Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës për miratimin e Projektligjit për Lirinë fetare përmes së cilit pritet të definohet statusi për Kishën Ortodokse Serbe.
Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, në konferencën e sotme për media tha se miratimi i këtij ligji në Kuvendin e Kosovës është në interes të të gjitha komuniteteve në Kosovë kur u pyet mbi statusin e Kishës Serbe.
“Dhe për projektligjin e Kishës Ortodokse Serbe, ne bëjmë thirrje për miratimin e Ligjit për Lirinë Fetare. Ky ligj është në interes të të gjitha komuniteteve dhe ftojmë deputetët e Kuvendit që të mbështesin miratimin e ligjit”, tha ajo.
Kosova dhe Serbia në Marrëveshjen e Ohrit janë dakorduar që të palët të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe.
“Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese europiane”, thuhet ndër të tjera në Nenin 7 të marrëveshjes së 27 shkurtit 2023.
Për këtë çështje në mars të 2023-ës kishte folur kryeparlamentari Glauk Konjufca ku kishte thënë se Kisha Ortodokse Serbe nuk mund të bëhet me status special.
Ai kishte thënë se shteti sekular i Kosovës e ka “distancën e barabartë ndaj çdo bashkësie fetare në Kosovë”, përfshirë edhe atë ortodokse.
“Është larg barabartë të gjithave njëjtë. Kisha ortodokse tash nuk mundet me kërku për një status special në shtetin e Kosovës, ku ne e nënshkruajmë atë”.
Megjithatë, Konjufca kishte thënë se “statusin do ta definojmë se i mungon”.