Strategjia për Drejtësi Tranzicionale, kritikohet si jo gjithëpërfshirëse

Aktuale

Strategjia për Drejtësi Tranzicionale, kritikohet si jo gjithëpërfshirëse

Më: 4 janar 2025 Në ora: 15:35
Foto ilustrim

Në vitin e parë të implementimit të Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale që adreson luftën dhe ballafaqimin me të kaluarën në Kosovë, autoritetet kanë bërë disa hapa në funksionalizmin e mekanizmave të përfshira në këtë strategji. Sidoqoftë strategjia vazhdon të kritikohet si jo gjithëpërfshirëse.

Themelimi i Muzeut të Gjenocidit, krijimi i një grupi përgatitor nga presidentja për Themelimin e Komisionit Presidencial të së Vërtetës dhe Pajtimit dhe Funksionalizmi i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, kanë qenë disa nga elementet e përfshira në Strategjinë për Drejtësisë Tranzicionale në vitin e parë të implementimit të saj.

Ndërkohë, ende një mori pikash të kësaj strategjie, si memoriali që përkujton fëmijët e vrarë gjatë luftës apo ndryshimi i ligjit për të zhdukurit, mbeten për t’u zbatuar.

Megjithatë Strategjia e parë për Drejtësi Tranzicionale, nga përfaqësues të shoqërisë civile, si Marigona Shabiu drejtoreshë e Organizatës Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, por edhe studiues të kësaj fushe, po shihet si jo gjithëpërfshirëse.

“Strategjia nuk e përmbushë mjaftueshëm parimin  gjithëpërfshirës sepse fokusi më shume është vendosur te komunitetit shqiptar, duke i lënë anash komunitetet e tjera”,tha Shabiu.

 “Kjo ndikon negativisht në legjitimitetin e strategjisë dhe veprimeve që rrjedhin prej saj, por edhe nuk kontribuon në krijimin e një narrative më gjithëpërfshirëse rreth luftës në Kosovë”, shton ajo.

Akademik, Arsim Bajrami, që ka qenë i përfshirë në tri nga iniciativa e qeverisë drejtësinë tranzicionale thotë se po përpiqen për të riparuar shumë nga gabimet institucionale të bëra ndër vite.

 “ Është bërë një punë kolosale e Akademisë së Shkencave dhe Arteve. Ne kemi qenë të përfshirë në strategjinë për drejtësi tranzicionale, muzeun e  Gjenocidit dhe Përpjekjeve për Liri dhe Institutin për Hulumtimin e  Krimeve  të Luftës’, ka thënë Bajrami.

Megjithatë kërkimet për më shumë se 1600 persona të zhdukur nw vitet e fundit kanë pasur një rezultat minimal, pavarësisht se në dhjetor pati një shenjë lëvizje nga kryenegociatorët e dialogut, Kosovë –Serbi  në Bruksel për të zbatuar Deklaratën për Personat e Zhdukur që u miratua fillimisht vitin e kaluar.

Natsha Bozhovic, zëvendësdrejtoreshë e Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur  thotë se kjo sjell shpresë se gjërat më në fund do të fillojnë të lëvizin, megjithatë, procesi është shumë jotransparent.

“Mendimi i përgjithshëm i familjarëve të personave të pagjetur është se procesi ende po politizohet dhe keqpërdoret nga politikanët e të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë”, thotë Bozhovic për Radio Kosovën.

Kreu i Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e  Krimeve të Luftës, Atdhe Hetemi, thotë se pavarësisht problemit të kohës së gjatë që  ka kaluar nga lufta dhe humbjes së dëshmive dhe dëshmitare, instituti ka mbledhur një numër të konsiderueshëm materialesh.

“ Në një vit pune kemi mbledhur më shumë se 200 metra dokumente  arkivore dhe më shumë se 15 terabajt fotografi, audio e video-materiale”, i ka thënë Hetemi, Radio Kosovës.

Në përpjekje për të adresuar trashëgiminë e së kaluarës, presidentja, Vjosa Osmani, ka krijuar së fundi një grup përgatitor si pjesë e përpjekjeve për themelimin e Komisionit Presidencial të së Vërtetës dhe Pajtimit.

Gjatë vitit 2024 prokuroritë në Kosovë ngritën 13 aktakuza për krime lufte, 5 nga të cilat janë akuza në mungesë.

Arrestimet për krime lufte kanë sjellë reagime të zemëruara të serbëve dhe Amer Alia nga Fondi për të Drejtën Humanitare që monitorin gjykimet për krime lufte thotë se vitet e fundit ka një rritje të ndjeshme të aktakuzave për krime lufte.

“Por kjo çështje vazhdon të sfidohet nga mungesa e bashkëpunimit juridik mes Kosovës e Serbisë”, i ka thënë Alija Radio Kosovës.

Gjykata Speciale gjithashtu ka shtuar dënimet dhe aktakuzat për krime lufte.  Një tjetër ish pjesëtar i ushtrisë Çlirimtare, Pjetër Shala, u dënua me 18 vite burg, ndërsa në dhjetor prokuroria ngriti një aktakuzë të dytë ndaj ish presidentit, Hashim Thaçi, dhe katër personave të tjerë për  pengim të drejtësisë, përderisa tre ish pjesëtarë të UÇK-së pranuan fajësinë për ndikim në dëshmitarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat