E thotë kryeministri Kurti: S’do të kemi nevojë për koalicione paszgjedhore, PDK, LDK e AAK nuk janë reformuar

Aktuale

E thotë kryeministri Kurti: S’do të kemi nevojë për koalicione paszgjedhore, PDK, LDK e AAK nuk janë reformuar

Më: 6 janar 2025 Në ora: 15:29 Përditësuar në ora: 16:07 më 06.01.2025
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

​Kurti: Nuk pranoj që Asociacioni të vendoset në qendër të raporteve Kosovë-Serbi

Kryeministri Albin Kurti thotë se nuk mund të flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke “braktisur njohjen reciproke”.

Në një intervistë për KosovaPress, Kurti thotë se nuk pranon që Asociacioni të vendoset në qendër të raporteve Kosovë-Serbi.

Kurti: Nuk pranoj që Asociacioni të vendoset në qendër të raporteve Kosovë-Serbi

“Ai dokument [draft-statuti i Asociacionit] ka qenë i propozuar nga ndërmjetësit, i panënshkruar, dhe si i tillë ai dokument nuk ka mundur të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, prandaj besoj që duhet të përqendrohemi te marrëveshja bazike, neni 7 flet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb, le të adresohet aty dhe neni 10 flet edhe për të gjitha marrëveshjet të cilat janë realizuar në të kaluarën e të cilat janë ligjërisht të obligueshme. Tash, nuk besoj që në qendër të raporteve Kosovë-Serbi është apo duhet të jetë Asociacioni, është njohja reciproke. Nuk mund të flasim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke braktisur njohjen reciproke. Pra, në qendër të marrëveshjes bazike është së paku njohja reciproke defaco. Unë nuk e mohoj që pararendësit dy herë e kanë nënshkruar Asociacionin, më 2013 dhe 2015, nuk e mohoj një gjë të tillë, mirëpo në të njëjtën kohë nuk pranoj që të vendoset në qendër Asociacioni në raportet Kosovë-Serbi”, thotë Kurti.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dakordim për marrëveshjen e Brukselit në shkurt 2023, dhe Aneksit të Ohrit në mars të atij vitit, por nuk ka pasur zbatim.

Kurti: Serbia ka shkelur marrëveshjen, Brukseli nuk ka reaguar

“Besoj që nëse ka dështuar diçka atëherë ka dështuar referimi mbi shkeljet e marrëveshjes, sepse Serbia e ka shkelur marrëveshjen që e ka pranuar dhe më pastaj, gjyqtarët, referët - Brukseli nuk ka reaguar. Këtu është dështimi. Nuk mund të presim zbatim të një marrëveshjeje nëse nuk ka ndëshkim për shkeljet e saj, pra përderisa një marrëveshje nuk zbatohet, ajo nuk do të duhej të shkelet dhe kjo është toleruar nga ana e Brukselit për Serbinë. Ne jemi përtej dialogut, sepse ne kemi marrëveshje. Marrëveshja bazike i ka 11 nene e 6 fjali në preambulë dhe e ka një aneks zbatimi me 12 pika. Besoj që kur flasim për dialogun duhet t’i rikthehemi marrëveshjes dhe aty ta theksojmë që Serbia nuk guxon ta shkelë marrëveshjen, duhet ta tërheqë letrën e zonjës Bernabiq si kryeministre që tha se nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës, besoj që edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në kundërshtim me këtë, po ashtu edhe Bashkimi Evropian dhe përveç se ta nënshkruajmë atë marrëveshje bazike – si një siguri juridike, si një garanci për zbatim, do të duhej që sa më parë të dorëzohej Millan Radoiçiq kryekrimineli serb i cili na e vrau rreshterin policor Afrim Bunjaku, hero i Kosovës”, thotë Kurti.

Sa i përket planit të sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes, Kurti thotë se nuk pritet që Beogradi zyrtar të tregojë konstruktivitet.

Kurti: Destruktiviteti i Serbisë është rritur

“Duhet ta presim tash përfaqësuesen e re të lartë, zëvendëspresidenten Kaja Kallas dhe iniciativën e saj për rrugën përpara. Besoj që topi është te ndërmjetësi në këtë kuptim, sepse nuk mund të presim që Beogradi përnjëherë do të bëhet aktor konstruktiv dhe do të thotë po e nënshkruaj marrëveshjen edhe le ta zbatojmë me një plan sekuencimi. Destruktiviteti i tyre ka ardhur duke u rritur, andaj ne presim nga ndërmjetësit që ta ndërpresin këtë destruktivitet të palës tjetër”, thotë ai.

Ndërkaq lidhur me masat ndëshkuese të Bahskimit Evropian ndaj Kosovës, Kurti thotë se nuk mund të jap datë se kur mund të largohen ato.

Kurti: Urojmë të mos ketë rieskalim në veri

“Tash deeskalimi në veri ka ndodhur, ne urojmë që të mos ndodh rieskalimi, ka pasur përpjekje për rieskalim, këto granatat e dorës që hidhen herë në stacion të policisë e herë në ndërtesë të komunës, ose përpjekja për ta hedhur komplet në erë kanalin Ibër-Lepenc janë përpjekje për rieskalim. Mirëpo të gjithë e dinë që Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është përgjegjëse për këtë, madje edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell në mandatin e tij kur ishte i dërgoi një raport 27-ëshes së Bashkimit Evropian ku ju tha atyre hiqni masat për Kosovën, mirëpo janë disa dinamike të brendshme në Bashkimin Evropian për të cilat fatkeqësisht po e pëson Kosova. Unë punoj e uroj të hiqen s amë parë, por nuk mund të jap një datë të caktuar për këtë gjë për shkak se nuk është se ne ja kemi vënë masat vetës, ato na janë vënë padrejtësisht neve”, thotë Kurti.

Në intervistën për KosovaPress, Kurti flet edhe për politikën e jashtme dhe mungesën e njohjeve të reja.

Kurti: Në politikën e jashtme jemi përqendruar tek substanca

“Në politikën e jashtme ne kemi qenë më shumë të përqendruar tek substance t’u themi të drejtën, sepse njohjet nga jashtë nuk po varen vetëm prej neve. Ajo çka kemi arritur është që ta dyfishojmë numrin e atasheve të mbrojtjes nëpër ambasadat e Kosovës. I kemi blerë pesë ambasada dhe nuk i paguajmë qiratë e shtrenjta më aty, në proces i kemi për t’i blerë edhe pesë ambasada të tjera dhe pasaporta e Kosovës është forcuar si asnjëherë më parë...Deri më 1 janar të vitit 2024 ju e dini shumë mirë që nuk kemi mundur të shkojmë askund, shumë pak kemi mundur të lëvizim me pasaportën tonë, ndërkaq tash u bë liberalizimi i vizave dhe unë besoj që kjo është një e arritur me të cilën nuk mund të krahasohet asnjë njohje e veçantë diku në botë. Por unë insistoj, megjithatë, të mos na krahasojnë qytetarët me premtimet e opozitarëve, njohjet kanë qenë kryefjala e tyre”, thotë Kurti.

--------

Kryeministri i vendit, Albin Kurti thotë se nuk sheh mundësi për koalicione pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Sipas Kurtit i cili drejton Lëvizjen Vetëvendosje, partitë opozitare “nuk janë reformuar”.

Kurti pret që partia e tij ta tejkalojë rezultatin e vitit 2021, dhe konsideron se pritjet për gjysëm milioni vota “janë reale”.

Kurti: Nuk do të jetë i nevojshëm një koalicion paszgjedhor

“Ne nuk shohim mundësi që të kemi koalicione paszgjedhore prandaj edhe i kemi bërë ato parazgjedhore, së pari me partinë Guxo dhe gjithashtu me partinë Alternativa, me të cilët kemi bashkëqeverisur në këto katër vjet dhe i kemi përvojat dhe mbresat më të mira nga njëri-tjetri. Partitë që kanë qenë gjatë në qeverisje në Kosovë për dy dekada, nganjëherë dy prej tyre, nganjëherë të trija bashkë, PDK, LDK dhe AAK, në këto katër vite unë nuk kam parë që janë reformuar dhe kur e kemi parasysh se, sidomos në muajt e fundit, sulmet që janë bërë ndaj subjektit tonë politik, ndaj eksponentëve të subjektit tonë politik, ndaj qeverisjes sonë të mirë e demokratike, nuk shohim mundësi që të kemi çfarëdo koalicioni në mandatin tjetër, për më tepër që nuk do të jetë as i nevojshëm”, thotë Kurti.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje garon me listë të përbashkët me “Guxo” dhe “Alternativa”.

Kurti: Presim ta tejkalojmë rezultatin e vitit 2021

“Ne presim ta tejkalojmë rezultatin e vitit 2021 për shkak se para katër vitesh i kishim 438 mijë vota dhe besoj që është reale që të presim që të kemi rritje, prandaj e kemi vendosur këtë synim prej gjysmë milioni vota në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Jemi shumë të lumtur që kemi pasur stabilitet institucional, jemi qeveria e parë që e çon mandatin deri në fund dhe uroj që ky të jetë një fillim i mbarë i stabilitetit institucional në Republikën e Kosovës, për dallim prej qeverive të mëhershme në Kosovën e pavarur që nuk e përfundonin mandatin. Kemi nevojë për qeveri të cilat për zotimet e tyre i kanë katër vjet mandat të plotë”, thotë Kurti.

Kurti, edhe për mandatin e ardhshëm përmend Fondin Sovran dhe Bankën Zhvillimore - zotime këto që nuk u realizuan gjatë këtij mandati.

Kurti: Besojmë se do të marrim së shpejti dritën jeshile për Fondin Sovran

“Ne së pari duhet të themelojmë Fondin Sovran të Republikës së Kosovës, dhe besojmë që së shpejti do të marrim dritën jeshile nga Gjykata Kushtetuese dhe paralelisht me këtë edhe Bankën Zhvillimore. Kjo është një shtyllë tejet e rëndësishme e reformës ekonomike në Kosovë për shtet zhvillimor. Në anën tjetër na duhet doemos Byroja për Konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, njëherë na e rrëzuan në Gjykatë Kushtetuese 5 me 4, e ri sollëm ligjin në Kuvend, i kaloi dy leximet dhe sërish është në Gjykatë Kushtetuese, edhe kjo byro do të duhet të themelohet sivjet. Dhe në të njëjtën kohë ta kemi edhe Vetingun për gjyqësorin, ashtu që kompetenca, integriteti dhe efikasiteti të jenë karakteristikë e sistemit tonë të drejtësisë. Këto janë sa i përket gjërave kapitale të cilat doemos do t’i bëjmë”, thotë ai.

Ligji për Fondin Sovran është dërguar nga opozita për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Kurti: Gjykaya kushtetuese të jetë më selektive në rastet që i trajton

“Nuk ka kurrfarë përgjegjësie nga ana jonë, së pari Gjykata Kushtetuese e konsideroi të pranueshme ankesën opozitare dhe së dyti është vonuar tepër gjatë në trajtimin e këtyre, uroj që Gjykata Kushtetuese të jetë më selektive në rastet që i trajton dhe më ekspeditive atëherë kur do t’i trajtojë”, thotë Kurti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat