Rriten rastet e dhunës në familje, Policia raporton mbi 6% më shumë raste në vitin e kaluar

Aktuale

Rriten rastet e dhunës në familje, Policia raporton mbi 6% më shumë raste në vitin e kaluar

Më: 7 janar 2025 Në ora: 17:51
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka publikuar statistikat e fundit mbi dhunën në familje, të cilat tregojnë një rritje shqetësuese të rasteve gjatë vitit 2024. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2023 ishin raportuar 2,251 raste të dhunës në familje, ndërsa në vitin 2024 ky numër është rritur në 2,387 raste, duke shënuar një rritje prej 6.04%.

Ky trend alarmues tregon se dhuna në familje mbetet një sfidë e madhe për shoqërinë dhe institucionet e Kosovës.

Ekspertët vlerësojnë se faktorë të ndryshëm si problemet ekonomike, papunësia, mungesa e edukimit për barazinë gjinore dhe ndikimi i mediave sociale mund të jenë ndër arsyet që ndikojnë në rritjen e rasteve. 

Policia por edhe zyrtarë nga Ministria e Drejtësisë kanë bërë thirrje për raportim të çdo rasti të dhunës dhe për një angazhim më të madh nga institucionet përgjegjëse në mbrojtjen e viktimave.

Policia e Kosovës ka theksuar rëndësinë e ndërhyrjes së shpejtë në këto raste dhe ka paralajmëruar se do të ketë masa më të ashpra ndaj dhunuesve. 

Ndërkohë, organizatat për të drejtat e grave dhe të drejtat e njeriut kanë kërkuar përmirësimin e mekanizmave mbrojtës për viktimat e dhunës në familje, përfshirë strehim më të sigurt, ndihmë psikologjike dhe mbështetje ligjore. 

Në muajt e fundit, institucionet e drejtësisë janë përballur me kritika për vonesat në trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe dënimet e lehta ndaj autorëve të këtyre veprave. Aktivistët kërkojnë që shteti të veprojë me vendosmëri për të parandaluar rritjen e mëtejshme të dhunës dhe për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët, veçanërisht gratë dhe fëmijët, të cilët shpesh janë viktimat kryesore. 

Kosova, javë më parë ka lançuar sistemin e hallkave elektronike për mbikëqyrjen e dhunuesve apo të dyshuarve për dhunë në familje.

Në lançimin e këtij sistemi kishte marrë pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, bashkë me ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Këto hallka të vendosura në duart apo këmbët e dhunuesve apo të dyshuarve për dhunë në familje, në rastet kur ata i afrohen viktimës përkundër urdhrit mbrojtës, menjëherë do ta sinjalizojnë nivelin mbikëqyrës lokal dhe atë qendror të Policisë, duke u mundësuar atyre reagimin efikas dhe në kohë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat