Dragodani nuk gjeti qetësi mbrëmjen e të premtes, pasi të shtëna me armë zjarri u dëgjuan në rrugën “Ferid Curri”. Një person u qëllua më armë zjarri nga një person tjetër dhe për pasojë mbeti i plagosur, ndërsa i dyshuari nuk është arrestuar akoma.
Media ka raportuar se viktima e këtij rasti është Fatlum Jetullahu, i cili u qëllua me armë në shpinë dhe u gjet i shtrirë në rrugë nga Policia.
Sipas informacioneve që ka siguruar mbrëmë Sinjali nga Emergjenca, i plagosuri është dërguar në QKUK, ku është trajtuar nga stafi i mjekimit intensiv.
Media gjithashtu ka mësuar ekskluzivisht se personi që po dyshohet se e gjuajti me armë viktimën është identifikuar si Shkodran Humolli, i cili ende ndodhet në arrati.
Motivet dhe rrethanat në të cilat ndodhi ky incident i rëndë në kryeqytet janë akoma të paqarta, teksa vendi i ngjarjes është ekzaminuar nga njësitet përkatëse të Policisë.
Policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe janë sekuestruar pesë gëzhoja të plumbave.
“Një mashkull kosovar, ka pësuar lëndime në shpinë nga arma e zjarrit, në drejtim të të cilit ka shtënë i dyshuari mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar 5 gëzhoja. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor. I dyshuari është në kërkim nga policia. Rasti në hetime”, thuhet në njoftim.
Por, media ka mësuar se në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur edhe një veturë të braktisur me targat 01-287-EV, jo shumë metra larg ku u gjet i plagosuri.
Akoma nuk është konfirmuar nëse vetura e gjetur në vendin e ngjarjes është e personit që dyshohet se kreu veprën.
Hetimet në lidhje me këtë rast tashmë kanë filluar, ndërsa Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e detajeve të reja.