Ish-presidenti slloven, Borut Pahor, përmes një letre ka bërë të qartë që s’ka aplikuar për pozitën e emisarit special të BE-së për ndërmjetësimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, për rrethana që lidhen edhe me zhvillimet e ndodhura pas zgjedhjeve në BE dhe për shkak të angazhimeve të tij.
Siç raporton televizioni publik i Sllovenisë, Pahor thuhet të ketë mësuar brenda bisedave informale se po kërkohej gjithashtu një diplomat për këtë pozitë dhe jo një politikan.
Vetë Pahor e ka cilësuar këtë si një vendim legjitim, megjithatë thotë se një gjë e tillë e vazhdon politikën e dialogut teknik, dialog i cili sipas tij s’ka pasur sukses. Ish-presidenti slloven thotë se për shkak të ndryshimit të madh të rrethanave ka ardhur koha që në këtë pozitë të angazhohet një politikan dhe të ketë intervenim politik, sigurisht nën udhëzimet e Përfaqësuesit të Lartë.
Pahor ka thënë se frika që mbase ai do të ishte arbitrar për shkak të kaluarës politike është e pabazuar.
“Ky është sigurisht një vendim legjitim, por ai vazhdon politikën e dialogut teknik, i cili nuk është dëshmuar shumë mirë. Megjithatë, për mendimin tim, për shkak të rrethanave shumë të ndryshuara, ka ardhur koha që një politikan në këtë pozicion dhe për ndërhyrje politike, natyrisht nën udhëzimet e Përfaqësueses së Lartë. Frika se mund të jem arbitrar për shkak të posteve të mia të larta politike në të kaluarën, është e pabazë”, ka thënë Pahor.
Pahor ka qenë një ndër emrat e parë që kishte bërë publik interesimin e tij për të pasuar sllovakun, Miroslav Lajcak, në pozitën e emisarit. Megjithatë për shkak të rrethanave që ishin krijuar, Lajcakut i është vazhduar mandati deri më 31 janar 2025.