Agron Llugaliu, drejtor i Doganës së Kosovës tha se ky institucion ka pasur një vit me shumë aktivitete dhe zhvillime, derisa e ka vlerësuar pozitive çështjen e të hyrave.
Llugaliu në ‘Info Plus’ në RTK ka thënë se vitin e kanë përmbyllur me të hyra prej 1 miliard e 800 e 27 milionë euro.
Llugaliu tha se projeksioni i vitit 2025 në bazë të ligjit të buxhetit është 1 miliard e 800 e 82 milionë. Pra, rreth 55 milionë më shumë se sa që janë mbledhur këtë vit.
Ai përmendi edhe produktet e liruara nga Dogana e Kosovës. “Me thellimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë me BE-në dhe me Turqinë kemi zgjerimin e pakos së lirimeve për prodhuesit, ku përfshihen lëndët e para, burimet e energjisë për nevojat e prodhimit, makineritë dhe pjesët e tyre. Edhe këtu kemi pasur një gamë të produkteve që janë liruar, e që si peshë është 34 milionë më shumë”, tha ai.
Llugaliu tha se Dogana e Kosovës ka proceduar gjithsej 536 deklarata doganore, një rritje prej 10.7% krahasuar me vitin 2023.
“Vazhdimisht kemi rritje edhe të eksportit dhe importit. Aktiviteti tregtar i Kosovës është në rritje. Formalizmi i mëtejshëm i ekonomisë, në veçanti me veprimet që kanë ndodhur në veri, por edhe forma tjera të luftimit të mashtrimeve janë tregues që po formalizohet tregtia e jashtme e Kosovës”, tha ai.
Llugaliu tha se Dogana e Kosovës ka vendosur themelet për të nisur zbatimin e Aplikimit e Inteligjencës Artificiale, me qëllim përmirësimin e proceseve të kontrollit. “Një projekt po ashtu shumë i rëndësishëm ka qenë rekrutimi i 115 zyrtarëve të rinj përmes një procesi të bazuar tërësisht në meritokraci, në bashkëpunim me projektin e BE-së”, theksoi ai.