Sallahu: KQZ shkeli ligjin me ndarjen e numrit për Listën Serbe

Aktuale

Sallahu: KQZ shkeli ligjin me ndarjen e numrit për Listën Serbe

Më: 6 janar 2025 Në ora: 12:09
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka akuzuar KQZ-në se e shkeli ligjin sot kur i ndau numrin Listës Serbe për garën zgjedhore të 9 shkurtit në Kosovë. Sipas tij, në bazë të nenit 130 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, akti administrativ pezullohet përderisa të vendoset ankesa në organin më lartë, në rastin konkret, në PZAP.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje me 23 dhjetor votuan kundër certifikimit të  Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Vetë Lista Serbe që vendimin e quajti politik, deponoi ankesë për këtë në PZAP. Kjo e fundit nxori vendim që e urdhëronte KQZ-në për ta certifikuar këtë subjekt politik. Vetëvendosje vazhdoi betejën duke deponuar ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa. Supremja e hodhi poshtë si të palejuar  ankesën e LVV-së kundër certifikimit të Listës Serbe, më 30 dhjetor. Më 2 janar Vetëvendosje deponoi ankesë me postë pranë PZAP-së kundër vendimit për certifikimin e Listës Serbe në emër të KQZ-së, me kërkesën për anulimin e këtij vendimi.

“Nxjerrja e vendimit në emër të KQZ-së, por pa miratim të KQZ-së është sulmi i radhës ndaj rendit tonë ligjor për shkak të Listës Serbe. Secili vendim i KQZ-së duhet t'i nënshtrohet votimit nga anëtarët e KQZ-së. Ky vendim nuk është i KQZ-së, sepse nuk është votuar. Është i paligjshëm, sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërsa Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm. Lista Serbe ka qenë dhe mbetet partia e kryeterroristit Radoiçiq. Ajo dikur përdorej nga Radoiçiqi kundër shtetit të Kosovës, kurse tani po shërben si struktura që mbron dhe amniston terrorizmin. Institucionet e pavarura të Republikës, siç është KQZ jo vetëm që duhet të mbrojnë vlerat si rendi ligjor e kushtetues, por së paku duhet të ruajnë integritetin e tyre institucional. Nuk mund të lejohet që për t'i bërë vend në fletëvotim një strukture që e lufton shtetin e Kosovës dhe merr në mbrojtje terroristët, të shkelet kaq brutalisht Ligji për Zgjedhje dhe çdo praktikë e rregullt. Andaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes kësaj ankese synon ta prapësojë këtë vendim të paligjshëm, të mbrojë rendin ligjor dhe të pamundësojë certifikimin e Listës Serbe”, thuhet në ankesën që ky subjekt politik ka deponuar në PZAP.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat