17 vrasje ndodhën më 2024, pati edhe dënime të shkallës së parë me burgim të përjetshëm

Aktuale

17 vrasje ndodhën më 2024, pati edhe dënime të shkallës së parë me burgim të përjetshëm

Më: 3 janar 2025 Në ora: 12:37
Foto ilustrim

Edhe gjatë vitit 2024 kanë vazhduar gjykimet dhe rigjykimet për vrasje ku gjykatat kanë shqiptuar edhe dënime me burgim të përjetshëm si në rastin e Edmond Lajqit. Ka pasur rigjykim për rastin e vrasjes së Marigona Osmanit e s’ka ende aktakuzë ndaj të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt. “Betimi për Drejtësi” sjell të përmbledhura rastet e të akuzuarve për vrasje gjatë vitit 2024.

Edmond Lajqi është dënuar më 2024 me burgim të përjetshëm për vrasjen e gruas së tij. Dënimi është shqiptuar në shkallën e parë pasi e ka pranuar fajësinë dhe ka kërkuar falje për veprimin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktakuzës, Lajqi e kishte qëlluar në pjesën ballore të kokës gruan e tij Gj.U. Pastaj kishte telefonuar policinë duke u thënë: “E vrava gruan dhe çoje një patrullë të Policisë”.

Lajqi me 24 dhjetor 2024 e ka pranuar fajësinë për vrasje e gruas, duke kërkuar falje për veprimin e ndërmarrë, ku gjykata më 27 dhjetor 2024 i shqiptoi dënim me burgim të përjetshëm.

Vrasje tjetër e gruas është kryer edhe në qytetin e Ferizajt dhe atë në Qendrën për Punë Sociale. Valon Aliu akuzohet se vrau ish-bashkëshorten dhe kishte plagosur vëllain e saj. Në aktakuzë thuhet se Aliu kishte arritur ta godasë E.C me armë në gjoks dhe në kokë. Në seancën e datës 8 tetor 2024 Aliu ishte deklaruar i pafajshëm.

Vitin 2024 e karakterizoi për vrasje edhe kthimi i çështjes në rivendosje nga Gjykata e Apelit  ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut të akuzuar për vrasjen e tani të ndjerës Marigona Osmani gjatë vitit 2021.

Edhe pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Ferizaj më 29 korrik 2024 sërish vendosi që Krivaqës t’i shqiptojë dënim me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë duke e liruar nga akuza për dhunim, ndërkaq Sejdiun me 15 vite burgim për ndihmë në vrasje të rëndë, e duke e liruar për ndihmë në dhunim.

Sipas aktakuzës, Krivaqa dhe Sejdiu ngarkohen se kishin goditur tani të ndjerën Marigona Osmani me shkop duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike duke pësuar thyerje të brinjëve, nofullës dhe thyerje të tjera, duke i sjellë kështu vdekjen në fund.

Rasti tjetër i vrasjes së gruas është edhe ai i Liridona Ademajt, ku i arrestuar është burri i saj Naim Murseli si dhe Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava si dhe T.D.

Ende nuk ka nisur procesi gjyqësor pasi që Prokuroria Themelore në Prishtinë edhe pse kanë kaluar mbi një vit ende nuk ka ngritur aktakuzë.

Nuk dihen motivet se pse ka ndodhur vrasja e Ademajt, e cila kishte nënshtetësi suedeze bashkë me burrin e saj dhe dy djemtë. Në këtë rast të dyshuar për vrasjen e Ademajt, janë bashkëshorti i saj Naim Murseli si i dyshuar se organizoi vrasjen, Granit Plava, Kushtrim Kokalla

Pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë vijoi procesi gjyqësor për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, ku pritet të jepet mbrojtja nga të akuzuarit Jeton dhe Nexhat Vallasaliu.

Dy vëllezërit akuzohen për vrasje të rëndë dhe dëmtim të varreve apo kufomave, ku gjithnjë sipas aktakuzës pas vrasjes kufomën e të ndjerit Rexhepit e kishin lidhur me litar dhe më pas me qëllim të humbjes së gjurmëve për vrasjen e bërë e kishin varrosur në një vend që nuk është vendvarrim.

Në Prishtinë po ashtu po vazhdoi gjykimi ndaj Dibran Hoxhës i njohur me nofkën “Kobra City” i akuzuar për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë shkaku i një fature në lokalin e tij të natës”.

Me nga 16 vite burgim, Gjykata i dënoi Arlind Ahmetin dhe Agron Vllasaliun duke ua ricilësuar veprën penale nga vrasje e rëndë në shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Sipas aktakuzës në këtë rast thuhej se pas marrëveshjes paraprake mes vete të akuzuarit kishin privuar nga jeta para kafenesë “Francisko” N.S., e duke rrezikuar jetën tani të dëmtuarve, Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R. K. dhe Mërgim Kqiku.

Gjithashtu, gjykimi ka vazhduar edhe ndaj Besnik dhe Ilaz Saliut për vrasjen e 63-vjeçarit në Dumnicë të Epërme të Podujevës, po ashtu edhe ndaj Orges Zhugollit i akuzuar për vrasjen në Gllamnik vrasje kjo që sipas aktakuzës ndodhi pas konflikti në komunikacion.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 maj 2024 e ka dënuar Enver Sekiraqën me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza. Sekiraqa gjendet ende në arrati.

Për vrasjen e Triumf Rizës po mbahet gjykimi edhe ndaj Ilir Abdullahut, i cili ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat e Prokurorisë Speciale për vrasje të rëndë. Edhe ndaj Avni Mustafës, Mustafë Mustafës dhe Leutrim Mustafës vazhdoi gjykim për vrasjen në Dragodan.

Andi Pajaziti në Gjykatë po ballafaqohet me akuzën për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendjen të tronditjes së fortë mendore” për vrasjen e ndodhur në gusht të 2023-ës në lokalin Bon Vivant.Për vrasjen e policit në Zllatar gjithashtu vazhdoi gjykimi ndaj të akuzuarit Fatlum Mehmetit, ku sipas aktakuzës thuhet se si zyrtar policor Mehmetit me qëllim që të vendos në xhaketë armën dhe duke u munduar të heq karikatorin, shkakton të shtënë dhe godet policin L.H.

Ndërkaq me 22 vite burgim u dënuan të akuzuarit për vrasje e politikanit Oliver Ivanoviq.

Seria e gjykimeve të vrasjeve gjatë vitit 2024 vijoi, ku Apeli ka vërtetuar vendimin e Themelores në Ferizaj për dënimin me 17 vite burgim ndaj Qëndrim Januzit ku iu kishte ricilësuar vepra nga vrasje e rëndë në vrasje, e ndodhur para marketit “Euro Market”, ku kishte mbetur i vrarë G.H.

Apeli kishte vërtetuar edhe dënimin prej 18 vitesh burgim ndaj Dardan Shabanit për vrasjen në “n’Konak” në Ferizaj ku kishte mbetur i vrarë E.I.

Më 2024, Gjykata Supreme ka ndryshuar vendimin me të cilin i ishte vërtetuar dënimi me burgim të përjetshëm Gani Kriezit, për vrasjen e vëllait dhe djegien e kufomës së tij. Shkalla e tretë, më 9 korrik 2024 mori vendim me të cilin ia uli dënimin në 35 vjet burgim të akuzuarit Kriezi.

Gjykimi për vrasjen e trefishtë në Gllogjan vazhdoi pranë Gjykatës Themelore në Pejë ndaj Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, ku në natën kritike sipas aktakuzës kishin mbetur të vrarë G.GJ dhe nxënësit L.H (17 vjeçar) dhe G.M (17 vjeçare).

Gjykimi ndaj Tush Frokajt për vrasjen e dhëndrit me 7 plumba vazhdoi gjithashtu në Gjykatën Themelore në Pejë.  Kurse, në Klinë nga të shenjtat me armë gjatë 2024-ës mbetën të vrarë dy persona.

Tutje, për vrasjen në Shaptej të Deçanit vazhdoio gjykimi ndaj dy të akuzuarve Durim dhe Sali Lushaj.

Me 19 vite e 6 muaj burgim u dënua nga Gjykata e Pejës i akuzuari Shpejtim Knushi për vrasjen shkaku i mosmarrëveshjes për kabllo elektrike në Dujakë të Gjakovës.

84 vjet burgim Gjykata e Pejës shqiptoi ndaj pesë të akuzuarve Nderim, Basri, Agron, Ardit dhe Bahri Gashi për vrasjen e 23 vjeçarit në Volljakë të Klinës, e me 25 vite burgim u dënua i akuzuari Urim Hyseni për vrasjen e nënës së tij në mënyrë mizore në Pejë.

Në rigjykim, sërish është dënuar me 23 vite burgim Binak Panxha për vrasjen e dyfishtë në Kosuriq të Pejës, ndërkaq Gjykata në Mitrovicë kishte liruar të akuzuarin për vrasje të rëndë në Pejë, Nimon Berisha.

Gjykata në Pejë, po ashtu, në rigjykimin e dytë kishte vendosur të dënojë me 15 vite burgim të akuzuarin Asllan Nikqi për vrasjen e vëllait të tij me bisht të sëpatës dhe atë për motive pronësore.

Kurse, Gjykata Themelore në Gjakovë me 36 vite burgim kishte dënuar Enver dhe Emir Sylkën për vrasjen e ndodhur në Rahovec.

Ndërkaq, nëntë të akuzuarit Xhavit Gashi, Fatmir Gashi, Kastriot Gashi, Asdren Gashi, Naim Gashi, Dardan Krasniqi, Labinot Krasniqi, Qendrim Krasniqi dhe Arsim Morina, ishin deklaruar të pafajshëm për rastin e vrasjes në Balincë të Malishevës.

Ndaj të akuzuarit B.B Gjakova i kishte shqiptuar dënim prej 21 vite burgim për vrasjen axhës së tij në Kijevë të Malishevës, ndërkaq në rigjykim Gjykata Themelore në Gjakovë e ka dënuar me 10 vite burgim të akuzuarin Prek Gjugja për vrasjen në Marmullë të Gjakovës.

Në Mitrovicë për vrasjen e ndodhur në viitin 2021, ndaj të akuzuarve Leotrim Selimi dhe Bejtë Hasani, ka vijuar rigjykimi ku më 30 dhjetor 2024 është  shpallur aktgjykim dënues ku Selimi u dënua me 21 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa Bejtë Hasani u dënua me dënim unik prej 7 vjet e 6 muaj burgim.

Gjykimi vazhdoi edhe ndaj Erdian Jahiroviq për vrasje e të vëllait. Ndërkaq dënim me 39 vite e 6 muaj burgim për vrasjen e 2022-ës në Baks të Skenderajt u shqiptua ndaj të akuzuarve Shukri dhe Rexhep Rexhepi.

Në Gjilan vazhdoi procesi për vrasjen në fshatin Sadovinë e Çerkezëve të Vitisë për motive pronësore. Gjithashtu procesi gjyqësor për vrasjen me thikë në Tranzitin e Ri në Prizren vazhdoio ndaj të akuzuarve Orhan dhe Albert Ademaj.

Po ashtu, në Prizren vazhdoi gjykimi ndaj Haxhi Selmanajt për vrasjen ndaj tani të ndjerin E.K, ku sipas aktakuzës vrasja ndodhi pas një mosmarrëveshje, ku fillimisht ka ardhur deri te konflikti fizik në mes të akuzuarit dhe dëshmitarit Z.K, vëllai i të ndjerit, e më pas, i akuzuari e kishte goditur me thikë viktimën.

Sipas statistikave të publikuara nga Policia e Kosovës, gjatë vitit 2024 kanë ndodhur 17 vrasje, krahasuar me vitin paraprak, ku kishin ndodhur 29 vrasje. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat