Në prag të përfundimit të mandatit katërvjeçar, Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti thotë se Kosovën e ka përfaqësuar denjësisht në bisedimet me Serbinë në Bruksel.
Zyrtarë qeveritarë akuzojnë Serbinë se nuk ka treguar qasje konstruktive në dialog dhe thonë se është koha që BE-ja të evidentojë palën bllokuesi të procesit - Beogradin zyrtar.
Opozita ndërkaq kritikon Qeverinë për qasjen në procesin e dialogut duke thënë se me marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023, me ndërmjetësimin e BE-së hoqi dorë nga njohja e ndërsjellë derisa pranoi autonomi për serbët e Kosovës.
Klisman Kadiu, këshilltar i Besnik Bislimit, kryenegociatorit në dialogu, thotë për KosovaPress se Kosova pranuar marrëveshjen bazike, por që e njëjta është refuzuar nga Serbia dhe kjo e fundit e keqpërdor çdo takim në nivel kryenegociatorësh në kuadër të procesit të dialogut.
“Në këta katër vjet, e kemi përfaqësuar denjësisht Kosovën në tryezën e dialogut dhe kemi shfaqur konstruktivitetin e gatishmërinë tonë për të ecur përpara me normalizimin e marrëdhënieve. E kemi një marrëveshje, atë Bazike dhe Aneksin e Implementimit të Ohrit, të cilat duhen pranuar e zbatuar nga të dyja palët. Kosova i ka pranuar ato në tërësi, është e gatshme për nënshkrim dhe zbatim, dhe nuk i shkel ato. Nga ana tjetër, Serbia bën krejtësisht të kundërtën. E ka refuzuar marrëveshjen edhe verbalisht edhe me shkrim përmes letrave drejt Bashkimit Evropian, e ka refuzuar nënshkrimin, e ka shkelur në vazhdimësi marrëveshjen... Qasja destruktive e Serbisë në procesin e dialogut, fatkeqësisht ka ecur paralelisht edhe me sulmet e saj në terren ndaj Republikës së Kosovës. Serbia ka tentuar, duke dështuar, të krijojë çështje artificiale, në mënyrë që të devijojë vëmendjen nga normalizimi i marrëdhënieve, rruga përpara, dhe pranimi e zbatimi i Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit. Presim nga BE që si ndërmjetësues në proces, qartësisht të evidentojë palën bllokuese të procesit, e që adresë kryesore e të vetme e ka Beogradin zyrtar”, thuhet në përgjigjen e tij me shkrim për KosovaPress.
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, thotë për KosovaPress se kryeministri Kurti i ka sjellë dëme Kosovës në dialog, duke larguar marrëveshjen finale me njohje të ndërsjellët, teksa ka sjellë një statut të asociacionit, i cili paraqet një autonomi të plotë për serbët në Kosovë.
“Dialogu gjatë këtyre katër viteve të fundit i ka sjellë një dëm të madh Kosovës. Ia ka përmbushur ambiciet dhe pritjet Serbisë dhe i ka dëmtuar qëllimet kryesore që i ka pasur Kosova pas 17 shkurtit të vitit 2008. Largimi i njohjes së ndërsjellët, largimi i një marrëveshje finale, së bashku me statutin e asociacionit që është një autonomi e plotë. Këto dokumente janë integruar dhe janë parakushte në rrugën tonë të ardhshme për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian janë një prej dëmeve më të mëdha që i ka bërë kjo Qeveri Kosovës”, thotë ai.
Edhe deputetja e AAK-së Time Kadrijaj kritikon Qeverinë Kurti për qasjen në dialog, duke thënë se pranoi marrëveshje të dëmshme për Kosovën.
Kadrijaj: Qeveria Kurti ka bërë koncesione të dëmshme në dialog
“Kjo qeveri në çështjen e dialogut ka bërë koncesione që janë të dëmshme për Kosovën, siç është falja e tokave të Manastirit të Deçanit, por edhe pranimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, ku pranohet edhe asociacioni. Kjo është forma më e keqe e asociacionit. Me këtë marrëveshje dhe letrën e zotimeve që kanë bërë tre krerët e shtetit, shihet se ka kompetenca ekzekutive dhe është një vetëqeverisje në komunat serbe. Në këtë formë cenohet sovraniteti dhe integriteti i Kosovës...Kushdo që vjen (në qeveri) duhet të ketë dialog me parime, por edhe që duhet të kërkoj të respektohet Kushtetuta, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës”, tha Kadrijaj.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku thotë se mungesa e progresit në dialog ka qenë gjë e pritur dhe se ai nuk pret që ky proces të këtë ndonjë përparim deri pas procesit zgjedhor në Kosovë.
Sadiku: Nuk pres asgjë konkrete në dialog deri pas zgjedhjeve të 9 shkurtit
“E kemi ditur qysh në start për faktin se në Kosovë ka qenë një vit elektoral dhe është ditur se kryeministri Kurti nuk do të zbatojë marrëveshjen derisa t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme dhe të krijojë një qeveri të re pas shkurtit 2025. Të njëjtën kohë ka qenë vit elektoral në BE dhe SHBA. Është ditur se nuk do të ketë rezultate të prekshme sa i përket zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe krijimit të asociacionit...Për të ndodhur këto duhet pritur rezultatet vetëm pas zgjedhjeve në Kosovë. Mendoj se në tremujorin e dytë 2025 mund të kemi rezultate konkrete në dialog dhe të kemi një situatë më të qartë, qoftë pozicionin e Kosovës në raport me dialogun dhe pozicionin e BE-së se sa do t’i mbajë përgjegjëse palët”, tha Sadiku.
Kosova dhe Serbia kanë rritur dakordimin për marrëveshjen e Brukselit në shkurt 2023 dhe Aneksit të Ohrit në mars të po atij vitit, por deri më tani nuk ka gjetur zbatim.
Gjatë qeverisjes Kurti, të dyja palët negociuese zhvilluan një sërë takimesh në nivel të liderëve dhe atë të kryenegociatorëve, por nuk u gjet gjuhë e përbashkët për zbatim të marrëveshjes.
Pjesë e marrëveshjes është edhe themelimi i asociacionit me shumicë serbe, por Qeveria e Kosovës nuk ka bërë ndonjë hap për zbatim. Me gjithë kërkesën e faktorit ndërkombëtar, Qeveria ka thënë se drafti i BE-së për asociacionin është një “non paper” dhe si i tillë nuk do të dërgohet në Kushtetuese.