Ndonëse i ka javën e numëruara deri në përfundim të mandatit si emisar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak nuk i ka ndaluar përpjekjet për zgjidhjet e mosmarrëveshjeve në Ballkanin Perëndimor në veçanti përmirësimin e raporteve mes Kosovë-Serbi. Ai gjatë qëndrimit në Uashington mbrëmjen e së hënës është takuar me zëvendësndihmës-sekretarin amerikan të shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof dhe ndihmës sekretarin James O’Brien.
“Misioni im i parë në 2025’ën më çoi në Uashington DC, ku kisha një diskutim gjithëpërfshirës për Ballkanin Perëndimor me Ndihmës Sekretarin amerikan, Kasanof. Jam krenar për bashkëpunimin e shkëlqyer BE-ShBA përgjatë mandatit tim”, tha Lajçak.
Bashkimi Evropian ka konfirmuar për rtv21 se mandati i Lajçakut në ndërmjetësimin e bisedimeve Kosovë-Serbi zgjatë deri në fund të këtij muaji dhe se janë në bisedime brenda unionit se kush do të jetë pasues i tij në këtë post.
“Mandati i emisari të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, mbetet në fuqi deri në fund të janarit. Procesi i përzgjedhjes së pasuesit të tij aktualisht është duke u zhvilluar dhe ne do të ofrojmë përditësime në kohën e duhur”, tha Hipper.
Përveç kritikave ndaj Bashkimit Evropian për qasje të pabarabartë në proces të dialogut Qeveria e Kosovës, kryeministrit Kurti, e sheh fajtore edhe Serbinë për mungesë gatishmërie në zbatimin e marrëveshjes për normalizim të raporteve.
‘’Serbia e ka shkelur marrëveshje dhe pastaj Bruksli nuk ka reaguar. Nuk mund të presim zbatim të marrëveshjes derisa nuk ka ndëshkim të saj”, deklaroi Kurti.
Ndërkohë, një pjesë e opozitës në Serbi vlerëson se pa zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Kosovën nuk mund të ketë perspektivë evropiane. Por, problemi kryesor, sipas tyre, qëndron në faktin se dialogu është bërë peng i tensioneve politike të brendshme në të dyja vendet. Ata e shohin zgjidhjen te heqja dorë nga politika populiste.
“Me Aleksandër Vuçiqin do të jetë e vështirë, të paktën jo në mënyrë publike. Deri tani, ai ka vepruar gjithçka në fshehtësi, por tani kërkohen hapa më të hapur. Në thelb, ai ka bërë shumë, por do të vonojë shpalljen e atyre hapave. Pyetja është nëse ai dëshiron standarde evropiane dhe demokraci. Mendoj se për Serbinë, për komunitetin serb në Kosovë, por edhe për gjithë Ballkanin Perëndimor, do të ishte më mirë të arrijmë marrëveshje dhe të hyjmë së bashku në BE, ku kufijtë nuk do të jenë vendimtarë”, tha Stojkoviq
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, vlerëson se pa përfshirjen më të madhe të SHBA-së në proces të dialogut nuk mund të ketë zbatim të marrëveshjeve të Brukselit.
‘’është shumë e rëndësishme se kush do të jetë ndërmjetësues i BE-së në dialog. Ka shpresa të mira se ka disa emra nga Finlanda dhe Danimarka. Do të ishte mirë që edhe SHBA-ja të ketë një përfaqësues pragmatik”, tha Sadiku për rtv21.
Në takimin e fundit midis kryenegociatorëve të Kosovëës dhe Serbisë ishte arritur darkordimi për krijimin e komisionit të përbashkët për të zhdukurit.