Aksione, bastisje, reagime ndërkombëtare, përkujtime e nderime për policët e rënë në krye të detyrës. Këto e karakterizuan punën e Policisë së Kosovës përgjatë vitit 2024. Fillimi i vitit ishte më i qetë në aspektin e sigurisë, ndërsa në fundvit Policia mori vendim për shtim të masave.
Viti 2024 shënoi 25-vjetorin e Policisë së Kosovës. Çerekshekulli për institucionin parësor të sigurisë, i themeluar para 25 vitesh si Shërbimi Policor i Kosovës.
Në krye të detyrës për më shumë se dy dekada. Ashtu ishin edhe përgjatë këtij viti rreth 9 mijë e 700 forca policore, sa numëron ky institucion sot.
448 kadetë iu bashkuan radhëve të Policisë së Kosovës në gusht të këtij viti. Prej tyre, çdo e 5-ta është grua.
Uniformën e Policisë së Kosovës këtë vit e veshën edhe një grup i fëmijëve që vinin nga komunitete të ndryshme në Kosovë.
Ata morën detyrat e tyre dhe dolën në terren, me qëllim të njoftimit me punën policore në komunikacion, në fillim të vitit të ri shkollor.
Ndërsa një grup i zyrtarëve policorë, hoqën dorë nga uniforma e Policisë.
Pas dorëheqjeve të zyrtarëve policorë serbë, në 3 konkurse të Policisë së Kosovës këtë vit u rekrutuan 170 zyrtarë policorë, prej tyre 12 dhanë dorëheqje pas presioneve nga grupe të ndryshme të interesit dhe grupet kriminale, duke i shantazhuar e kërcënuar në forma të ndryshme.
E ata që më nuk janë pjesë e Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë që ranë në krye të detyrës, u përkujtuan e u nderuan në përvjetorin e rënies.
Në datën e lindjes së policit Enver Zymeri, në vendin e rënies u përurua lapidar në nderim të veprës së tij.
E një vit pas sulmit në Banjskë, me homazhe u kujtua rreshteri Afrim Bunjaku që ra duke mbrojtur sovranitetin e vendit.
Segmentit Ballaban-Banjskë iu vendos emri i heroit Afrim Bunjaku. Tabela që shënon emrin e rrugës, u zbulua në njëvjetorin e rënies, pikërisht aty ku rreshteri Bunjaku u vra nga grupet kriminale serbe.
Njësitet e Specializuara të Policisë së Kosovës realizuan disa aksione, bastisje e operacione policore gjatë vitit 2024.
Gjatë këtij viti, Policia e Kosovës mbylli nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, përmes një aksioni.
Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq u mbyllën tri objekte, në Zveçan dy dhe një në Zubin Potok.
Aksioni nisi pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operonin operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk ishin të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë.
Këto aksione nxitën reagime të ashpra të Bashkësisë ndërkombëtare.
Qeveria amerikane reagoi karshi veprimeve të cilat i cilësoi të njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës kundër degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës, raporton RTKlive.
SHBA-ja i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që t’u japë fund veprimeve të njëanshme dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për t’i zgjidhur çështjet e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkohë, edhe BE-ja tha se veprimet e autoriteteve të Kosovës janë të pakoordinuara dhe se nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë dhe çështje të tjera, që i përkasin procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.
Por vetëm pak ditë më vonë, autoritetet kosovare i mbyllën edhe pesë institucione paralele serbe në veri të vendit më 30 gusht.
Qarkut të Mitrovicës së Kosovës, komunave paralele të Mitrovicës, të Zveçanit, Zubin Potokut dhe të Leposaviqit iu vu dryni.
Edhe ky aksion bëri që të reagojë Ambasada Amerikane në Prishtinë.
Madje, ky ishte një ndër reagimet më të ashpra nga SHBA-ja, ku kritikoi Qeverinë se po e përdor Policinë për të kryer "veprime të pakoordinuara".
Po këtë vit, më herët u mbyllën komuna paralele serbe në pjesë tjera të vendit.
Në Gorazhdec u mbyll komuna ilegale e Pejës, në Osojan komuna paralele e Istogut dhe në Videjë komuna paralele e Klinës.
Por, aksionet e Policisë së Kosovës jo çdoherë lidheshin me struktura paralele.
Zbatuesit e ligjit ishin aty, sa herë që ligji shkelej. Një aksion i madh u realizua në rajonin e Dukagjinit në shtator të këtij viti. Njësiti policor antidrogë zbarkoi në fshatin Sferkë të Pejës.
Njësitet policore hasën në një mal të mbjellë përplot me marihuanë. Aty Policia e Kosovës sekuestroi të gjitha bimët narkotike që arrinin peshën deri në një ton. Ndërsa vlera monetare e këtyre bimëve, kapte shifrën e 5 milionë eurove. Pas sekuestrimit, të gjitha u asgjësuan.
Ky u vlerësua si një ndër aksionet më të mëdha të Njësitit antidrogë të Policisë së Kosovës në rrafshin e Dukagjinit.
Përveç Njësitit Antidrogë, në korrik të këtij viti u aktivizua Njësiti i çminimit, pasi buzë Liqenit të Ujmanit u hodh një mjet shpërthyes.
Ndërkohë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës po kryenin detyrat e tyre gjithandej nëpër Kosovë, jo rrallë herë ishin cak i sulmeve.
Në prill të këtij viti, një hetuesi policor nga komuniteti serb iu dogj vetura në veri të Mitrovicës. Policia tha se zjarrëvënia ishte e qëllimshme.
Më 26 nëntor, pas mesnate u hodhën dy granata dore në drejtim të stacionit policor në Zveçan.
Zyrtarët policorë nuk u lënduan nga shpërthimi, por objekti i Policisë atje nuk shpëtoi pa dëme materiale.
27 nëntor, pas mesnate; Policia sërish në terren. Një tjetër granatë dore u hodh në Zveçan. Kësaj radhe në objektin e Komunës, duke dëmtuar edhe disa vetura përreth.
Sulmet vazhduan, ndaj edhe Policia shtoi forcat, jo vetëm në veri të vendit, por në nivel vendi.
Fundi i 2024-s e gjeti Kosovën nën masa të shtuara të sigurisë.
Vendimi u mor mbrëmjen e 29 nëntorit, pasi disa ditë radhazi po sulmoheshin institucionet e Kosovës.
E gjithë kjo me qëllim të shtimit të sigurisë publike dhe parandalimit të incidenteve të natyrave të ndryshme.
Megjithatë, një tjetër shpërthim u dëgjua. Kësaj radhe nuk bëhej fjalë për granata dore, por për rreth 20 kg eksplozivë.
Kur nuk kishte kaluar as një orë e plotë nga vendimi për shtim të forcave, sulmi i përmasave shumë më të mëdha ndodhi.
Cak ishte infrastruktura kritike e Kosovës. Kanali kryesor i Ibër Lepencit u dëmtua rëndë me eksploziv.
Pas mesnatës u mbajt mbledhje urgjente e Këshilli të Sigurisë së Kosovës.
Aty u aprovuan masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene e kanale. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës u aktivizuan në terren për këtë qëllim.
Varraga u blindua. Për disa ditë rresht, fshati u bastis nga njësitet e specializuara të Policisë së Kosovës.
U aktivizua edhe njësiti K-9. U arrestuan disa persona e u gjet armatim.
Zolla, uniforma ushtarake, municion të kalibrave të ndryshëm.
Të gjitha u ekspozuan në kampin e Njësisë Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë. Me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Jovan Viqentijeviq dhe Dragisha Viqentijeviq, dy vëllezërve serbë, iu caktua masa a paraburgimit për 30 ditë, si të dyshuar për përfshirje në sulmin në Ibër-Lepenc.
Derisa hetimet për sulmin vazhdojnë, mbrëmja e 29 nëntorit të vitit 2024 do të mbesë në kujtesën e qytetarëve e në historinë e Kosovës, si një ndër kërcënimet më të mëdha ndaj një shteti të pavarur.