Viti 2024 në katër komunat veriore u mbyll me situatë të brishtë të sigurisë.
Sulmi terrorist në kanalin kryesor të Iber-Lepencit më 29 nëntor në Varage të Zubin Potokut, për institucionet qe alarm për sigurinë në këtë zonë.
Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati thotë për televizionin se në vitin 2025 mund të ketë sulme në katër komunat veriore. E ato sipas tij mund të ndodhin në festat e komunitetit serb.
“Faktikisht unë nuk pres që serbët të rrijnë të qetë, posaçërisht institucionet e sigurisë duhet të kenë parasysh dhe duhet ta kenë vëmendjen sidomos në datën 7 e cila është festë e serbëve, dhe ata mund të bëjnë ndonjë ekses apo ndonjë sulm terrorist dhe t’ua lënë shqiptarëve kinse shqiptarët i kanë sulmuar dhe me datë 9 fillon fushata parazgjedhore në Republikën e Kosovës dhe deri më 9 shkurt kur janë zgjedhjet, policia, inteligjenca dhe në përgjithësi institucionet e sigurisë duhet të jenë të vëmendshme dhe vigjilente sepse serbët nuk do të rrijnë rehat” , tha Kastrati.
Kastrati thotë se krejt kjo mund të ndodhë pasi që presidenti serb, Aleksandër Vuçiqi dëshiron tërheqjen e vëmendjes nga protestat masive tash e rreth 2 muaj.
“Vuçiqi do të tentoi që të balancoi atë, apo t’i fshehë ato probleme që i ka brenda shtetit të vet duke sulmuar dhe duke inskenuar sulme të ndryshme në Republikën e Kosovës” , thotë ai.
Në anën tjetër profesori i kriminalistikës, Fatmir Çollaku mendon se situata në katër komunat veriore do të jetë e qetë por që sipas tij, duhet të rritet vigjilenca.
“Gjendja e sigurisë do të jetë stabile në pjesën veriore, këtë konstatim e bazoj në eksperiencat e mira të deritanishme të policisë dhe sistemit të sigurisë të Kosovës, si dhe shtimit të vigjilencës dhe vetëdijesimit më të madh të faktorit ndërkombëtar i cili në këtë rast ka shprehur gatishmërinë dhe mobilizimin për të monitoruar për të asistuar kur është nevoja, përkatësisht policinë”, thotë ai.
Çollaku konsideron se sulmet në katër komunat veriore të mbështetura nga Serbia, kanë pasqyrë negative te faktori ndërkombëtar të cilët e cilësojnë si shtet destabilizues.
“Për ndërkombëtarët se Serbia ka luajt një rol shumë destruktiv ka lujtë rolin e një agresioni dhe një sponzorizimit të aktiviteteve kriminale dhe ato terroriste”, pohon ai.
Pas sulmit terrorist në Iber-Lepenc, Policia e Kosovës rriti numrin e zyrtarëve policor, duke shtuar kështu edhe patrullimet përgjatë kufizimit me Serbinë por edhe në zonat kritike të infrastrukturës së shtetit.
Krejt kjo për të parandaluar çdo sulm të mundshëm, meqë vet kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se para dhe pas Vitit të Ri mund të ketë sulme të reja nga grupet kriminale serbe në katër komunat veriore.