Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka theksuar rëndësinë e fuqizimit të gruas për ndërtimin e një Kosove të Fituese.
Gjatë një takimi me gratë gjakovare, Haradinaj ndau vizionin e tij për barazi gjinore, duke ofruar një plan konkret veprimi që përfshin mbështetje për familjet e reja, pagë minimale për nënat me 3 e më shumë fëmijë, dhe mundësi të barabarta për gratë në biznes dhe trashëgimi të pronës.
Postimi i plotë:
Fuqizimi i gruas në shoqërinë tonë është parakusht për një Kosovë vërtet Fituese. Sot në Gjakovë, qytetin që nën udhëheqjen e kryetarit Ardian Gjini po tregon se si arrihen rezultate konkrete për qytetarët pavarësisht mungesës së mbështetjes qeveritare, ndava me gratë gjakovare vizionin tonë për barazi të plotë gjinore.
Përtej fjalëve dhe kuotave gjinore, ne ofrojmë plan konkret veprimi: mbështetje për familjet e reja me 1500 euro për fëmijën e parë, 2500 për të dytin dhe 3500 për të tretin, pagë minimale 500 euro për nënat me 3 e më shumë fëmijë, qasje në kredi të subvencionuara për bizneset e udhëhequra nga gratë, dhe orar fleksibil pune për nënat. Mbi të gjitha, do të zbatojmë në plotni të drejtën e grave në trashëgimi të pronës.
Gratë tona po shkruajnë histori suksesi në sport, shkencë, art e biznes. Është momenti që shteti të investojë fuqishëm në potencialin e tyre të jashtëzakonshëm, si garanci për një të ardhme më të mirë për të gjithë. Kosova Fituese është ajo ku çdo grua ka mundësi të barabarta për të realizuar ëndrrat e saj.