Maqedonci jep detaje: Kosova do prodhojë armë për NATO dhe linjë për dronë!

Aktuale

Maqedonci jep detaje: Kosova do prodhojë armë për NATO dhe linjë për dronë!

Më: 4 janar 2025 Në ora: 20:32
Ejup Maqedonci

Për rreth një vit e gjysmë, Kosova planifikon të nis me prodhimin e municionit, pas arritjes së marrëveshjes me kompaninë shtetërore turke, “Makine ve Kimya Endüstrisi” për ndërtimin e fabrikës.

Në një intervistë për TCh, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci bën të ditur se tashmë, kompania turke ka nisur me prodhimin e pajisjeve që janë të nevojshme.

“Tashmë pas nënshkrimit të kontratës kompania prodhuese turke ka filluar pra prodhimin e makinerisë së nevojshme për prodhimin e municioneve. Nuk mund ta jap saktë kohën, por çka mund të them është më shumë se një vit e më pak se dy vite koha kur ne do të kemi mundësinë të shohim prodhimin e municioneve të para në Republikën e Kosovës”, tha Maqedonci.

Kosova synon të prodhojë dy lloj të municioneve, 5.56mm dhe 7.62mm e që do të jenë markë shtetërore.

Aktualisht, Ministria e Mbrojtjes është në kërkim të një lokacioni për ndërtimin e fabrikës për prodhimin e municionit. Përveç tjerash, Kosova është duke negociuar me disa shtete për të nisur edhe themelimin e laboratorit për dizajnimin e dronëve.

“Për çështjen e laboratorit për dizajnimin e dronëve, ne jemi duke analizuar edhe vende të tjera, kemi pasur informacione të ndryshme për mundësi për laboratorë të tillë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe vende të tjera, nuk jemi të kufizuar në Republikën e Turqisë”, tha ai.

Forca e Sigurisë së Kosovës në fund të vitit 2025 hyn në fazën e fundit të tranzicionit që dhe shndërrimin në ushtri të gatshme për të zhvilluar operacione për mbrojtjen e territorit. Në këtë fazë parashihet ndërtimi i kapaciteteve luftarake të forcës, që sipas ministrit një pjesë janë arritur të tilla si furnizimi me sistemin Javelin.

“Sistemet anti tank që kemi prokuruar nga Republika e Turqisë dhe ato që kemi prokuruar gjithashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sistemi Javelin dhe nga Gjermania dhe vendet e tjera. Jemi në diskutime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për liferimin e një pjese të sistemeve Javelin gjatë vitit 2025, për të vazhduar edhe me pjesën tjetër në vitet në vazhdim”, deklaron ai.

Maqedonci ka njoftuar se në kuadër të ngritjes së kapaciteteve të FSK-së ka nisur diskutimi edhe për furnizimin me helikopterë.

“Në këtë aspekt, gjatë vitit 2025 jam i bindur që do të arrihet të paktën të orientohemi saktë në llojin e helikopterëve që duhet ta kemi në mënyrë që këta një pjesë t’i kemi para përfundimit të fazës së tretë të tranzicionit që është vitit 2028”, tha ai.

Nga viti 2021, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka njoftuar se për blerjen e sistemeve të armatimit vlera e shpenzuar ka shkuar 270 milionë euro. E gjithë kjo për përafrimin me standardet e NATO-s ku Kosova ka synim anëtarësimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat