Ministria e Mbrojtjes ka filluar me gjenerimin e opsioneve për ndërtimin e flotës ajrore.
Në një përgjigje për portalin rtv21 Ministria e Mbrojtjes deklaroi se një gjë e tillë ka ndodhur sipas Planit gjithëpërfshirës të transicionit. Megjithatë, nuk dha detaje më shumë pasi që siç tha janë në fazën e shqyrtimit.
“Këtë vit hyjmë në fazën e tretë të implementimit të Planit gjithëpërfshirës të transicionit, atë të ndërtimit të kapaciteteve të flotës ajrore, rrjedhimisht jemi duke gjeneruar dhe opsionet për këtë. Meqenëse jemi në fazën e shqyrtimit, nuk mund të ndajmë detaje me ju, megjithatë konfirmoj se është duke u bërë një gjë e tillë”, ka thënë për rtv21.tv Liridona Gashi këshilltare politike e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në forcë me kapacitete ushtarake ka hyrë në vitin e shtatë të planit dhjetëvjeçar.