“Unë nuk jam me Hashimin, por..”/ Hasan Zeneli del me një mesazh rreth Speciales, përmend edhe akuzat e Haradinajt kundër Kurtit

Aktuale

“Unë nuk jam me Hashimin, por..”/ Hasan Zeneli del me një mesazh rreth Speciales, përmend edhe akuzat e Haradinajt kundër Kurtit

Nga: M.L. Më: 7 janar 2025 Në ora: 12:54
Hasan Zeneli

Ish-bashkëluftëtari i heroit Zahir Pajaziti, Hasan Zeneli, përmes një shkrimi të publikuar në profilin e tij në Facebook ka bërë thirrje për unitet dhe mirëkuptim në lidhje me çështjen e Gjykatës Speciale.

Ai ka kërkuar nga politikanët dhe partitë politike që të përmbahen nga sulmet ndaj atyre që janë të përfshirë në këtë proces, veçanërisht ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përcjell "Bota sot".

Zeneli shprehet se askush nuk do të kishte votuar për këtë gjykatë me dëshirën e vet, por se ky ishte një proces i domosdoshëm, sikurse ka ndodhur edhe në shtetet e tjera të Ballkanit, si Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, dhe Serbia.

Në mesazhin e tij, ai apelon që njerëzit të mos flasin për inate politike ndaj Hashim Thaçit, pasi ai, sipas Zenelit, ka vepruar me vetëdije për të mbrojtur interesat e Kosovës.

Postimi i plotë:

Me shkas

-Kisha me kërkuar nga politikanët dhe partitë politike që njerëzit që janë brenda dhomave të specializuara të lihen rehat dhe të mos gjuajmë gurë e cunga në drejtim të tyre, e në veçanti ndaj Hashim Thaçit.

As kush nuk do ta kishte votuar këtë gjykatë me dëshirën e vet, por ja që ky ishte një proces që do të duhej të ndodhte domosdoshmërisht, ashtu siç ndodhi në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi.

I kisha lutur të gjithë ata që e lexojnë këtë shkrim që ta kuptojnë situatën drejt dhe të mos flasin për inate politike kundër H. Thaçit.

Bëhuni të bindur se Hashimi këtë e ka bërë me plot vetëdije dhe për ta shpëtuar Kosovën nga izolimi dhe masat tjera të Bashkimit Europian.

Ne flasim sepse nuk kemi qenë në pozitën e tij dhe nuk i kemi ditur pasojat të cilat do t’i vuante Kosova pas mosvotimit të kësaj gjykate.

Përfundim: Mos flisni ju, nëse keni për të folur, flas unë që kam qenë pjesë e luftës.

Mos më keqkuptoni ju partitë politike, por vërtetë e keni tepruar, ashtu si Ramushi kundër Albinit!

Unë nuk jam me Hashimin dhe nuk e mbroj kurrë, por kur shoh e dëgjoj kaq zëra me urrejtje ndaj tij, më bëhet e tepërt dhe tmerruese. Lëreni njerëzit rehat, ju lutem!

Me ju dhe për ju, i juaji Hasan Selim Zeneli.

07 Janar 2025.

Fushë Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat