Rritje e rasteve të gripit, IKShPK bën thirrje për vaksinim dhe masa parandaluese

Aktuale

Rritje e rasteve të gripit, IKShPK bën thirrje për vaksinim dhe masa parandaluese

Më: 7 janar 2025 Në ora: 12:42
Foto ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), ka bërë thirrje për vaksinim kundër gripit sezonal, duke theksuar rritjen e rasteve të gripit gjatë javëve të fundit.

“Kjo ka rezultuar me rritje të fluksit të qytetarëve që po kërkojnë ndihmë mjekësore në institucionet shëndetësore,” njofton IKShPK.

Gripi sezonal, i cili është një sëmundje akute infektive, mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.

Për këtë arsye, IKSHPK thekson se vaksina kundër gripit është mënyra më e mirë për të reduktuar rrezikun e infektimit dhe përhapjen e virusit.

“Gripi sezonal është një sëmundje që shkakton komplikime serioze shëndetësore, ndërsa vaksina kundër gripit është mënyra më efikase për parandalimin e infektimit,” thuhet në njoftimin e IKShPK.

IKShPK u bën thirrje të gjithë qytetarëve, pa dallim moshe, që të vaksinohen kundër gripit, me theks të veçantë për grupet më të rrezikuara si punëtorët shëndetësorë, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, të moshuarit mbi 65 vjeç, dhe fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç.

Ministria e Shëndetësisë ka siguruar 85,000 doza të vaksinës për këtë sezon dhe qytetarët mund të vaksinohen në çdo qendër të Mjekësisë familjare.

Përveç vaksinimit, IKShPK ka theksuar rëndësinë e masave të tjera parandaluese, si mbajtja e higjienës personale, evitimi i kontakteve me individë të sëmurë dhe mbajtja e distancës në vende të mbingarkuara.

“Vaksinimi mbetet mënyra më efikase për parandalimin e gripit, dhe efekti i saj fillon 1 deri 2 javë pas marrjes,” përfundon IKShPK

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat