Gjatë vitit 2024, 9 lokacione janë gërmuar, duke çuar në zhvarrosjen e mbetjeve mortore dhe identifikimin e 13 viktimave.
Anëtari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara në një intervistë për Dukagjini ka theksuar se gjatë vitit 2024, komisioni është përballur me sfida të mëdha, përfshirë mungesën e informacionit të besueshëm dhe politizimin e procesit nga institucionet e Serbisë.
Megjithatë, sipas Garës, bashkëpunimi i pandërprerë me familjet e të zhdukurve, shoqatat familjare dhe partnerët ndërkombëtarë ka sjellë rezultate pozitive në drejtim të drejtësisë dhe të vërtetës.
”Përmes bashkëpunimit të pandërprerë me familjet e të zhdukurve, shoqatat familjare, mbështetjen institucionale dhe përkrahjen nga partnerët tanë vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe përkushtimit të stafit e secilit zyrtar të institucioneve të angazhuar në këtë proces, kemi bërë hapa domethënës drejt drejtësisë dhe të vërtetës, drejt respektimit të një të drejtë elementare të familjeve, siç është e drejta për të ditur”, ka thënë Gara.
”Me qëllim të një koordinimi më të mirë dhe funksionimit si një ekip, krahas takimeve të KQPZH-së, kemi vazhduar me praktikën e takimeve të rregullta me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Sektorit për Persona të Zhdukur kuadër të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në veçanti në adresimin e informatave dhe realizimin e vlerësimeve të nevojshme në terren”, ka thënë ai.
Gjatë vitit, Gara ka thënë se janë realizuar 33 operacione fushore, duke përfshirë gërmime në 23 lokacione brenda Kosovës, ku janë zbuluar mbetje mortore të 13 individëve.
”Të gjitha lokacionet e adresuara në kuptim të gërmimit vlerësues, paraprakisht nënkuptojnë një sërë hapash/aktivitete të ndjekura, në respektim të legjislacionit në fuqi, përfshirë këtu edhe sigurimin dhe trajtimin e informatave, vizitat e nevojshme në terren, shënjimi i lokacionit, sigurimi i urdhëresave nga gjykata kompetente, përmes prokurorëve për krime lufte”.
“Nga 23 lokacionet në fjalë, vetëm 9 prej tyre kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosje të mbetjeve mortore. Sipas ekspertëve mjekoligjor nga këto lokacione janë zhvarrosur 13 individë (megjithatë kjo e dhënë mund të konfirmohet vetëm pasi të përfundojnë të gjitha procedurat e nevojshme të ekzaminimit mjekoligjor përfshirë edhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së)”, ka thënë Gara për Dukagjinin.
Në lidhje me lokacionet në Serbi, përkundër dakordimeve, Gara ka thënë se nuk ka pasur përparim në gërmime.
”Gjatë dy takimeve të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, të mbajtura në Gjenevë me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe dy takimeve të Nëngrupit Punues për Mjekësi Ligjore, të mbajtura në Prishtinë po ashtu me ndërmjetësimin e KNKK-së, ka pasur dakordim që të vazhdohet me gërmimet vlerësuese në tri lokacione në territorin e Republikës së Kosovës dhe në tri lokacione në territorin e Serbi (përfshirë lokacionin në Batajnicë, lokacioni në Kozarevë dhe lokacioni në Kozhle)”.
”Përderisa në lokacionet brenda territorit të Republikës së Kosovës, janë kryer vlerësimet e nevojshme, në lokacionet brenda territorit të Serbisë përkundër dakordimeve nuk ka pasur ftesë për vlerësim në lokacionet në Batajnicë dhe Kozarevë (në këtë lokacion përjashto një vizitë të përbashkët e realizuar më 18 tetor 2023). Ndërsa në lokacionin në Kozhle (në afërsi të një ‘deponie’) janë realizuar aktivitetet me qëllim të pastrimit apo përgatitjes së terrenit dhe në kohën kur pritej datat e fillimit të vlerësimeve, edhe ky rast/lokacion është bartur në vitin 2025 nga pala serbe”, ka thënë ai.
Gara tutje ka thënë se krahas dakordimet për lokacionet e lartcekura, ”gjatë takimeve të Grupit Punues, që janë zhvillim i rëndësishëm i këtij viti meqë mbahen pas më shumë se dy vite mos-mbajtje të takimeve të Grupit Punues për shkak të mos-reflektimit të palës serbe, sipas kërkesës së Kryeministrit të Republikës së Kosovë, për ndryshimet e nevojshme në përbërjen e Delegacionit të Serbisë –në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur (përkatësisht kryetarit të Delegacionit të Beogradit, për shkak të kaluarës së tij përkatësisht përgjegjësisë së tij gjatë luftës në Kosovë)”.
”Delegacioni gjatë dy takimeve, ka prezantuar rreth 20 raste/lokacione (të përmbledhura në vijim), në formë të kërkesave me qëllim të prioritizimit, si kërkesa për qasje në arkivat (Arkivat e Brigadës së Motorizuara 37 të ish-Ushtrisë Jugosllave; arkivat e Brigadës së Motorizuar 549 të ish-Ushtrisë Jugosllave), rikthimi në lokacionet e konfirmuara si varre masive në territorin e Serbisë (si Batajnica, Bajna Bashta, Petrovosello), vazhdimi i vlerësimeve apo fillimi i vlerësimeve në disa lokacione (si Surdulica, Kozareva, Banja, Kozhle, Jallovishta), çështja e furrnaltave (si Bor, Mackatica, Trepca, Ferronikeli), rastet e zhdukjes në grup që nuk ka asnjë identifikim Rasti i Intelektualëve, Masakra e Tërnjes dhe Pokleku i Ri), rastet individuale (Profesor Ukshin Hoti, Dr.Hafir Shala, z.Xhavit Haziri, znj.Sahide Metushi/Masakra e Reçakut, z.Albion Kumnova), dhe rastet e fëmijëve të zhdukur.
Komisioni qeveritar gjithashtu ka bërë kërkesa për prioritizim të rasteve të lartcekura. Gara ka thënë se janë adresuar edhe në kuadër të takimeve rajonale, të organizuara nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, në zbatim të Planit Kornizë Rajonal për adresimin e çështjes së personave të zhdukur gjatë luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë, ku gjatë këtij viti janë mbajtur tri takime të Grupit Rajonal për Persona të Zhdukur, përfshirë edhe takimin e bashkë-kryesuar mes Komisionit Qeveritar të Republikës së Kosovës dhe Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (mbajtur në Hagë, më 9 shtator 2024).