Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i ka quajtur deklarata mashtruese për vota ato të kryeministrit Kurtit i cili ka përjashtuar mundësinë që të bëjë koalicion paszgjedhor me partitë aktuale opozitare.
Tahiri ka thënë se Kurti ka bërë koalicion me LDK-në dhe ka me AAK-në në Podujevë dhe ka pas me PDK – në Gjilan.
Tahiri në emisionin “InfoNata” ka thënë se Kurti e di se fitimi i 50% të votave nuk përsëritet më dhe se zgjedhjet e 9 shkurtit do t’i fitojnë partitë opozitare.
“VV ka pas koalicion me LDK, në Podujevë ka me AAK, në Gjilan me PDK. Ky njeri flet me mashtru, me marrë një votë. Por, nëse ky dëshiron me i ikë përgjegjësisë për qeverisje me tradhëtu besimin qytetarë, atëherë gjen kësi alibi. Ky e dinë si 1 plus 1 që bëjnë 2, se 50% ka qenë vetëm njëherë dhe ai ka qenë më 14 shkurt për shkak se populli u pat gërdit kaq shumë me partitë që kanë qenë për 20 vite në pushtet sa mezi s’kanë pritë me ja dhanë votën. Tash populli e ka pa çka bënë për 4 vjet. Më 9 shkurt zgjedhjet do t’i fitojë zgjedhjet”, tha Tahiri.
Kurti të hënën ka thënë se PDK, LDK e AAK nuk janë reformuar gjatë këtyre viteve dhe ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni paszgjedhor, ku ka përmendur siç ka thënë ai edhe sulmet që i janë bërë qeverisë së tij në muajt e fundit.