Qendrat e Mjekësisë Familjare në lagje të ndryshme të Prishtinës kanë mbetur të mbyllura gjatë festës së Pashkëve Ortodokse, duke shkaktuar shqetësime të mëdha për banorët.
Sipas banorëve, Komuna e Prishtinës duhet të sigurojë që shërbimet mjekësore të jenë në dispozicion gjatë gjithë periudhës festive, duke pasur parasysh numrin e madh të qytetarëve dhe kërkesat për kujdes shëndetësor.
Ismail Muqiqi, një qytetar i Prishtinës, shprehu shqetësimin e tij për mbylljen e qendrave të shëndetësisë, duke theksuar se qyteti ka shumë banorë dhe kërkesat për shërbime mjekësore janë të mëdha.
“Prishtina është kryeqyteti i Kosovës ka shumë banor dhe ka shumë nevojë sepse qytetarët kërkojnë shërbime mjekësore në të gjitha qendrat që duhet të punojnë. Nuk ka festë vikend e të diela, por të gjitha qendrat duhet me qenë mobile se askush nuk mund të parashikojë se çka do të ndodh sesa pacient do të kenë nevojën për ndihmën e mjekut, apo ka ndonjë tragjedi ndeshje në komunikacion”, ka deklaruar Muqiqi për eo.
Ai kërkoi nga autoritetet të rrisin ndërgjegjësimin dhe të sigurojnë që shërbimet shëndetësore të jenë në dispozicion për të gjithë qytetarët, pa ndërprerje gjatë festave dhe fundjavave.
“Mjekët duhet të jenë gjithmonë në vendin e punës dhe kemi mjek e shërbime. Ndikon, negativisht pacienti vjen ka nevojë të marrë shërbime me marrë barna e të bëjë kontrolle, kur vjen ai nuk e gjen mjekun e pret, pastaj zhgënjehet është edhe sëmurë dhe më tepër i keqësohet gjendja. Kjo janë probleme të përditshme të jetë, ka ndodhur raste të familjes, na ka kapur burokraci e luks nuk jemi në nivel të punës, as mjeku, intelektuali, punëtori i arsimit kemi nevojë të vetëdijesohemi. Ne kemi faj pastaj kanë faj institucionet e ligji dhe ndërgjegjja e njeriut”, shtoi ai.
Një tjetër qytetar, Nazmi Uka, e ndau përvojën e tij personale.
Ai tregoi se kishte pritur gati një orë për të marrë shërbime, dhe ishte detyruar të blinte vetë medikamentet, pasi shumë qendra shëndetësore ishin të mbyllura.
“Dje e kam marrë te pazari, atje është mbyll, sot është dashur me prit gati një orë, plus asaj duhet të gjitha me i ble vet barnat. Sot e mora këtu sepse në vende të tjera nuk punuar. Më është dashur të pres gati një orë është shumë. Më së pari mjekësia familjare ne kurrë nuk po mundemi me gjet mjekun tonë aty, edhe pse duhet ta kemi një mjek i cili është personal por këta po ndërrohet çdo muaj”, ka thënë Uka.
Megjithatë, Bajram Arifi theksoi se trajtimi i tij ishte i kënaqshëm, edhe pse kishte hasur vështirësi për të gjetur mjekun gjatë festave.
“Trajtimi është shumë mirë, me ambulantë janë më Matiqan, që nuk punojnë për festë nuk kemi çka me bë, jam ardhur të marrë disa barna por nuk po punonin. Mua më presin mirë dhe nuk kam pasur probleme”, ka theksuar Arifi.