KFOR-i ka shtuar numrin e forcave të tij në jug të Mitrovicës, ndërsa Asambleja Parlamentare e NATO-s ka alarmuar për rreziqe të shumta në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë.
Drizan Shala, ekspert i sigurisë, ka thënë se NATO si mekanizëm politik dhe ushtarak ka detyruar shtimin e trupave të KFOR-it.
“Komandanti aktual i KFOR-it ka deklaruar se, në varësi të zhvillimeve dhe analizave nga terreni, mund të ketë edhe shtim të numrit të trupave, dhe sipas planifikimeve, deri në vitin 2025 pritet një prani më e madhe e trupave të KFOR-it në territorin e Kosovës, me qëllim minimizimin e rreziqeve të mundshme”.
“KFOR-i nuk do të lejojë asnjë rastësi dhe do të intensifikojë aktivitetet për të ruajtur sigurinë e vendit, por kjo mund të shihet gjithashtu si një dobësim i sovranitetit të Kosovës”, tha Shala.
Ndërsa Adnan Zujeva, ekspert i sigurisë, e konsideron këtë shtim trupash si një shenjë të dobësimit të sovranitetit të Kosovës dhe të integritetit territorial, duke theksuar se prania e trupave të KFOR-it e dëmton këtë sovranitet.
“Në veri të Kosovës, ka një prani të madhe të trupave të NATO-s, përfshirë ato amerikane, turke dhe polake, ndërkohë që është paralajmëruar që edhe trupa sllovake do të mbërrijnë pas një muaji”.
“Kjo tregon se situata në këtë pjesë të Kosovës mbetet e brishtë”, tha Zujeva në emisionin “Ora 7”.
Njëherësh Visar Reça, njohës i sigurisë, shtoi se Asambleja Parlamentare e NATO-s ka informacione më të detajuara për situatën në Kosovë dhe rajon dhe se ky rekomandim për shtimin e trupave ka për qëllim të shmangë befasi për organizatën e NATO-s në rast të ndonjë skenari të mundshëm.