Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka shpallur një rregullore të re për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025, me qëllim rritjen e transparencës dhe barazisë gjatë fushatës zgjedhore.
Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, gjatë një interviste në emisionin FIVE të Dukagjinit, deklaroi se kjo rregullore synon një qasje të drejtë ndaj partive politike dhe një përfaqësim të balancuar në hapësirat mediale.
“Synimi i saj është që të kemi më shumë transparencë, në kuptimin e përfaqësimit të partive politike nëpër hapësirën reklamuese të televizioneve dhe radiove tona. Që të kemi një qasje të barabartë ndaj partive, subjekteve të certifikuara politike. Të iu jepet mundësia e barabartë”, ka thënë Mehmeti.
Ai shtoi se rregullorja është e favorshme jo vetëm për procesin zgjedhor, por edhe për vetë mediat në aspektin financiar, ndërkohë që promovon një transparencë dhe llogaridhënie më të madhe.
“Dhe të gjithën atë hapësirë që e shfrytëzojnë ato parti politike me ose pa pagesë ta deklarojnë televizionet pranë KPM-së dhe, KPM-ja t’i bëjë publike para qytetarëve.
E kemi një rregullore që po besoj që është edhe e favorshme në kuptim financiar për vetë mediat, por në të njëjtën kohë parasheh transparencë dhe llogaridhënie më të madhe”, ka shtuar Mehmeti.
Sipas njoftimit të KPM-së, të gjithë ofruesit e shërbimeve mediale audio-vizuale duhet të përmbushin detyrimet e përcaktuara nga legjislacioni i këtij institucioni gjatë fushatës dhe heshtjes zgjedhore. Rregullorja parashikon dorëzimin e ditarëve për zgjedhjet, duke përfshirë Ditarin A për terminet pa pagesë dhe Ditarin B për terminet me pagesë, çdo të hënë, për të raportuar mbi javën paraprake.
Po ashtu, një javë para nisjes së fushatës zgjedhore, mediat janë të detyruara të dorëzojnë çmimoret që do të aplikojnë gjatë zgjedhjeve.
Nëse mediat planifikojnë të mbulojnë fushatën, ato duhet të njoftojnë KPM-në jo më vonë se shtatë ditë para fillimit të saj.