Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme, janë ndër institucionet të cilat prijnë sa i përket rasteve të korrupsionit. Ndërkaq, Posta dhe Telekomi i Kosovës, është më i cenueshmi nga korrupsioni nga ndërmarrjet publike. Kështu bënë të ditur drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj.
Buleshkaj në një intervistë për KosovaPress, flet edhe për rastin e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe numrin e zyrtarëve publik që nuk e kanë deklaruar pasurinë, si dhe gjobat e shqiptuara.
"Kemi bërë një vlerësim të 140 institucioneve se cila nga to janë më të cenueshme nga korrupsioni, duke përdorur metodologji dhe indikatorë të zhvilluar nga Këshilli i Evropës...Si të tillë kemi evidentuar disa nga institucionet qendrore të Kosovës të cilat janë më të cenueshme nga korrupsioni. Kryesisht janë ato që besojmë që të gjithë edhe pajtohemi pa një hulumtim të tillë. Këtu kemi nëse nuk gaboj Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Punëve të Jashtme, kemi ndërmarrjet publike si Postën dhe Telekomin. Ndërsa, të tjerat qëndrojnë pak më mirë...Hulumtimi i ka ndarë institucione administrative dhe ndërmarrjet publike, sepse është e padrejtë që të futën të gjitha në një thes. Për sa i përket institucioneve administrative kanë prirë këto ministri", thotë Buleshkaj.
Lidhur me rastet e korrupsionit, 25 të tilla janë dërguar në prokurori dhe se janë duke u shqyrtuar.
"Këtë vit nuk janë dërguar shumë raste. Nëse nuk gaboj është rreth 20 ose 25 si total sepse jemi kujdesur ose të paktën kemi besuar që ato që dërgojmë janë më mirë të përgatitura dhe ka bazë të mjaftueshme për t’u ngritur aktakuzë...Këto të gjitha janë në shqyrtim. Nuk e besoj që ndonjëra nga këto që janë dërguar këtë vit ka arritur fazën finale të hetimeve", tha ai.
Ndërkaq, APK-ja ka dërguar mbi 15 raste në prokurori për mosdeklarim të saktë të pasurisë.
Buleshkaj tregon se kanë shqiptuar rreth 100 gjoba për vonesa në deklarimin e pasurisë.
"Kemi rreth 12 mijë zyrtarë publik të cilët janë të obliguar ta kryejnë deklarimin e pasurisë. Nga këta 12 mijë kemi pasur më pak se 100 të cilët nuk e kanë deklaruar në kohë dhe nuk e kemi asnjë që nuk e ka deklaruar brenda afatit shtesë që jep ligji prej 15 ditëve. Kemi pasur rreth 100 gjoba, më saktë 98 gjoba të cilat i kemi shqiptuar për vonesa...Përveç kësaj, ne kemi mbi 15 raste që i kemi dorëzuar deri më tash e që lidhen direkt për deklarim të pasurisë. Kemi edhe raste të tjera që nuk ndërlidhen me deklarim të pasurisë që janë dërguar në prokurori. Këto raste janë dërguar në prokurori sepse nuk ka qenë i saktë deklarimi i pasurisë. Sipas nesh ka pasur tentativë për t’u fshehur pasuria e caktuar", potencon Buleshkaj.
Për KosovaPress Buleshkaj thekson se prin një trend jopozitiv ku zyrtarët e caktuar lirohen nga gjyqësori nga përgjegjësia penale duke u thirrur në një bazë jo të qartë.
Ai thotë se rasti i Gërvallës ka qenë më kompleks për shkak se pasuria e cila është menduar se nuk është deklaruar plotësisht, ka qenë jashtë Kosovës.
"Agjencia e ka kryer punën e vetë për këtë rast dhe e ka përcjellur rastin në prokurori. Prokuroria ka ngritur aktakuzë dhe tashmë e kemi një vendim të gjykatës, i cili është një vendim lirues për zonjën Gërvalla për përgjegjësinë e saj penale në mos eklarimin e plotë të pasurisë. Si e keni parë këtë vendim? Fillimisht, ne nuk e kemi analizuar ende. Për neve është e rëndësishme që secili rast që dërgohet nga ne në prokurori të ketë një vendim dënues. Do ta studiojmë fillimisht se çka ka qenë arsyetimi i gjyqtarit kur e ka liruar zonjën Gërvalla nga përgjegjësia e saj. Ne kemi një trend të fundit që është jo shumë pozitiv për ne, ku zyrtarët e caktuar lirohen nga gjyqësori, nga përgjegjësia penale duke u thirrur në një bazë jo të qartë...Ky rast ka qenë pak më kompleks, sepse pasuria që është menduar që nuk është deklaruar plotësisht, nuk ka qenë në Kosovë dhe ka qenë verifikimi i saj jashtëzakonisht i vështirë, nëse jo i pamundur", thekson Buleshkaj.
Ndër të tjera, Buleshkaj shpreh shqetësimin se prokuroria e Kosovës i hedhë poshtë një numër të madh të kallëzimeve penale të APK-së, ku më pas nuk u lejohet ankimi i këtyre vendimeve, e siç thotë ai mund të jenë edhe të padrejta.
Rreth 1 mijë e 200 euro dhe dënimi me burg me kusht janë dënimet më të mëdha sipas Buleshkaj që ka shqiptuar prokuroria në rastet e korrupsionit.