Kryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës, Nexhmije Gori, ka thënë për eo se ka rënë numri i infermierëve që kërkojnë licenca të paplastifikuara dhe vërtetim të Kodit Etik që u shërben për largim jashtë vendit.
E arsye për largim nga shteti janë pagat e ulëta, mospagesa e vikendeve e ngarkesat e mëdha në punë.
Gori ka thënë se gjatë vitit 2024, 383 infermierë kanë kërkuar licencë të paplastifikuar, ndërsa 119 të tjerë kanë kërkuar vërtetim të Kodit Etik. Kjo rënie sipas saj ka të bëjë me liberalizimin e vizave, pasi infermierët po i përfundojnë drejtpërdrejt procedurat me punëdhënësin.
“Kërkesat prej liberalizimit të vizave tashmë ka rënie. Sigurisht që tash nuk po ju nevojitet për të bërë terminë në ambasada apo edhe përmes agjencive, tashmë profesionistët shëndetësor kanë mundësi për ta bërë drejtpërdrejtë me punëdhënësin, kështu që këtë vit licenca të paplastifikuara kanë kërkuar gjithsej 383 infermierë, mami dhe profesionistë tjerë shëndetësor, kurse Kodin Etik kanë kërkuar 119 infermierë. Vlen të theksohet se krahasuar me vitin e kaluar, numri është dukshëm më i vogël, arsyet janë siç i ceka sepse tashmë nuk kanë nevojë me i prit terminët. Çka unë konsideroj është se numri është shumë i madh se sa ky që e kemi ne tashmë të protokolluar”, ka thënë Gori, teksa shton se numri i infermierëve të larguar nuk është i saktë.
“Po tashmë infermierët shkojnë i bëjnë kontaktet, i bëjnë marrëveshjen me punëdhënësin e kthehen dhe e mësojnë e më pastaj kur ta fillojnë punën iu nevojitet licenca e paplastifikuar dhe vërtetimi i kodit etik, sigurisht që kjo merr kohë”, ka deklaruar Gori.
Këtë dukuri, kryetarja e OIK-ut e sheh shqetësuese, andaj kërkon veprime nga ana e institucioneve, pasi shtetet evropiane kanë filluar t’i lehtësojnë procedurat për rekrutimin e punëtorëve shëndetësor.
“Natyrisht që është shqetësuese, unë shpesh e them se vendet e rajonit po na e marrin produktin e gatshëm. Ne duke u nisur si familje, po i rrisim, po i shkollojmë e po e përgatitim për treg dhe të gatshëm po e marrin të tjerët, kështu që është mjaft shqetësuese duke marrë parasysh që ne jemi prej vendeve me një rini më të pastër dhe me moshë më të re, viteve të fundit jo vetëm profesionistët e infermierisë por edhe profesionistë tjerë kanë ndërruar profesionin për arsye se vendet e rajonit i kanë lehtësuar jashtëzakonisht masat për të filluar punën. Andaj jo vetëm që është shqetësuese por duhet të merren masa edhe si shtet duhemi të punojmë më shumë e me i motivua të rinjtë tanë që punën edhe përkushtimin ta bëjmë për vendin tonë”, u shpreh Gori.
Ankesat që më së shumti kanë pranuar në institucionet që e udhëheq Gori, janë pagat e ulëta, mospagesa e vikendeve e ngarkesat e mëdha në punë.
“Tashmë veçse janë të njohura të gjitha kërkesat apo ankesat e infermierëve. Sigurisht që pagat me ligjin e pagave janë ranguar jo kënaqshëm, ngarkesat e mëdha në punë, përveç asaj kujdestaritë edhe vikendet që infermierët nuk paguhen ditëve të vikendit. Ka kërkesa dhe ankesa jashtëzakonisht të shumta, po ankesat nuk janë vetëm infermierët e Kosovës. T’u them të drejtën, me pjesëmarrjen në forume kam parë që problematikat e infermierëve në të gjithë Evropën pak a shumë janë të njëjta, përveç që vlen të theksohet që në Evropë nuk e lëshojnë vendin, por e ndërrojnë profesionin, kështu që me ndërrimin e profesionit të tyre, po u jepet mundësi të rinjve tanë që të kenë mundësi të qasen në institucionet shëndetësore kudo nëpër Evropë”, ka thënë Gori.