Rexhepi: Kosova dhe Shqipëria të krijojnë plan-program të posaçëm për shqiptarët në Luginë

Aktuale

Rexhepi: Kosova dhe Shqipëria të krijojnë plan-program të posaçëm për shqiptarët në Luginë

Më: 7 janar 2025 Në ora: 12:38
Foto ilustrim

Kosova dhe Shqipëria duhet të krijojnë plan-program të posaçëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës, thotë kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi. Ai thekson se shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc po diskriminohen nga shteti serb, që siç shprehet ai, politikat e saj janë të kohës së Sllobodan Millosheviqit.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në një intervistë për KosovaPress, vlerëson se çështja e Luginës së Preshevës duhet të jetë prioritet për Kosovën dhe Shqipërinë.

Rexhepi: Kosova dhe Shqipëria duhet të krijojnë plan-program për shqiptarët e Luginës së Preshevës

“Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë duhet të krijojnë një plan program të posaçëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ku ato ulen bashkë dhe diskutojnë për këto çështje dhe ne do të jemi më mirë dhe do të jemi më të fortë në aspektin politik. Prandaj, unë mendoj që Shqipëria duhet t’i bashkëngjitet Kosovës me pjesën e buxhetit dhe të ketë interesim të zhvillohet, arsimi, kultura, bizneset sepse kemi shumë pengesa edhe në çështjen e bizneseve ku shqiptarët e Preshevës detyrohen me fabrikat apo mini-fabrikat e tyre të shkojnë në Shqipëri apo Kosovë për arsye se nuk mund t’i plasojnë produktet e veta”, deklaron Rexhepi.

Pavarësisht përpjekjeve, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme ende nuk e kanë të drejtën të mësojnë në gjuhë shqipe.

Rexhepi: Nxënësit ende mësojnë me metodën e vjetër

“Ne pasivizohemi çdo ditë. Ne diskriminohemi në të drejtat tona. Çështja e librave, teksteve shkollore ende nuk është zgjidhur. Jemi në këtë shekull, në shekullin 21 që ende ne mësojmë me metodën e vjetër, nxënësit e shkollave të mesme ende mësojnë me metodën e vjetër duke shkruar mësimet sepse nuk e kemi të drejtën e librave në gjuhën shqipe. Edhe pse kemi dhënë çdo qartësi, çdo gjë që ne duhet të kryejmë ne i kemi kryer të gjitha obligimet tona. Por çështja është që ju pengon vetëm se janë libra shqip”, shprehet ai.

Shqiptarët që jetojnë në jug të Serbisë - zonën që njihet si Lugina e Preshevës, vazhdojnë të përballen me diskriminim.

Në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, Serbia po vazhdon me spastrim etnik përmes pasivizimit të adresave.

Komuna më e prekur, thotë Rexhepi, është Medvegja. Por, në masë të madhe spastrimi etnik po bëhet edhe në Preshevë e Bujanoc.

Rexhepi: Politikat e Beogradit janë të njëjta sikur të kohës së Millosheviqit

“Politikat e Beogradit janë ato të njëjta sikur të kohës së Millosheviqit duke diskriminuar apo edhe duke pasivizuar siç e kemi spastrimin etnik që është duke ndodhur spastrimi etnik i shqiptarëve në Luginën e Preshevës, me anë të pasivizimit të adresave duke ua hequr të drejtën shqiptarëve që të jenë banor të këtyre trojeve... Pasivizimin e adresave e kanë bërë në mënyrë shumë të lehtë duke e keqpërdorur ligjin e vet, duke përdorur arsyet e veta shteti. Një polic i thjesht mund të pasivizojë këdo. Me anë të atyre bëhet pasivizimi dhe në shumicën e rasteve ti nuk e merr vesh që je i pasivizuar. Vetëm atëherë kur ti shkon ta nxjerrësh një dokument ti e merr vesh që je i pasivizuar”, shton ai.

Ai përmend një rast ekstrem të pasivizimit të adresave në Preshevë.

Rexhepi: Një familje shtatë-anëtarëshe në Preshevë është pasivizuar

“Një familje shtatë anëtarëshe në Preshevë është pasivizuar. Dhe tani ajo ka filluar me pjesën e ankesave që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre elementare.

Për tërë këto shkelje, Rexhepi thotë se është i njoftuar faktori ndërkombëtar, por sipas tij qasjen ndaj Serbisë e kanë të butë.

Rexhepi: Qasja e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë është e butë

“Këtë çështje e kemi ngritur edhe me ndërkombëtarët edhe me tjerët, por për momentin është duke hasur tek ndërkombëtarët... janë shumë të butë ndaj Serbisë. Sepse Serbia po shihet qartë nga raportet që është duke ndodhur spastrim etnik si në kohën e Millosheviqit, por me metodat më moderne të cilat janë duke i përdorur në terren”, shprehet ai.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi thotë se Serbia po tenton të pengojë edhe ndihmën e Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Rexhepi: Serbia po tenton që të mos lejojë që Kosova të jetë prezente në Luginën e Preshevës

“Gjatë vitit 2024 kemi hapur konkurset ku kanë përfituar studentët, familjet me tre fëmijë në shkolla dhe fëmijët pa prindër. Dhe këtu ka qenë një numër i rëndësishëm që kanë përfituar dhe te pjesa tjetër tani e kemi një milionëshin e bujqësisë ku Qeveria e Serbisë po tenton të na diskriminojë dhe të mos na lejojë që Kosova të jetë pjesë e bujqve apo të jetë prezente në Luginën e Preshevës. Ajo çka e pengon Serbinë është Kosova e Shqipëria mos të përzihen”, përfundon ai.

Në fund të vitit të kaluar, Qeveria ka ndarë më shumë se një milion euro për familjet shqiptare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc që merren me bujqësi.

Në kuadër të buxhetit për këtë vit, qeveria ka paraparë që të ndajë katër milionë euro për Luginën e Preshevës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat