Hapet aplikimi online për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës

Aktuale

Hapet aplikimi online për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës

Më: 3 janar 2025 Në ora: 11:11
Foto ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka filluar periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve për vëzhgimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Për të lehtësuar aplikimin, KQZ ka funksionalizuar platformën online: https://vezhgo.kqz-ks.org

Subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve brenda afateve, si në vijim:

Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike të certifikuara do të përfundojë më 15 janar 2025;

Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore do të përfundojë më 25 janar 2025;

Afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e vëzhguesve të organizatave qeveritare – ndërqeveritare do të përfundojë më 25 janar 2025;

Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare do të përfundojë më 4 shkurt 2025;

Afati për dorëzimn e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të përfaqësive të vendeve të huaja do të përfundojë më 25 janar 2025;

Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të organizatave ndërkombëtare do të përfundojë më 25 janar 2025.

Si do të bëhet aplikimi?

KQZ ka funksionaluzuar platformën elektronike https://vezhgo.kqz-ks.org, përmes së cilës do të mundësohet aplikimi online.

Të gjitha subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje, KQZ, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) iu ka krijuar dhe dërguar ‘Userët’, përmes të cilëve mund të qasen në platformë dhe të ngarkojnë aplikimin për akreditimin e vëzhguesve.

Gjithashtu, KQZ, përmes Zyrës do të krijojë ‘Userët’ edhe për OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja.

Kërkesën për ‘User’ duhet ta paraqitni në e-mail adresën [email protected] dhe duhet të përmbajë këto të dhëna:

Emri i organizatës / medias;

Emrin dhe mbiemrin e përfaqësuesit të autorizuar;

E-mail adresën e përfaqësuesit të autorizuar;

Numri kontaktues i përfaqësuesit të autorizuar.

Për më shumë informacione, mund të kontaktoni në këtë numër +383 38 200 81 010, i qasshëm nga ora 08:00 deri në orën 16:00.

Vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund t’i vëzhgojnë Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025 dhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat