​Zogaj: Gjyqtarët serbë nuk kanë bërë kërkesa për rikthim në punë

Aktuale

​Zogaj: Gjyqtarët serbë nuk kanë bërë kërkesa për rikthim në punë

Më: 5 janar 2025 Në ora: 10:04
Albert Zogaj

Asnjë nga 24 gjyqtarët serbë që dhanë dorëheqje në nëntor 2022 nuk kanë kërkuar rikthim në vendet e punës. Ndërsa procesi për këta gjyqtarë vazhdon të jetë pezull, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Albert Zogaj thotë se kjo çështje do të trajtohet vetëm në kuadër të KGJK-së.

Ai në një intervistë për KosovaPress deklaroi se përkundër përgjysmimit të stafit Gjykata Themelore në Mitrovicë ka rritur efikasitetin e saj.

Zogaj potencon se si KGJK në vazhdimësi kanë hapur konkurse për plotësim të pozitave vakante në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, por synimi asnjëherë nuk ka qenë të zëvendësohen 24 pozitat e gjyqtarëve serbë të dorëhequr.

Zogaj: Gjyqtarët serbë nuk kanë bërë kërkesa për rikthim në punë

“Nuk ka pas kërkesa (për rikthim) , procesi është ende pezull, në momentin që do të ketë kërkesa ne do t’i trajtojmë e rëndësishme për neve është që ta kuptojnë të gjithë se do të jetë një inercion gjyqësor- gjyqtar dhe nuk mund të jetë ndryshe. Prandaj, në çfarëdo rasti, në çfarëdo periudhe që do të trajtohet, do të trajtohet me këtë dimension gjyqësori, Këshilli dhe gjyqtari përkatës, dhe fati i secilit do të vendoset në këtë relacion dhe nuk mendohet ndonjë formalizim tjetër përveç institucionit që ka përgjegjësi për këto çështje”, tha ai.

Sa i përket insistimit të Zyrës Kombëtare të Auditorit për auditim në gjykata themelore për efikasitetin në trajtimin e lëndëve civile, Zogaj thotë se ky auditim nuk do të ndodhë pasi përbën ndërhyrje flagrante në punën e gjyqësorit.

Zogaj: Vendimi i KGJK-së nuk e lejon auditimin për efikasitetin në trajtimin e lëndëve civile

“Në fakt nga gjyqësori është vlerësuar që është ndërhyrje direkte në punën e gjyqësorit... Detyra jonë e vetme dhe fillestare është me u kujdes për pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe në asnjë rast nuk mundet një mekanizëm i jashtëm të përfshihet në auditime të performancës së gjyqtarëve për shkak se do të ishte shembulli më i keq edhe për Kosovën, edhe do të ishte një prej ndërhyrje flagrante në sistem gjyqësor. Pavarësisht komunikimeve që kemi pasur me ZKA-në dhe shpjegimeve përkatëse, madje edhe të opinionit ligjor, pas insistimit të vazhdueshëm për auditim, ka edhe një vendim të KGJK... Vendimi nuk e lejon këtë auditim...Ky vendim nuk ndryshon pavarësisht që diskutimi për këtë çështje nuk është ndal nga këndvështrimi i gjyqësorit konsiderohet i shtjeruar dhe i përmbyllur, por nga pala tjetër vazhdon të jetë aktiv”, u shpreh Zogaj.

Qeveria aktuale synim kishte vettingun në sistemin e drejtësisë, por që gjatë këtij mandati qeverisës ky proces ka mbetur pa u jetësuar. Për kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ky proces tani, por edhe në të ardhmen është i pamundur.

Zogaj: Vettingu i pamundur, por edhe i panevojshëm

“Në situatën aktuale pothuajse ka qenë proces i pamundshëm, por vlerësoj që do të jetë i pamundshëm edhe në të ardhmen dhe në fakt do të jetë edhe i panevojshëm ndoshta më shumë se i pamundshëm për shkak se ne veç e kemi një pako të reformës, dhe nëse kjo pako e reformës miratohet, unë besoj që ne do të sigurojmë një qëndrueshmëri afatgjate të institucioneve të drejtësisë duke adresuar vlerësimet për shumë vite që kanë ndodhur në sektorin e drejtësisë, shumë prej komponentëve të strategjisë së sundimit të ligji...do ta rrisin në masë të konsiderueshme llogaridhënien brenda sistemit të drejtësisë duke siguruar filtra të mjaftueshëm edhe për kontrollin e integritetit”, thotë kryesuesi i KGJK-së.

Kreu i Këshillit Gjyqësor të Kosovës thotë se deklarata e përbashkët e zotimit për reformën ligjore në sistemin e drejtësisë aktualisht ndodhet në Komisionin e Venecias.

Zogaj: Deklarata e zotimit për reformë është në Komisionin për Venecia

“Deklarata e dytë për reformën në fakt ka pas shumë debate, ka pasur shumë ngecje e pikëpamje të ndryshme, megjithatë është arritur të kemi një pako të dakorduar në mes të institucioneve dhe e cila këto ditë ndodhet në Komisionin e Venecias për shkak se po ashtu ka pasur dakordim të institucioneve për dërgimin e pakos në Komisionin e Venecias”, theksoi ai.

Sa i përket politikave ndëshkimore, kryesuesi i KGJK-së beson që gjatë këtij viti do të ofrojnë propozime për ndryshime të nivelit të sanksioneve të përfshira në Kodin Penal.

Zogaj: Do të propozojmë ndryshime në Kodin Penal sa i përket sanksioneve

“Gradualisht, unë besoj që do të adresohen këto dy çështje dhe shpresoj që do të arrijmë një standard të kënaqshëm të politikës ndëshkimore në drejtësinë penale. Por, një prej çështjeve me rëndësi që do të ngrihet nga viti 2025 unë besoj që gjyqësori do të hartojë një raport në përgjithësi për drejtësinë penale në kuptimin material, flas për Kodin Penal në këtë rast për të dhënë disa propozime, qeverisë dhe Kuvendit për të ndërhyrë në Kodin Penal, ndoshta edhe për të rritur diku nivelin e sanksionit, por ndoshta diku edhe për ta ulur nivelin e sanksionit, sepse është e nevojshme të ndjekim trendin global të drejtësisë penale”, thotë kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Përgjatë vitit që lamë pushteti ekzekutiv ka adresuar kritika për sistemin gjyqësor dhe punën e gjyqtarëve, të cilat u konsideruan si ndërhyrje në drejtësi. Kreu i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj konsideron se të nevojshme të ndërrojë kjo qasje në raport me vendimmarrjen dhe drejtësinë.

Zogaj: Të gjithë akterët duhet të rezervohen nga komentimi dhe sulmet

“Të gjithë akterët duhet të rezervohen nga komentimi, nga atakimi, nga sulmet, nga vlerësimet dhe diskutimet për shkak se e kemi thënë edhe në rastet tjera... Është e qartë që gjyqësori ka disa garanci specifike për të ndër-vepruar me pushtetet tjera dhe për t’i balancuar fuqitë, dhe nëse këto kritere dhe këto mekanizma cenohen definitivisht gjyqësori vendoset në pozicion të pabarabartë. E para kur nuk e ka mbështetjen e duhur në kuptimin e buxhetit dhe resurseve dhe çështje që janë të rëndësishme për zhvillim normal dhe e dyta në këtë kontekstin e besimit të publikut, qasja e politikës dhe e pushteteve tjera në raport me gjyqësorin patjetër që e ndikon direkt publikun”, thotë Zogaj.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjatë 2024 ka shprehur pakënaqësi lidhur me mbështetjen buxhetore. Pakënaqësitë pritet të vazhdojnë edhe përgjatë këtij viti.

Raporti i EULEX-it për monitorimin e sistemit të drejtësisë 2024 ka treguar se trajtimi i rasteve të profilit të lartë nuk ka shënuar progres, e disa prej tyre rrezikojnë parashkrimin. Në bazë të këtij raporti, për institucionet drejtësisë sfidë mbetet produktivitet i seancave, ndërsa paraburgimi vazhdon të përdoret në mënyrë të tepruar.

Rikujtojmë se në nëntor 2022, Lista Serbe vendosi të largohet nga institucionet qendrore të Kosovës, si dhe komunat në veri. Dorëheqje dhanë pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës, të gjyqësorit dhe prokurorisë në këto komuna.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat