BE-ja deklarohet për hartën skandaloze që e bënte Kosovën pjesë të Serbisë

Aktuale

BE-ja deklarohet për hartën skandaloze që e bënte Kosovën pjesë të Serbisë

Më: 3 janar 2025 Në ora: 16:42
Harta e Evropës, e shkëputur nga një video e publikuar nga shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Më 1 janar të këtij viti, zona Schengen u plotësua me dy anëtarë të rinj – Rumaninë dhe Bullgarinë.

Për t’iu uruar mirëseardhje, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen publikoi një video në rrjetin social X (ish-Twitter) ku tregonte me ngjyrë të kaltër vendet anëtare të zonës Schengen.

Pos tyre, në hartë shiheshin edhe vendet jo-anëtare të Schengenit, që janë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Këto shtete ishin lënë me ngjyrë të bardhë, për të bërë dallimin.

Por, ajo që ra në sy ishte mungesa e vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, duke e bërë vendin tonë pjesë të fqinjit verior.

Kjo u spikat nga përdoruesit e këtij rrjeti, në mesin e të cilëve ishte edhe politikania gjermane, Doris Pack, e cila e pyeti bashkëkombësen e saj: “Ku është shteti i Kosovës?”.

Veç saj, reaguan edhe figura të ndryshme vendore e ndërkombëtare për këtë huqje.

E me të parë reagimin publik, kjo video u zhduk nga rrjetet sociale.

Klankosova.tv kontaktoi me Komisionin Evropian për të marrë një qëndrim mbi këtë çështje.

Jozyrtarisht, një zëdhënës i BE-së tha se videoja është hequr posa “çështja u soll në vëmendjen tonë”.

“Pamjet vizuele në llogaritë e mediave sociale të Komisionit Evropian, të cilat u publikuan për të mirëpritur Rumaninë dhe Bullgarinë si anëtarë të plotë të zonës Schengen, u hoqën nga të gjitha platformat sapo çështja u soll në vëmendjen tonë”, tha ky zëdhënës i BE-së.

Të pyetur nëse qëndrimi i KE-së është se Kosova nuk është shtet i pavarur, përgjigje konkrete nuk morëm, por na thanë: “Fakti që pamjet u hoqën është mjaft vetë-shpjeguese”.

Ursula von der Leyen qëndroi në Kosovë në tetor të vitit të kaluar. Ajo pati takime me krerët e shtetit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat