhvilluar në mungesë, e i cili mori epilog në shkallë të parë.

Sipas aktakuzës, Aksiq së bashku me një grup kriminal, ka marrë pjesë në vrasjen e popullatës civile, dëbimin e banorëve dhe më pas së bashku me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, ua kanë djegur shtëpitë të dëmtuarve, duke shkaktuar dëm moral dhe material deri në 300 mijë euro.

Po ashtu, edhe ndaj Muhamet Alidemajt është shqiptuar aktgjykim dënues me 15 vjet burgim. Ai akuzohej se kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar 130 shqiptarë. Aktgjykimi ndaj Alidemajt u shpall më 12 korrik 2024.

Dushko Arsiq është dënuar me 13 vjet burgim lidhur vrasjen e B.Sh., më 20 prill 1999 në Butovc të Prishtinës, si dhe nën akuzën se kishte maltretuar fizikisht e psiqikisht të dëmtuarin A.K,. I njëjti po ashtu akuzohej se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktgjykimi ndaj Arsiqit u shpall më 2 shkurt 2024.

Ekrem Bajroviq më 19 korrik 2024 është dënuar me 12 vjet burgim për akuzën se si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të popullsisë civile, plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Aktakuza thotë se ishin vrarë 15 persona, si dhe ishin kidnapuar e keqtrajtuar 84 civilë të nacionalitetit shqiptar. Krimet thuhet se janë kryer në Komunën e Istogut dhe fshatrat përreth.

Çaslav Joliqi më 10 qershor 2024 është dënuar me 8 vite burgim për akuzën se gjatë kohës së luftës në Kosovës në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor kundër popullsisë civile. Ai akuzohet për krime lufte të kryera në Komunën e Istogut.

Por, Gjykata e Apelit kishte konstatuar se dispozitivi i vendimit të Themelores është i paqartë dhe në kundërshtim me arsyetimin e tij, se nuk janë dhënë arsye të qarta dhe konkrete për faktet vendimtare të çështjes penale ndaj Joliq, duke e kthyer kështu rastin në rigjykim.

Aktgjykimet liruese në rastet e krimeve të luftës

Më 5 shkurt 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë në mungesë të provave e ka liruar nga akuza Zlatan Arsiqin, i cili akuzohej se kishte kryer masa të dhunshme ndaj popullatës civile në Kamenicë gjatë vitit 1999.

Akuzohej se në Stacionin Policor në Kamenicë, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe, me uniformë të asaj policie e i armatosur, e kishte ndaluar në Kamenicë të dëmtuarin B.M., e kanë rrahur me shufër gome, shqelma dhe grushte, duke e torturuar në mënyrë ç’njerëzore, maltretuar dhe shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe duke e kanosur seriozisht për jetë.

Po ashtu, akuzohej se bashkë me pjesëtarë (tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare), ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj kanë plaçkitur shtëpitë dhe me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ku ua kanë vënë zjarrin, dhe morën pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë.

Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku, më 25 prill 2024 janë liruar nga akuza për krime luftë kundër popullatës civile. Fillimisht, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj 15 të pandehurve por që me aktvendim aktakuza është ndarë në dy akuza, “Drenica 1″, ku bëjnë pjesë Selimi dhe Dermaku, dhe “Drenica 2”.

Ky vendim i Gjykatës Themelore është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit, në të cilin kishte arsyetuar se shkalla e parë lidhur me këtë çështje penale ka dhënë arsyet për faktet vendimtare që kushtëzojnë marrjen e vendimit në përputhje me dispozitat ligjore.

Aktakuza thotë se në kundërshtim me nenin 3 të përbashkët dhe nenin 4 të Protokollit shtesë II dhe të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të brendshëm të armatosur në Kosovë, të pandehurit në cilësinë e pjesëtarëve Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në bashkëkryerje kishin cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një personi nga lagja Shipol në Mitrovicë, i ndaluar në qendrën e ndalimit të Likovcit, duke e rrahur atë në mënyrë të përsëritshme, në një datë të papërcaktuar në muajin gusht ose shtator 1998.

Gjykimet për krime lufte që filluan dhe ato që vazhduan gjatë vitit 2024

Sllavisha Filiq është i akuzuari tjetër i Prokurorisë Speciale, i cili është duke u gjykuar në mungesë. Ai ngarkohet që si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku me dy zyrtarë tjerë të paidentifikuar kishin marrë doktor Hafir Shalën, dhe ndaj të njëjtit janë nënshtruar rrahje dhe tortura, e se nga ajo ditë nuk dihet për fatin e tij.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë gjatë vitit 2024 ka vazhduar gjykimi edhe ndaj Millorad Gjokoviq, i cili  akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë.

Kurse, për Çaslav Joliqin, i cili akuzohet për krime lufte në Komunën e Istogut, rasti është kthyer në rigjykim. Më 23 dhjetor 2024 ishte planifikuar të nisë rigjykimi ndaj tij, por kjo seancë kishte dështuar në mungesë të mbrojtësit të të akuzuarit.

Në anën tjetër, ndaj të akuzuarit Zivojin Nesiq më 11 shtator 2024 ka nisur gjykimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i cili u mbyll për publikun për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe se edhe në aktakuzë u tha se është propozuar që gjykimi të jetë me dyer të mbyllura. Nesiq ngarkohet për krime lufte gjatë periudhës 1999.

Gjatë 2024-ës ka vazhduar gjykimi edhe ndaj Sladan Trajkoviqit, i cili akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999 në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth kësaj komune, individualisht dhe në bashkëkryerje me personat tjerë, ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim në mënyrë ç’njerëzore, mbajtje në kushte skllavërie, dëbimin dhe deportimin e mijërave civilëve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile shqiptare që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

Zoran Vukotiq i cili po ngarkohet me katër aktakuza nga Prokuroria Speciale për krime lufte gjatë viteve 1998-1999, po gjykohet në një lëndë të bashkuar për të katër aktakuzat.

Në aktakuzën e parë, Vukotiq ngarkohet se në mes të datave 2 dhe 3 maj 1999, si zyrtar policor rezervist nga stacioni policor në Vushtrri, në bashkëpunim me persona të tjerë nga radhët e forcave serbe, ka marrë pjesë në sulmin ndaj popullatës civile shqiptare. Sipas kësaj aktakuze, thuhet se gjatë kësaj kohe, popullata civile në mënyrë të qëllimshme u është nënshtruar vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit johuman, vuajtjeve të pafundme, dëbimit, si dhe aplikimit të masave të terrorit.

Në aktakuzën e dytë, Vukotiq ngarkohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në bashkëkryerje me të pandehurin Guroljub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit në policinë serbe, të veshur me uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe, si dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë plaçkitur persona civilë shqiptarë nëpër oborre dhe shtëpitë e tyre. Akuzohet se në bashkëkryerje me Paunoviq, me dashje i rrahin dhe pastaj i vrasin katër personat civilë shqiptarë. Ngarkohet se në mënyrë ç’njerëzore ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve.

Aktakuza e tretë ngarkon Zoran Vukotiqin se në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë, më 18 prill 1999, rreth orës 15:00, në rrugën “Rruga e Sitnicës” tani “Enver Musa”, në afërsi të varrezave të qytetit të Vushtrrisë, i pandehuri në bashkëkryerje me NN personat, në cilësinë e rezervistit të policisë serbe. Ngarkohet se në bashkëkryerje ka vrarë të miturin e nacionalitetit shqiptar të moshës 13 vjeçare, B.M., me armë automatike.

Aktakuza e katërt ndaj Zoran Vukotiq ngarkon atë se ka kryer dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë.

Shqyrtimi ka vazhduar edhe ndaj Dragisha Milenkoviqit, i cili ngarkohet që në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç‘njerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, kabllo elektrike, gypa të ujit, shqelma e grushte, deri në alivanosje.

Më 2024 vazhdoi edhe gjykimi lidhur me masakrën në Burgun e Dubravës, ku Gavrilo Milosavleviq, akuzohet se në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civilë shqiptarë.

Kurse, gjykimi filloi ndaj Millosh Pleskoviq, i cili po ashtu akuzohet se duke funksionuar si grup i armatosur me 7-8 persona të nacionalitetit serb, kanë kryer vrasjen e tre personave dhe plagosjen e tre të tjerëve. Me ç’rast, Pleskoviq akuzohet se ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, duke kryer vrasjen e viktimave.

Tjetër gjykim për krime lufte që filloi gjatë vitit 2024 ishte edhe ai ndaj Shaqir Lutvijës, i cili ngarkohet nga Prokuroria Speciale se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.

Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, i pari ish-kryeshef i stacionit policor në Istog dhe i dyti ish-polic, akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile. Ata ngarkohen për vrasje të civilëve e të burgosurve, dhunime, maltretime, arrestime, torturë, trajtim në mënyre mizore dhe çnjerëzore të popullatës civile. Gjykimi ndaj tyre filloi më 16 shtator 2024.

Gjithashtu, gjykimi nisi edhe ndaj Dragan Miloviq dhe Zoran Kostiq  të cilët akuzohen se gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtarë të forcave policore serbe, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serbë, të veshur me uniformë të policisë dhe të armatosur, kanë marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, plaçkitjen e shtëpive të banorëve shqiptarë, pastaj kanë djegur shtëpitë dhe vrarë civilë të paarmatosur. Në seancën fillestare më 11 qershor 2024, ata janë deklaruar të pafajshëm.

Një tjetër gjykim në mungesë që filloi më 2024 është edhe ai ndaj Millan Jovanoviq, i cili po ashtu akuzohet që si pjesëtar i forcave policore të Serbisë, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, kundër popullatës civile shqiptare në tërë territorin e Kosovës, duke ditur ekzistimin e një sulmi të tillë, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, në bashkëkryerje me personat e tjerë deri tani të paidentifikuar ka kryer dhunim seksual ndaj gruas të nacionalitetit shqiptar.

Në cilësin e ushtarakut rezervist të Serbisë, Dejan Raciq, akuzohet që kundërshtim me rregulltat e të drejtës ndërkombëtare humanitare gjatë sulmit kundër popullatës civile shqiptare në tërë territorin e Kosovës, me përdorimin e dhunës dhe veprime tjera çnjerëzore, kishte kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar. Seanca e 21 shkurtit 2024 ishte mbyllur për publikun për shkak të mbrojtjes së identitetit të viktimës.

Në dhjetor 2024 nisi gjykimi edhe ndaj Sërgjan Lazoviq, i cili akuzohet se në periudhën kohore 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, duke vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar, ka kryer arrestime dhe privim të kundërligjshëm nga liria, keqtrajtime fizike dhe psikike.

Gjykimet në rastet e krimeve të luftës pritet të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2025, e të cilat monitorohen nga Instituuti i Kosovës për Drejtësi.

Ngritja e aktakuzave në mungesë

Gjatë vitit 2024, Prokuroria Speciale ka ngritur disa aktakuza për krime lufte në Kosovë, e në shumicën e tyre i ka propozuar gjykatës që të mbajë gjykimin në mungesë, me arsyetimin se të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë, kurse janë plotësuar kushtet ligjore për ngritjen e aktakuzave në mungesë.

Si shembull mund t’i përmendim disa aktakuza që u ngritën gjatë muajit dhjetor.

Më 19 dhjetor 2024, PSRK-ja ngriti aktakuzë në mungesë ndaj Z.P., të cilin e ngarkon se ka marrrë pjesë në vrasje, plagosje, dëbim masiv dhe plaçkitje të qytetarëve civilë shqiptarë. Më 23 dhjetor 2024, ngriti aktakuzë në mungesë ndaj V.N., për krime lufte në Suharekë.

Po ashtu, më 23 dhjetor Prokuroria ngriti aktakuzë kundër pesë personave, të cilët ngarkohen për vrasjen e tetë civilëve shqiptarë, derisa një prej viktimave thuhet se ishte vendosur në një grumbull drunjsh dhe ishte djegur për së gjalli. Kurse, më 24 dhjetor 2024, ngriti aktakuzë në mungesë ndaj G.V., i cili akuzohet për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Aktakuza e fundit e ngritur gjatë vitit 2024 për krime lufte në Kosovë është ajo e ngritur më 30 dhjetor 2024 ndaj tre personave të cilët ngarkohen për krime lufte në regjionin e Gjilanit.

Kurse, PSRK më 13 maj 2024 ka ngritur aktakuzë në mungesë kundër tre të pandehurve Ljubomir Çimburoviç, ish-drejtor i Burgut të Qarkut në Prishtinë, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, të cilët ngarkohen se kanë kryer maltretime ndaj të burgosurve në Burgun e Prishtinës dhe atë të Lipjanit.

“Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale për të kuptuar se sa aktakuza janë ngritur gjatë vitit 2024, ndaj sa të pandehurve dhe sa prej tyre kanë qenë me propozim për gjykim në mungesë. Mirëpo, deri në publikim të këtij artikulli, nuk kemi pranuar përgjigje.

Kryeministri bëri thirrje për ngritje të kapaciteteve në adresimin e krimeve të luftës

Kryeministri Albin Kurti në një postim në rrjetin social Facebook, më 31 maj 2024 i kishte bërë thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës të rrisë kapacitetet për adresimin e krimeve të luftës.

Sipas tij, janë pesë vjet që sistemi i drejtësisë ka mundur të përdorë aparaturën shtetërore në dispozicion për të ngritur aktakuza për krimet monstruoze të kryera kundër popullit tonë. Ai kishte thënë që Prokuroria Speciale duhet të jetë më aktive e efikase që të sjellë autorët para drejtësisë.

Kurti kishte thënë se aktakuzat e ngritura për gjykim në mungesë për krimet e luftës mund të numërohen në gishta.

“Andaj, bëjmë thirrje sërish që shtylla tjetër e pushtetit në Kosovë, sistemi i drejtësisë, të veprojë, sepse është koha e fundit të sjellin drejtësi për viktimat e luftës. Qeveria ka rritur buxhetin, andaj bëjmë thirrje që Këshilli Prokurorial urgjentisht të rrisë kapacitetet për adresim të krimeve të luftës”, kishte shkruar Kurti.

Por, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) i kishte cilësuar si kundërkushtetuese deklarimet e Kryeministrit Albin Kurtit lidhur me ndjekjen e krimeve të luftës.

Sipas PSRK-së, deklarimet e Kurtit janë në kundërshtim edhe me standardet ndërkombëtare për pavarësinë e gjyqësor që minojnë besimin e publikut në punën e Prokurorit të Shtetit në përgjithësi dhe të Prokurorisë Speciale në veçanti.

Prokuroria Speciale kishte theksuar se vazhdon të përballet kapacitete të pamjaftueshme të kuadrove, profesionale dhe financiare, si pasojë e buxhetit të pamjaftueshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat