Shteti obligohet t’ia kthejë Pacollit pagesën për “Grandin”

Aktuale

Shteti obligohet t’ia kthejë Pacollit pagesën për “Grandin”

Më: 5 janar 2025 Në ora: 11:15
Foto ilustrim

Deputetit dhe biznesmenit Behgjet Pacolli ka njoftuar se ka fituar në arbitrazhin ndërkombëtarë për rastin e Hotel Grandit, ndaj shtetit të Kosovës.

Sipas tij, vendimi parashikon që Qeveria e Kosovës duhet të rikthejë shumën e paguar nga kompania e tij ndaj Qeverisë së Kosovës.

Pacolli ka shkruar se ky triumf në arbitrazhin ndërkombëtar është një sinjal i qartë se e drejta vonohet, por gjithmonë del në dritë.

“Vendimi i arbitrazhit ndërkombëtar, është një obligim për Qeverinë që të kthejë shumën që Mabco e pagoi në vitin 2006 në llogarinë e shtetit. Në këmbim, Qeveria kishte ofruar asgjë dhe duke refuzuar njohjen e Mabco si aksionare në objektin e blerë, ndonëse marrëveshja ishte e qartë dhe Qeveria e Kosovës ishte dy herë e informuar për këtë. Ky vendim nxjerr në pah po ashtu edhe tentativat për mashtrim të Zylqif Berishës, i cili, me skenarët dhe njerëzit e tij të “fortë”, për 18 vite më ka shkaktuar shumë kokëçarje. Por, në fund, drejtësia triumfoi e Berisha për shkak të lakmive të tij sot mundet me e pa Hotelin Grand vetëm nga distanca”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke thënë se grandi mbetet në pronësi të Republikës së Kosovës

“Republika e Kosovës, sipas Vendimit të Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimeve, ka gjetur që nuk ekziston asnjë premisë, dëshmi apo teori që do t’ia mundësonte Behgjet Pacollit pronësinë mbi Grandin. E vetmja gjë për të cilën obligohet Republika e Kosovës, është kthimi i vlerës monetare të cilën Pacolli ia kishte dhënë AKP-së në emër të privatizimit. Edhe pse ai nuk ishte palë në procedurë, AKP kishte pranuar mjetet e tij. Këto tani ne detyrohemi t’i kthejmë. Për shkak të hajnisë 20 vjeçare nëpër institucione shtetërore, paguajmë pasoja ende. Por këto janë të fundit. Pronësinë mbi pronën publike nuk ia lejojmë askujt. Prandaj Grandi mbetet i Kosovës e i qytetarëve të saj”, ka shkruar ajo.

Lidhur me këtë sërish ka reaguar deputeti Behgjet Pacolli. Ai ka shkruar se deklarata e ministres Haxhiu tingëllonte si një formë “vetëngushëllimi”.

“Ministrja e din shumë mirë, që askush në këtë proces nuk ka kërkuar objektin nga ju në asnjë moment. Këtë e lexoni edhe në postimin e maparshëm. Që nga fillimi i procesitit, Mabco ka kërkuar gjithmonë që t’i kthehen fondet e saj, të cilat janë përvetësuar në mënyrë të jashtëligjshme dhe asgjë tjetër:, ka shkruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat