“Kosova t’ia lërë topin Serbisë”/ Ekspertët: Nëse përmbush detyrimet në 2025, presioni do jetë mbi Beogradin!

Aktuale

“Kosova t’ia lërë topin Serbisë”/ Ekspertët: Nëse përmbush detyrimet në 2025, presioni do jetë mbi Beogradin!

Më: 3 janar 2025 Në ora: 13:23
Edward Joseph

2024 konsiderohet si viti maratonik i zgjedhjeve që sollën ndryshime në administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atë të Bashkimit Evropian.

Në Kosovë, pritjet janë që këto ndryshime do të sjellin lëvizje pozitive në proceset e integrimit e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Megjithatë, njohësit ndërkombëtar nuk presin që Kosova dhe Serbia të jenë lartë në agjendën e administratave të reja, aq më pak në atë të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.

“Nuk mendoj që Ballkani do të bëhet prioritet i madh, por presidenti Trump është i familjarizuar me Ballkanin, është i familjarizuar me Kosovën dhe Serbinë, sepse e ka arritur marrëveshjen e Uashingtonit me ish-kryeministrin Hoti dhe presidentin Vuçiç. Pra është i familjarizuar me ta dhe e ka përmendur para zgjedhjeve. Janë të vetëdijshëm për këtë, do të shtyjnë disa projekte infrastrukturore mund t’i shtyjnë, këtë korridorin e tetë që është projekt strategjik”, shprehet Edward Joseph.

Po ashtu, në vitin 2025, nuk pritet ndonjë rezultat konkret në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Por, profesori amerikan thotë se qasja duhet të ndryshojë për faktin se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për veprimet destabilizuese.

“Serbia duhet të mbahet përgjegjëse, kështu që nuk duhet të vazhdohet tutje, përderisa vetëm Kosova mbahet përgjegjëse dhe ka masa ndëshkuese dhe Serbia nuk mbahet përgjegjës dhe duhet të ndalohet kjo”, thotë Joseph.

Përpos kësaj, njohësit e shohin të nevojshme edhe ndërmarrjen e veprimeve në drejtim të normalizimit edhe nga ana e Kosovës, siç  kërkohet me nisjen e procedurave për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Unë shpresoj që do të ketë lëvizje në drejtim të implementimit të marrëveshjeve të arritura në mënyrë që topi t’i ngelet në fushë Serbisë dhe ajo pastaj të ketë presion për të implementuar pjesën e saj të marrëveshjeve dhe jo të qëndrohet ne status quo, të qëndrohet në vendnumëro e cila nuk është në të mirën e popullit të Kosovës”, tregon Adrian Shtuni, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Kërkohet mes tjerash edhe një reflektim nga qeveritarët në Kosovë, pasi që konsiderohet se në këtë pikë, Kosova po humb qoftë kredibilitetin por edhe përfitimet që vijnë nga Bashkimi Evropian.

“Nuk mund të ia lësh në derë Bashkimit Evropian obligimin që e ke ti dhe që ta kanë bërë të qartë për një kohë shumë të gjatë se çfarë duhet të bësh në mënyrë që ato sanksione të largohen. Shpresoj që do ketë vetëdije, do të ketë sinqeritet në komunikim me publikun nga ana e kujtdo qeverie që do të vijë nesër”, shprehet Shtuni.

Përgjatë vitit 2024, Kosova dhe Serbia zhvilluan dialog teknik derisa nga Bashkimi Evropian kërkohej zbatimi i marrëveshjes bazike për normalizim të marrëdhënieve dhe aneksit të saj të Ohrit.

Në këtë pikë, për më shumë se një vit, Kosova është e sanksionuar nga Bashkimi Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat