Në maj të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka njohur pensionin e dyfishtë tre të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky vendim është vetëm i shkallës së parë, ndërkohë ato vazhdojnë betejën për të drejtat e tyre. Ndërkaq, dhjetë raste të tjera janë duke u përgatitur për të kërkuar të drejtat e tyre përmes gjykatës.
Rrëfimi i Shpresës
Asnjëherë nuk do të harrojë hapat e mundimshëm në drejtim të shtëpisë, ditën kur u detyrua të zgjedhte mes dy pensioneve.
E lodhur nga mosha, por edhe nga vuajtjet e përjetimet e trishta të luftës, 72-vjeçarja së fundmi po përballet edhe me një betejë të gjatë ligjore.
Për më shumë se katër dekada ajo punoi në një nga institucionet e shtetit, por kur arriti moshën 65 vjeçare - pensionimin, mbeti pa asnjë cent.
Shpresa, emri i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë, rrëfen se mezi kishte arritur të marrë guximin edhe të aplikojë për pensionin si viktimë e dhunës seksuale.
Më pas, shteti e detyroi të zgjedhte mes këtij pensioni - 230 euro, dhe atij kontribut-pagues prej 200 euro.
Ligji për të drejtat e kategorive të dala nga lufta në Kosovë, thotë se përfitues të benificioneve që vinë me këtë ligj, mund të jenë edhe shfrytëzuesit e pensionit bazë. Ky i fundit rregullohet me Ligjin për skemat pensionale.
Pavarësisht kësaj, institucionet në Kosovë nuk lejojnë përfitimin e dy pensioneve, me arsyetimin se dy ligjet bien ndesh me njëri tjetrin.
Nga juristë e njohës të drejtësisë, Qeveria e Kosovës është kritikuar në vazhdimësi për mosrespektim të të dy ligjeve.
Shpresa: Më thanë ‘nuk mund t’i marrësh dy pensionet’
“Atë ditë që dola në pension më takojnë dyjat, më njihet edhe ky pensioni i viktimës, tani pensioni jem. Edhe i mora një muaj të dy pensionet. Mirëpo, çka ndodhi? Muajin tjetër më ndalin dy pensionet. Do të thotë unë më asnjë cent nuk e kisha edhe shkoj lajmërohem, nuk ka. Shkoj në ministri të pensioneve më thonë ‘jo, dy pensionet nuk mundesh’. Ju them mirë, nuk mundem, por pse nuk më keni lajmëruar e me më lënë pa asnjë cent, unë kam barna, kam gjëra. Edhe mbes pa asnjë cent”, rrëfen ajo.
Shpresa rrëfen se si hoqi dorë nga pensioni i moshës për të marrë pensionin e viktimës, i cili është 30 euro më i lartë.
Shpresa: Shteti më la pa asnjë cent
“Tani më kanë thënë ‘zgjedh’. Por ata është dashur të më thonë me fillim e jo pasi më lanë pa asnjë cent. Dy në të vërtetë, se derisa më dolën u bënë dy muaj. Edhe e marrë pensionin tim kontribut-pagues. Mirëpo, ky pensioni im ishte 196 euro, e ky i viktimës ishte 230 euro. Tani, prej inatit them, ‘pse more nuk shkoj me marrë këtë të viktimës, pasi më thanë zgjedh’”, thekson ajo gjatë rrëfimit.
Me sy të përlotur e zë pothuajse të përhumbur, kujton dëshpërimin që përjetoi para shtatë vjetësh.
Shpresa: Atë ditë kur e kam lënë pensionin tim mirë që munda të kthehem në shtëpi
“Atë ditë kur e kam lënë pensionin tim kontribut-pagues që kam punuar 40 vite, e më shkoi, e thash nuk e marrë kurrë, aq u mërzita, shumë, shumë. Atë ditë kur u ktheva prej ministrisë desh flaka më ka dalë. Mirë që munda të kthehem në shtëpi... Atë ditë që kam lënë pensionin tim, me fol me djalë nuk kam mundur, as me nuse, se përveç burrit nuk e ka ditur askush. Një javë ditë shtritë kam qëndruar prej mërzisë”, tregon ajo.
Tri vjet është dashur që rastit të Shpresës dhe dy të tjerave t’u jepet e drejtë nga Gjykata Themelore.
Betejën për të drejtat e tyre e kanë bërë me ndihmën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
Drejtoresha Feride Rushiti thotë se autoritetet përgjegjëse, në bazë të interpretimit të ligjit, po pamundësojnë pensionet e dyfishta.
Rushiti: Të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës kur arrijnë moshën 65-vjeçare detyrohen të bëjnë zgjidhje të dhimbshme
“Të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës në momentin që arrinë moshën 65-vjeçare detyrohen të bëjnë një zgjidhje shumë të dhimbshme. Aktualisht siç është e rregulluar me ligj, pra ose ta marrin pensionin personal si e mbijetuar e dhunës seksuale e luftës ose të përcaktohen për pensione të pleqërisë apo kontribut-dhënës. Pasi që ligji për pensione, i cili ka ardhur në fuqi më vonë se ligji për vlerat e luftës që e njeh këtë grup ligjërisht, e ndalon pensionin e dyfishtë. Për neve ka qenë shqetësim madhor, jo si organizatë por edhe për të mbijetuarit sepse shumica e grave ende nuk flasin në familje rreth pensionit që e marrin si viktimë e dhunës seksuale, disa bile fatkeqësisht, familjarët nuk e dinë fare. Dhe kjo e ka sjellur një situatë shumë të pakëndshme edhe shpirtërore, edhe shëndetësore edhe psikologjike por mbi të gjitha është shkelje për faktin që si viktimë e dhunës seksuale ti duhet ta gëzosh atë lloj kompensimi që ta jep shteti. Ndërsa pensioni i moshës apo kontribut-dhënës duhet të jetë horizontal për të gjitha grupet”, deklaron ajo.
Rushiti tregon se janë edhe dhjetë raste të tjera të cilat janë duke u përgatitur për të kërkuar të drejtat e tyre përmes gjykatës.
Numri i personave të përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20.000.
Historitë e tyre nuk dihen sepse të mbijetuarit ende i druhen stigmës e paragjykimit, dhe heshtin.
Në Kosovë, që prej vitit 2014 ekziston një ligj për njohjen e statusit të tyre por deri tani vetëm rreth 2.000 e kanë marrë atë.
Gjatë vitit të kaluar mbi 150 gra e burra kanë aplikuar për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale.
Kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, Leonora Selmani tregon se sa prej tyre janë trajtuar gjatë vitit 2024.
Selmani: Në vitin 2024 ne i kemi pranuar gjithsejt 153 aplikime
“Në vitin 2024 ne i kemi pranuar gjithsej 153 aplikime. Kjo nuk do të thotë që të gjitha këto janë trajtuar nga 2024, sepse siç e dini komisionit i ka ra në vazhdimësi me u bartë aplikacionet e një viti paraprak në vitin tjetër. Por janë të pranuara 153 prej tyre dhe aktualisht janë në pritje për trajtim të cilat nuk kanë marrë përgjigje vetëm 53 prej aplikimeve”, thotë ajo.
Prej kur ka filluar punën ky komision, kanë aplikuar mbi 2.000 persona për njohje të statusit.
Selmani: Numri total i aplikimeve është 2174
“Komplet numri total i aplikimeve, që kanë aplikuar për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës janë 2.174, prej të cilave janë trajtuar gjithsej 2.118. Janë femra 1.957, ndërsa meshkuj 154, të aprovuara...Në total janë të aprovuara 1.598 raste, gra dhe 92 burra. Ndërsa, janë të refuzuar 288 gra dhe 49 burra”, njofton ajo.
Afati për aplikim për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale është deri më 15 maj 2025.
Për dhunim seksual nga gjykatat vendore është dënuar vetëm Zoran Vukotiq, me vendim të formës së prerë.
Shpresa, e cila është e mbijetuar e dhunës seksuale, lutet që së shpejti të gëzojë pensionin e saj, që siç thotë ajo “t’i paguhet djersa”.
Ndërkohë, KP ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli