Infektologu, Hetem Ramadani, ka deklaruar se përhapja ose transmetimi i virusit HMPV bëhet shumë ngjashëm me Covid 19.
Ramadani ka thënë se Kosova duhet të mbështet në parimet bazë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për sa i përket këtij virusi.
“Sëmundja është infeksioze përhapja ose transmetimi bëhet shumë ngjashëm me Covid 19 pandemik në kontaktin me personin e infektuar, përmes të folurës, teshtitjes, puthjes, përqafimeve, por edhe në objekte të infektuara qarshafa, lodra e të tjera sepse ky virus e ka një qëndrueshmëri. Tash për tash vendi ynë duhet të mbështetet në parimet bazë të OBSH-së për ditët në vijim sesi do të ndodhë, por unë shpresoj megjithatë që HMPV virusi nuk do të bëjë atë më të keqën e mundshme që e ka bërë Covid19”, ka thënë ai në emisionin “Ditari”.
Metapneumovirusi njerëzor (HMPV) është virus respirator, i cili shkakton simptoma të ngjashme me gripin dhe ftohjen, por ai mund ta rrisë rrezikun apo të shkaktojë më shumë komplikime, si bronkiti apo pneumonia, posaçërisht te të moshuarit dhe fëmijët e vegjël.
Kjo sëmundje është e së njëjtës familje si virusi respirator sincicial (RSV) dhe është shfaqur që nga viti 2001, kur u identifikua për herë të parë në Holandë.
Ky virus përhapet gjatë sezoneve të ftohta. Simptomat e HMPV-së janë të ngjashme me ato të gripit apo ftohjes.
Në Kinë është raportuar për rritje të rasteve me virusin HMPV në javët e fundit