​Kur do të vendosen të burgosurit danezë në burgun e Gjilanit?

Aktuale

​Kur do të vendosen të burgosurit danezë në burgun e Gjilanit?

Më: 3 janar 2025 Në ora: 13:57
Foto ilustrim

Marrëveshja e bashkëpunimit për burgjet pritet të nënshkruhet së shpejti në mes të Kosovës dhe Danimarkës. Pas kësaj, janë dy vjet afat për institucionet e vendit që të bëjnë përshtatjen e burgut të Gjilanit me rregullat daneze. Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani deklaron se në fillim do të pranohen 100 të burgosur.

Në dhjetor të vitit 2021, dy shtetet kanë nënshkruar letër-pëlqimin për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez, në burgun e Gjilanit.

Më vonë, në maj të vitit 2024, Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjën e cila i jep me qira burgun, shtetit danez.

Drejtori i burgjeve të Kosovës thotë se së shpejti pritet edhe nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit mes të dyja vendeve.

Dibrani: Së shpejti pritet nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me Danimarkën

Prej momentit kur nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit, e që pritet shumë shpejtë të nënshkruhet, neve kemi 18 muaj deri në 24 muaj afat për ta përshtatur burgun me rregullat daneze. Fillimisht do të pranohen 100 të burgosur, pastaj varësisht prej planit të renovimit, adaptimit të burgut sipas rregullave daneze, do të pranohen edhe të burgosurit të tjerë, e që numri do të kalojë numrin 300 persona”, deklaron Dibrani.

Traktati, me kohëzgjatje prej 10 vjetësh, parasheh që Kosova t’i përfitojë rreth 200 milionë euro të cilat, ndër të tjera, do të destinohen për Shërbimin Korrektues.

Dibrani bën të ditur se ka pasur kërkesa edhe nga Belgjika e Britania e Madhe për marrëveshje të tilla.

Dibrani: Ka pasur kërkesa edhe nga Belgjika dhe Britania e Madhe për marrëveshje për të burgosurit

“Ka pasur kërkesa edhe nga Belgjika edhe nga Britania e Madhe por natyrisht që neve nuk kemi interes dhe as nuk do të pranojmë që të nënshkruhen marrëveshje të tilla. Edhe pse fatmirësisht në raport me shtetet tjera, pothuajse të gjitha shtetet e Evropës kur sot është problemi kryesor mbipopullimi, neve sot kur po flasim, kapaciteti në burgjet tona është mbi 2.700. Ndërsa, në qendrat tona, në 11 institucionet tona korrektuese, kemi 1.750 persona. 1.100 të dënuar dhe 650 të tjerë janë të paraburgosur”, shprehet ai.

Ndër të tjera, në intervistën për KosovaPress, ai thotë se këtë vit janë paraparë 15 milionë euro buxhet për investime kapitale, ku edhe është paraparë ndërtimi i disa burgjeve.

Sfidë kryesore për burgjet e Kosovës, thotë ai, mbetet numri i madh i rasteve psikiatrike dhe i përdoruesve të drogave.

Dibrani: Gjatë vitit 2024 janë parandaluar mbi 100 raste të futjes së kontrabandës

“Kemi arritur që në periudhën e fundit, në vitet 2021-2024, mbi 500 raste kemi arritur të parandalojmë futjen e kontrabandës brenda, për dallim prej viteve të kaluara ku kemi pasur 100 raste të parandalimit dhe mbi 500 raste të gjetjes së kontrabandës brenda institucioneve korrekte. Për dallim prej kësaj periudhe kur numri i kontrabandës brenda institucioneve korrektuese është zvogëluar, ndërsa është rritur numri i parandalimit të futjes së kontrabandës...Vetëm gjatë vitit 2024 kemi mbi 100 raste të parandalimit të futjes së kontrabandës. Natyrisht numri më i madh i rasteve kur parandalohet futja e kontrabandës është narkotikë dhe telefona”, deklaron ai.

Në raste të kontrabandimit, Dibrani thotë se të dënuarit i humbin të gjitha privilegjet dhe dënimi për këta persona fillon nga zero.

Dibrani: Një person kishte fituar të drejtën e lirimit me kusht, është gjetur telefoni në dhomën e tij

Kur një person kishte fituar të drejtën e lirimit me kusht dhe ai do të lirohej të nesërmen, Departamenti për Siguri pas informacioneve të pranuara, informacione konfidenciale se brenda dhomës kishte telefon dhe tek i burgosuri që do të lirohej të nesërmen, gjatë bastisjes është hasur telefoni tek ky person dhe është njoftuar Paneli për Lirim me Kusht dhe i është revokuar lirimi me kusht. Ai person e ka humbur të drejtën e lirimit me kusht, ai person do të ndjeket penalisht do të humb të gjitha privilegjet”, thotë ai.

Vitin e kaluar, Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës, ku më pas u dyshua për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në Lloznicë të Serbisë.

Një ditë më pas, ai u vra nga autoritetet e Serbisë.

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani thotë se me këtë rast po merret prokuroria.

Dibrani: Prokuroria po zhvillon hetim, po presim rezultatet

Është duke zhvilluar procedurat prokuroria dhe neve kemi asistuar dhe ndihmuar në secilën dëshmi, argument që kemi pasur, dhe presim rezultatet e prokurorisë. Por, megjithatë më lejoni të ju informoj për secilin rast ka hetim, ka adresim dhe nuk kemi arratisje nga burgjet. Ligji për ekzekutimin e sanksioneve penale secilit person i cili ka përfunduar gjysmën e vuajtjes së dënimit i mundëson shkuarjen në shtëpi, shkuarjen në familje nga koha kur me ligjin e vjetër kishte 17 ditë, tani i ka 14 ditë të rregullta në vit dhe 7 ditë të jashtëzakonshme që t’i kalojë në familje”, thotë ai.

Në intervistën për KosovaPress, Dibrani tregon se gjatë vitit 2025 do të fillojë ndërtimi i burgut të Prizrenit, burgut të grave në Lipjan si dhe do të bëhet zgjerimi i kapaciteteve të Institutit të Psikiatrisë Forenzike.

Dibrani: Ne këtë vit kemi 15 milionë euro buxhet për investime kapitale

Ka përfunduar procesi i hartimit të specifikave për këto burgje dhe shumë shpejtë pritet hapja e tenderit për ndërtimin e këtyre burgjeve. Natyrisht në këtë vit ne do të kemi 15 milionë euro buxhet për investime kapitale, që do të na mundësojë që këto burgje të jenë me standarde të përafruara ndërkombëtare...Mungesa e vendeve të lira të Institutit të Psikiatrisë Forenzike na ka shkaktuar telashe në vazhdimësi dhe kjo besoj që do ta zbus situatën sepse atje tashmë do të kemi prej 12 shtretër, që i kemi atje në trajtimin e detyrueshëm dhe në trajtimin ambulantor, tash do të kemi afër 100 vende të lira në Institutin e Psikiatrisë Forenzike”, shprehet Dibrani.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Shërbimi Korrektues i Kosovës është pranuar në Rrjetin Evropian të Burgjeve - EuroPris. Drejtori i burgjeve thotë se Kosova është shteti i parë i cili është anëtarësuar pa qenë anëtar i Këshillit të Evropës, ku sipas tij do të ketë përfitime të programeve, financim të pajisjeve e vizita të shumta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat